Kurti: Nuk ka pse të rrëzohet Qeveria

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur për ofertën që ia ka bërë opozitës se “bashkë mund t’i bëjnë numrat për ta shpërndarë Kuvendin” dhe kështu t’i hapin rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Në konferencë për media në trevjetorin e qeverisjes së tij, ai insistoj se kjo ofertë ka ardhur pas pyetjes që i është bërë nga gazetarja në intervistë, duke shtuar se gjithçka është ndërtuar mbi hipotezën që opozita po dëshiron zgjedhje të parakohshme.

Përndryshe, sipas tij, qeveria nuk ka arsye pse të rrëzohet.

Ai tha se nëse opozita dëshiron zgjedhje mund të ulën të bisedojnë për shpërndarje të Kuvendit, por jo për rrëzim të Qeverisë.

“Gjithçka ndërtohet mbi hipotezën që opozita dëshiron zgjedhje të parakohshme. Mund ta bëjmë këtë me 2/3 e deputetëve duke e shpërndarë  Kuvendin. Nëse opozita është rehat, ne jemi edhe më rehat. Vetëm nëse opozita do zgjedhje, ne jemi të gatshëm të ulemi e të bisedojmë për shpërndarje të Kuvendit. Por, nuk ka pse të rrëzohet Qeveria. Qeveria e mbarë dhe e mirë nuk rrëzohet. Qeveria vazhdon. Por nëse opozita është e interesuar të mos i kemi 12 muaj por të kemi më pak muaj, atëherë jemi të gatshëm ta bëjmë shpërndarjen e Kuvendit, por jo ta rrezojmë qeverinë”- tha ai.

Pas ofertës që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ua bëri partive opozitare, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se nënshkrimet e PDK-së do të jenë gati për rrëzimin e Qeverisë.

“Kryeministër, prej korrikut të vitit të kaluar të kam ba thirrje e të kam pritë që me shpërnda Kuvendin. Prej nesër nënshkrimet e PDK-së janë gati. Çohu shkojmë në zgjedhje menjëherë – nëse ke guxim e të ka mbet pak ndërgjegje për situatën e vështirë që e ke sjellë vendin” – u shpreh Krasniqi.

Krasniqi – Kurtit: Çohu shkojmë në zgjedhje menjëherë, prej nesër nënshkrimet e PDK-së janë gati