Shumë anomali në arsimin profesional në Kosovë

Sistemi aktual i arsimit dhe aftësimit profesional nuk është në gjendje t’i përgjigjet nevojave dhe kërkesave të tregut të punës.

Kjo është një nga konkluzionet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, pasi ka publikuar raportin për Arsim dhe Aftësim Profesional.

Auditori në këtë raport ka paraqitur disa nga problemet, vështirësitë dhe mangësitë që has ky sistem në Kosovë.

Sipas po këtij raporti, rishikimi i kurrikulave dhe vonesa e rishikimit të tyre, mungesa e profilizimit të drejtimeve të arsimit profesional, mungesa e praktikës në ambientet e shkollave e në biznese e në fund edhe mospunësimi i tyre në biznese, janë nga disa të gjeturat kyçe të këtij raporti.

Në këtë auditim janë përfshirë vetëm tri komuna, ajo e Prishtinës, Prizrenit dhe Ferizajt si dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, të cilët janë zotuar se do t’i adresojnë të gjitha rekomandimet e dhëna. Ndërsa, nuk kanë pranuar përgjigje nga Komuna e Prishtinës.

Bizneset hezitojnë t’i punësojnë nxënësit e diplomuar

Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer auditimin e performancës “Efektiviteti i ndërlidhjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës”.

Sipas Auditorit, shumë nxënës që diplomojnë si agjent të shitjes, saldator, kuzhinier apo automekanik nuk mund të gjejnë një vend pune, pasi bizneset hezitojnë t’i punësojnë ata.

“Sipas bizneseve të vendit, profesionet më të nevojshme për ta janë ato për të cilat veçse ofrohen profile nëpër IAAP (shembull: agjent distributor i shitjes, saldator, kuzhinier dhe automekanik ndër të tjerë). Ndërkaq, edhe pse diplomojnë shumë nxënës në këto fusha të kërkuara, ka biznese që ende hezitojnë t’i punësojnë ata”, thuhet në raport.

Auditori thotë se nga sektorët e prodhimit, tregtisë, ndërtimtarisë dhe shërbimeve janë anketuar 100 biznese nga Oda Ekonomike e Kosovës për të marrë opinionin e tyre për sistemin e arsimit në Kosovë.

“Skepticizmi i tyre dëshmohet kur vetëm 0.8% nga ta mendojnë se sistemi arsimor është i mirë apo nuk ka nevojë për përmirësim, ndërsa 5.7% mendojnë se sistemi arsimor është tërësisht i dështuar. Ky mosbesimi i bizneseve vjen si rezultat i mungesës së shkathtësive të veçanta të cilat nuk gjinden tek të diplomuarit e Institucioneve të Arsimit Profesional”, ka shtuar auditorit.

Auditori ka theksuar se ky mosbesimi i bizneseve vjen si rezultat i mungesës së shkathtësive të veçanta të cilat nuk gjinden tek të diplomuarit e IAAP-ve.

Më tej është theksuar se sfidë tjetër sipas bizneseve është edhe mos funksionimi i bashkëpunimit mes bizneseve dhe Istuticioneve të Arsimit Profesional.

“Sipas tyre, kjo rezulton nga mos-interesimi i IAAP-ve për bashkëpunim, barra e angazhimit të një mentori për monitorim të kandidatëve, siguria dhe shëndeti në punë si dhe paqartësitë në bashkëpunim. Mungesa e bashkëpunimit në mes të komunitetit të biznesit, institucioneve qendrore dhe IAAP-ve është identifikuar edhe nga MPMS-ja në Strategjinë Sektoriale të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale 2018-2022”, thuhet më tej.

Kurrikulat e profileve të Arsimit Profesional s’janë rishikuar që nga viti 2013

Ministria e Arsimit dhe Shkencës është përgjegjëse për rishikimin e kurrikulave ekzistuese të profileve që ofrohen në Arsimin dhe Aftësimin Profesional.

Por, pavarësisht kësaj kurrikulat e këtyre profileve nuk janë rishikuar që nga viti 2013. Kjo është një nga të gjeturat e Auditorit të Përgjithsëm, i cili ka theksuar se MASh ka bashkëpunar edhe me Agjencinë e Punësimit dhe Këshillin Ekonomik-Social dhe ka themeluar një grup punuës në vitin 2019, rishikimi i tyre ende nuk ka ndodhur.

“Rishikimi i fundit i plotë i kurrikulave ekzistuese të AAP-së është kryer në vitin 2013.  Në maj të vitit 2019, Ministria ka marrë vendim për emërimin e ekspertëve dhe koordinatorëve për rishikimin e kurrikulave për profilet përkatëse të AAP-së, fillimisht për klasat e X-ta. Rishikimi i këtyre kurrikulave ka qenë i paraparë për t’u përfunduar para fillimit të vitit shkollor 2019/2020 me qëllim që kurrikulat e rishikuara të fillojnë së zbatuari në profilet e AAP-së për klasat e X-ta”, thotë auditori.

Auditori shton se sipas po të njëjtit vendim, është paraparë që rishikimi i kurrikulave të profileve të AAP-së për klasat e XI-ta dhe XII-ta të përfundoj gjatë pjesës së dytë të vitit 2019, respektivisht fillimit të vitit 2020, por ministria nuk ka arritur afatet e parapara për rishikim të tyre.

“Ministria ka bërë rishikimin e të gjitha kurrikulave për klasat e X-ta. Pavarësisht kësaj, një pjesë e konsiderueshme e kurrikulave të profileve të AAP-së (ato të klasave të XI-ta dhe XII-ta) nuk janë rishikuar ende, dhe nuk pritet që të përfundohet me rishikimin e tyre deri në vitin 2021. Kjo tregon që Ministria nuk ka arritur afatet e parapara për përfundimin e rishikimit të të gjithë kurrikulave të AAP-së”, thotë auditori.

Zyra Kombëtare e Auditorit thotë se një prej shkaktarëve për mungesën e rishikimit të kurrikulave të profileve të AAP-së është mungesa e përkushtimit dhe veprimeve konkrete të Ministrisë për t’i kushtuar rëndësi dhe për të prioritizuar këtë sektor.

“Këtë gjë e dëshmon fakti që AAP-ja ende nuk ka kornizë të kurrikulave të veçantë dhe vazhdon të mbetet nën kurrikulën e arsimit parauniversitar. Kurrikula në fjalë është e përgjithësuar për tërë arsimin para-universitar dhe jo domosdoshmërisht i parasheh dhe rregullon nevojat e AAP-së në veçanti”, thotë më tej ai.

Gjithashtu, Auditori thotë se korniza e kurrikulave për Arsim dhe Aftësim Pofesional ekziston si draft që nga viti 2018, mirëpo deri më tani nuk është miratuar, gjë që tregon edhe për neglizhencën e institucioneve përgjegjëse kundrejt AAP-së.

“Shkaktarë për vonesat e fundit në rishikimin e kurrikulave të profileve të AAP-së, sipas informatave dhe dëshmive të pranuara nga personat përgjegjës në Ministri, është edhe vonesa në miratimin e grupeve punuese dhe ekspertëve përgjegjës për rishikimin e kurrikulave të AAP-së. Edhe pse listat e ekspertëve kanë qenë të gatshme që prej muajit qershor të vitit 2018, ato nuk janë konkretizuar me vendim dhe me aprovim të grupeve punuese deri në maj të vitit 2019”, thekson auditori.

Auditori ka theksuar se mungesa e rishikimit të kurrikulave në mënyrë të vazhdueshme, e sidomos mos rishikimi i tyre për 7 vite, bënë që një numër i konsiderueshëm i IAAP-ve të punojnë me kurrikula të cilat nuk përkojnë me nevojat bashkëkohore të tregut të punës.

“E gjithë kjo ndikon negativisht në sigurimin e vendeve të punës për nxënësit që diplomojnë nga këto profile, pasi që këto profile nuk janë në gjendje t’i pajisin ata me përgatitjen e duhur si dhe me njohuri të azhurnuara teorike dhe praktike që kërkohen nga tregu i punës”, ka thënë më tej ai.

Profilet ekzistuese të Arsimit Profesional s’analizohen nga relevanca

Zyra Kombëtare e Auditorit të Përgjithshëm ka vërejtur mangësi sa i përket analizimit dhe shqyrtimit të relavancës së profileve ekzsituese që ofrohen në Instuticionet e Arsimit dhe Aftësimit Profesional të Kosovës.

Sipas auditorit, një pjesë e profileve kanë interesim shumë të vogël të nxënësve dhe profilet miratohen si të mirëqena nga Ministria dhe neglizhohet fakti që një pjesë e tyre pezullohen nga IAAP-të për vite të caktuara, pavarësisht faktit që për ato profile ka interesim të madh të nxënësve dhe ka kërkesa nga tregu i punës.

“Në komunat e Prishtinës, Prizrenit dhe Ferizajt është evidentuar se në disa prej profileve ka mungesë të interesimit të nxënësve. Shumë profile kanë më pak se 15 nxënës të regjistruar gjatë vitit shkollor 2019/20, e në disa raste, si në 5 nga profilet e shkollës “Zenel Hajdini” në Ferizaj, numri i nxënësve të regjistruar është më i vogël se 10”, thotë auditori.

Më tutje, janë evidentuar disa profile të cilat pezullohen për një numër të caktuar të viteve shkollore dhe pastaj aktivizohen sërish.

“Pezullimi ka ndodhur pavarësisht interesimit të madh të nxënësve dhe kërkesave të vazhdueshme të tregut të punës për të diplomuarit nga ato profile.  Një rast i tillë është pezullimi i profilit teknik i dhëmbëve gjatë vitit shkollor 2019/20 në shkollën “Dr. Ali Sokoli” në Prishtinë, pavarësisht që nuk ka pasur një arsyetim të dokumentuar për pezullim”, ka theksuar më tej auditori.

Auditori ka shtuar se nëse marrim për bazë numrin e regjistruar të nxënësve në këtë profil gjatë viteve shkollore 2017/18 dhe 2018/19, shohim se janë regjistruar mesatarisht rreth 70 nxënës secilin vit shkollor, gjë që tregon për interesimin e madh për profilin në fjalë.

Tutje në raport të Auditorit është thënë se shkaktar që disa prej profileve ekzistuese vazhdojnë të funksionojnë me numër të vogël të nxënësve dhe pa iu nënshtruar asnjë modifikimi apo rishikimi, si dhe fakti që disa prej profileve pezullohen nga IAAP-të pavarësisht faktit që për to ka kërkesa të shumta për regjistrim nga nxënësit, është fakti që divizionet e caktuara në Ministri nuk kontestojnë asnjëherë profilet ekzistuese që ofrohen në Instuticionet e Arsimit Profesional.

“Këto divizione po ashtu nuk marrin për bazë para aprovimit të konkurseve trendin e regjistrimeve apo mangësi të tjera të atyre profileve. Tek profili teknik i dhëmbëve Ministria ka treguar neglizhencë dhe nuk ka vënë re që ky profil do të pezullohet dhe nuk do të regjistrojë nxënës në vitin shkollor 2019/20. Këto mangësi bëjnë që nëpër IAAP të shfrytëzohen kapacitete njerëzore dhe financiare në profile të cilat kanë numër tejet të ulët të nxënësve dhe të cilat jo domosdoshmërish përfaqësojnë kërkesat e tregut të punës”, thuhet më tej.

Gjithashtu, ZKA thotë se  Ministria investon në burime njerëzore dhe financiare për rishikimin e të gjitha kurrikulave të profileve të AAP-së, përfshirë të profileve të tilla me mungesë të lartë të interesimit të nxënësve, në vend se të shqyrtojë arsyet e mungesës së atraktivitetit dhe kërkesës për këto profile.

“Duke treguar neglizhencë ndaj pezullimit të profileve që kanë interesim të nxënësve dhe janë të kërkuara nga tregu i punës, Ministria injoron vazhdimësinë e profileve të suksesshme dhe të cilat janë në përputhje me nevojat e tregut të punës”, ka nënvizuar auditori.

Nxënësit e arsimit profesional s’kanë pajisje për praktikë

Vështirësi në zhvillimin e mësimit praktik në institucionet e Arsimit Profesional ka gjetur Auditori.

Sipas auditorit, posedimi dhe funksionalizimi i punëtorive në ambientet e IAAP-ve konsiderohet i domosdoshëm për realizimin e moduleve profesionale në këto institucione.

Auditori ka theksuar se në bazë të auditimeve që janë bërë në komunën e Prishtinës, Prizrenit dhe Ferizajt nxënësit kanë vështirësi për zhvillimin e mësimit praktik në ambientet e tyre.

“Pajisjet janë të vjetra dhe nuk përkojnë me kërkesat aktuale të teknologjisë. Pajisjet janë jashtë funksionit. Ka mungesë të materialit shpenzues. Kabinetet në shkollat që ofrojnë profile në drejtimet e bujqësisë posedojnë reagjentë me afate të skaduara të cilët paraqesin rrezik për përdorim. Numër i vogël i pajisjeve në profile të caktuara dhe numër i madh i nxënësve”, ka theksuar auditori.

Po ashtu ZKA thotë se disa prej profileve nuk posedojnë fare punëtori/kabinete, e as pajisje për realizimin e mësimit praktik në ambientet e shkollës.

“Një pjesë e IAAP-ve nuk posedojnë fare punëtori apo kabinete (Shkolla “7 Shtatori”, Prishtinë), ndërkaq pjesa tjetër që i posedon punëtoritë apo kabinetet për mbajtjen e mësimit praktik nuk i posedon fare pajisjet e nevojshme për profilet e caktuara”, Në rastin kur posedohen pajisjet, ato nuk janë adekuate për zhvillimin e mësimit praktik për profilet e caktuara (Shkolla “28 nëntori”, Prishtinë; Shkolla “Zenel Hajdini”, Ferizaj; Shkolla “Pjetër Bogdani”, Ferizaj)”, theksohet në raport.

Sipas këtij raporti, gjendje më të mirë për sa i përket zhvillimit të mësimit praktik si rrjedhojë e posedimit të punëtorive me pajisje adekuate dhe funksionale kanë institucionet e arsimit profesional që kanë përgjithësisht drejtime të ekonomisë (Shkolla “Hoxhë Kadri Prishtina”, Prishtinë; Shkolla “Ymer Prizreni”, Prizren; Shkolla “Faik Konica”, Ferizaj) si dhe 4 institucione  që janë nën menaxhimin e Agjencisë (Qendrat e Kompetencës në Prizren dhe Ferizaj; Shkolla “11 Marsi”, Prizren; Shkolla “Shtjefën Gjeqovi”, Prishtinë).

“Disa IAAP janë deklaruar dhe kanë dëshmuar përmes listës së inventarit që një pjesë e konsiderueshme e kabineteve/punëtorive të tyre janë të funksionalizuara me pajisje të cilat janë financuar nga donatorë të ndryshëm. Mirëpo edhe në këto raste janë hasur vështirësi në vënien në funksion të këtyre pajisjeve dhe si rrjedhojë zhvillimin e mësimit praktik”, thotë auditori.

ZKA thotë se kjo pjesërisht ka rezultuar për shkak se një pjesë e këtyre pajisjeve janë të shtrenjta e njëkohësisht kanë kërkesë për material shpenzues që po ashtu është i kushtueshëm.

“Përveç kësaj, ka pasur edhe raste ku shumica e pajisjeve të dhëna donacion nuk janë shfrytëzuar si rezultat i mungesës së përgatitjes së nevojshme të mësimdhënësve për të përdorur pajisjet dhe frikës së tyre se mund t’i dëmtojnë ato”, thuhet më tej.

Sipas auditorit, praktikë e mirë e zhvillimit të mësimit praktik në ambientet e vet është hasur vetëm në shkollën “Hoxhë Kadri Prishtina” në Prishtinë e cila përgjithësisht ofron profile që i përkasin drejtimeve ekonomike dhe juridike.

“Në këtë IAAP mësimi praktik zhvillohet në të ashtuquajturat “firma ushtrimore”. Firmat ushtrimore janë firma të improvizuara në ambientet e shkollës që i mundësojnë nxënësve të përfitojnë shkathtësi praktike me pajisje konkretizuese dhe nën kujdesin e mësimdhënësve”, thotë auditori.

“Aspekti i shkëmbimit të përvojave në mes të IAAP-ve dhe bizneseve, sidomos në aspekt të pjesëmarrjes së bizneseve në punëtoritë e IAAP-ve në formën e ofrimit të ligjëratave apo demonstrimit para nxënësve të funksionimit të pajisjeve të ndryshme, nuk është evidentuar në shumicën e IAAP-ve, me përjashtim të shkollës “Abdyl Frashëri” në Prishtinë dhe shkollës “Faik Konica” në Ferizaj”, është thënë më tej.

Auditori thotë se mungesa e punëtorive apo kabineteve e pamundëson zhvillimin e mësimit praktik në ambientet e IAAP-ve, ndërkaq mungesa e pajisjeve adekuate në punëtoritë/kabinetet e IAAP-ve e vështirëson në masë të madhe zhvillimin e duhur të mësimit praktik.

“E gjithë kjo ndikon që nxënësit të mos jenë në gjendje të përfitojnë aftësitë dhe shkathtësitë e duhura për profesione të caktuara në ambiente të simuluara të punës; të hasin në vështirësi për të kuptuar se ku gjejnë zbatim shkathtësitë e profesionit të caktuar dhe të mos kenë përgatitjen themelore në momentin që i nënshtrohen praktikës profesionale në biznese. Si rrjedhojë të diplomuarit e IAAP-ve nuk janë të denjë dhe të aftë për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës”, thuhet më tej.

Auditori ka rekomanduar që institucionet përgjegjëse duhet të sigurohen se institucionet e arsimit profesional, kanë kapacitetet e nevojshme njerëzore dhe financiare për t’iu përgjigjur kërkesave të veçanta të programeve të AAP-ve lidhur me pajisjet materiale dhe shpenzimet tjera që mundësojnë mësimin praktik, si dhe të promovojnë një kulturë përmes së cilës inkurajohet shkëmbimi dhe partneriteti midis tyre dhe bizneseve.

“Të gjitha këto për t’iu mundësuar nxënësve zhvillimin e të kuptuarit mbi zbatimin dhe përdorimin e shkathtësive dhe përvetësimin e aftësive për profesione të caktuara në ambiente të simuluara të punës”, është thënë në fund.

Pak nxënës të arsimit profesional mbajnë praktikë në biznese

Nxënësit e arsimit profesional e kanë të vështirë të mbajnë praktikë profesional tek bizneset e vendit.

Kjo sipas auditorit ndodhë për shkak që institucionet e arsimit profesional nuk kanë memorandume bashkëpunimi me bizneset.

“Praktikë e mirë e evidentuar tek të gjitha IAAP-të është që ato lidhin marrëveshje apo memorandume bashkëpunimi dhe realizojnë praktikën profesionale nëpër biznese me veprimtari të cilat janë në përputhje të plotë me profilet që ato ofrojnë. Pavarësisht këtyre, ka pasur raste kur për profile të caktuara, IAAP-të nuk kanë pasur asnjë marrëveshje me biznese dhe si rrjedhojë nxënësit e atyre profileve nuk i janë nënshtruar praktikës profesionale në teren”, ka bërë të ditur auditori në raportin vjetor për arsimin dhe aftësimin profesional.

Auditori ka theksuar se gjendje më e mirë sa i përket realizimit të praktikës profesionale në biznese është evidentuar në 4 shkollat që janë nën menaxhimin e Agjencisë dhe sipas tyre,  kjo është arritur edhe për faktin se këto IAAP janë përkrahur shpesh herë nga donatorë të ndryshëm.

Sipas raportit të ZKA-së, procesi i praktikës profesionale në biznese është përcjellë me mangësi të tjera të cilat kanë vështirësuar akoma më shumë realizimin me sukses të këtij procesi.

“Mangësitë e tilla përfshijnë: Në shumicën e marrëveshjeve apo memorandumeve të bashkëpunimit në mes të IAAP-ve dhe bizneseve nuk është i përcaktuar fare numri i nxënësve që do të përfshihen në praktikë profesionale, orët e parapara për t’iu alokuar praktikës profesionale nuk përmbushen për asnjërën nga klasat, monitorimi i praktikës profesionale nga IAAP-të është shumë i dobët pasi që është më shumë i natyrës teknike/administrative se sa përmbajtësore”, thuhet më tej.

Tutje ZKA thotë se një prej shkaktarëve kryesor që procesi i praktikës profesionale përcillet me vështirësi dhe mangësi të shumta është mungesa e një subjekti ndërmjetësues që do të ishte përgjegjës për koordinimin e bashkëpunimit në mes të IAAP-ve dhe bizneseve.

“Zyra për bashkëpunim me biznese është e paraparë edhe me Ligjin për AAP për t’u themeluar, mirëpo një zyrë e tillë ende nuk është themeluar. Marrëveshjet dhe memorandumet e mirëkuptimit lidhen në mes të menaxhmentit apo mësimdhënësve të IAAP-ve dhe bizneseve dhe një gjë e tillë duhet përmendur se është vullnetare dhe jo obligative”, ka theksuar auditori.

Auditori ka theksuar se monitorimi i dobët i praktikës profesionale ka ardhur si rezultat i mungesës së prezencës së mësimdhënësit të lëndës apo personit përgjegjës të IAAP-së gjatë kryerjes së praktikës profesionale.

Po ashtu, është evidentuar se përgjegjësi kryesore e bizneseve që pranojnë të kenë nxënës për kryerjen e praktikës profesionale është raportimi tek IAAP-të për vijueshmërinë e nxënësve dhe në raste të rralla raportimi për ndonjë nxënës që mund të tregojë aftësi më të dalluara se të tjerët.

“Pra, nuk ka raporte të detajuara të cilat do të tregonin se punët që janë kryer gjatë praktikës profesionale korrespondojnë me plan programin mësimor të atij profili dhe me aftësitë e parapara për t’u përfituar nga nxënësit”, thuhet më tej.

“Monitorimi i dobët i nxënësve gjatë kryerjes së praktikës profesionale ka rezultuar shpesh herë në dukuri negative. siç është mos prezenca e një numri të madh të nxënësve në mbajtjen e praktikës profesionale pavarësisht që kanë qenë të caktuar nga shkolla për të marrë pjesë”, është thënë në raport.