Foto: Kallxo.com

Të premten përfundon afati i dorëzimit të listave në KQZ, partitë ende askund

6 shtatori, dita e premte është dita e fundit kur partitë politike dhe koalicionet duhet t’i dërgojnë listat finale me kandidatet për deputetë të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjet e 6 tetorit.

Partive politike u kanë mbetur pak më shumë se 4 ditë deri në datën kohën e paraparë për t’i dorëzuar listat e kandidatëve.

Partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetarë kanë të drejtë t’i dërgojnë më së shumti 110 kandidatë për deputetë. Por ata, gjithashtu mund të dërgojnë edhe më pak kandidatë, kjo nuk është e ndaluar.

Deri më tani asnjë parti politike nuk ka bërë publike emrat e kandidatëve për deputetë.

Lëvizja Vetëvendosje, më 31 gusht njoftoi anëtarët për zgjedhjet e brendshme në këtë pari. Secili anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje që dëshiron të jetë pjesë e listës për deputetë duhet të dorëzojë aplikacionin.

“Të gjithë anëtarët e Lëvizjes, të interesuar për të kandiduar në këto zgjedhje duhet të paraqesin deklaratën e kandidaturës me dokumentacionin shoqërues brenda 48 orëve”, thuhej në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në anën tjetër, LDK ka bërë të ditur se prej nesër do të fillojnë të bëjnë përpilimin e listës me kandidatët për deputet.

“Nuk e kemi fillu ende përpilimin e listës, është proces që do të fillojë nga nesër, sepse deri tani kemi marrë vetëm propozime nga degët. Do t’i shikojmë propozimet që kanë ardhë, sepse si kryesi qendrore fare nuk jemi përzier në propozimet që kanë ardhë nga dega”, tha Osmani, duke shtuar se propozimet e degëve për kandidatët do të futen në procesin e filtrimi, për të parë se a duhet apo jo të futen në listën e deputetëve.

As PSD, që pritet t’i ketë 25 kandidatë në listën e koalicionit me AAK, thotë se nuk e ka kryer procesin e përpilimit të listës.

“Kemi me i pasë 25 kandidatë në listë. Ende nuk e kemi përfunduar procesin e përzgjedhjet së kandidatëve. Jemi duke pranuar ende propozime. Këto propozime pastaj votohen në mbledhjen e Kryesisë”, tha për KALLXO.com, zyrtarja e PSD-së, Natyra Kuçi.

Ajo tha se nuk mund të thotë asgjë, sa i përket kandidimit apo jo të Aida Dërgutit.

Ndonëse kanë arritur koalicion parazgjedhor që një kohë, AKR nuk e di se sa kandidatë do t’i ketë në listën për deputetë, ku garon së bashku me Nismën Social Demokrate.

Fatmir Matoshi nga AKR tha për KALLXO.com se ende nuk është definitive numri i kandidatëve që do t’i ketë AKR në lisë.

“Ende nuk kemi një numër, por minimalisht do të jenë 25 kandidatë por përfundimisht nuk e dimë. Besoj brenda 2-3 ditëve të ardhshme do të vendoset dhe të përfundojë kjo çështje”, tha Matoshi për KALLXO.com

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me zyrtarë të AAK-së dhe Nismës por ata nuk kanë qenë të qasshëm në telefon.

Të premten më 30 gusht, ora 00:00 kishte qenë afati i fundit, kur koalicionet i kishin dorëzuar aplikacionet në KQZ.

Zëdhënësi i KQZ-së kishte njoftuar për KALLXO.com se kanë aplikuar 4 koalicione parazgjedhore.

Përgjigjet për certifikimin ose jo të koalicioneve dhe listave të kandidatëve gjithashtu, KQZ pritet t’i jap pas shqyrtimit nga ana e KQZ-së.

Kjo e fundit mund të kërkoj korrigjime apo informacione shtesë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një përgjigje për KALLXO.com ka treguar se kur do të bëhet tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike.

“Pasi të përmbyllet edhe çështja e ankesave eventuale, edhe pse një subjekt politik është certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje – mund të tërhiqet nga lista e subjekteve politike që garojnë në këto zgjedhje. Kjo mund të bëhet 24 orë para tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, që do të mbahet më 17 shtator”, tha Valmir Elezi për KALLXO.com

Zgjedhjet për Kuvend të Kosovës do të mbahen me 6 tetor. Deri te mbajta e parakohshme e zgjedhjeve erdhi pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.