Richard Grenell mohon t’i ketë dërguar mesazhe LDK-së për ta rrëzuar Qeverinë Kurti 1

Ish i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë- Serbi, Richard Grenell, ka mohuar se u ka dërguar mesazhe anëtarëve të LDK-së, duke u kërkuar ta rrëzojnë Qeverinë Kurti 1.

“Është e gabueshme, 100 për qind e gabueshme. Unë nuk kam dërguar mesazhe. Njerëzit që kanë mesazhe duhet t’i tregojnë ato mesazhe. Çfarë nuk kam bërë është komunikimi me të gjithë anëtarët e partisë dhe kjo ka qenë politika e ShBA dhe ne mendojmë se ka qenë ide e gabueshme”, ka thënë Grenell në një intervistë për RTV Dukagjinin.

Këto deklarata të Grenellit erdhën pasi shefi i grupit parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Arben Gashi, në një televizion në Kosovë tha se Richard Grenell i kishte dhënë afat LDK-së 7 ditë për ta rrëzuar Qeverinë Kurti 1.

Arben Gashi kishte thënë se çdo ditë ka pasur mesazhe nga Grenell dhe presioni rritej ndërsa nuk ndryshonte asgjë në mocionin për rrëzimin e Qeverisë.