Logo e shkollës profesionale “Shtjefën Gjeçovi” Prishtinë, Foto: Astrit Perani
Praktika brenda dhe jashtë shkollës profesionale “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë (VIDEO)
Shkollimi profesional në Kosovë thuhet se zgjedhet nga nxënës që kanë sukses më pak të mirë në shkollimin fillor. Por ata që kanë zgjdhur të vijojnë shkollën profesionale “Shtjefën Gjeçovi” në kryeqytet, kanë vlerësuar kushtet e shkollës dhe praktikën që e zhvillojnë brenda dhe jashtë saj.
Në disa prej profileve në këtë shkollë kanë filluar ta zhvillojnë edhe mësimin dual, kombinimin e praktikës dhe teorisë. Madje, për punën praktike ata edhe paguhen nga bizneset ku ata punojnë.
Ekipi i KALLXO.com i ka vizituar nxënësit e shkollës profesionale “Shtjefën Gjeçovi” në kryeqytet, të cilët kanë prezantuar punën e tyre në laborator të njohur si praktikë, si dhe atë në ambiente pune në një ndërmarrje.
Blerim Gërvalla, drejtor në shkollën profesionale “Shtjefën Gjeçovi” ka treguar për KALLXO.com se nxënësit të cilët orientohen në shkollën e tyre janë me sukses nën mesatare, mirëpo përgjatë shkollimit ky sukses rritet.
“Fatkeqësisht në të kaluarën ka qenë ky trend, fatmirësisht është duke u përmirësu. Unë mundem me fol për shkollën tonë që fatmirësisht kemi nxënës madje edhe shembullorë, jo me i numëru me gishta po ka me dhjetëra edhe ky trend ka filluar të ndryshojë pozitivisht” – ka deklaruar Gërvalla.
Sipas Gërvallës, diploma e kësaj shkolle llogaritet nga shtetet gjermano-folëse, për shkak të profileve që i ka kjo shkollë.
Ata këtë vit kanë filluar me arsimin dual në dy profile që do të thotë se nxënësi gjatë tri viteve të shkollimit, 50% realizon praktikë në një ndërmarrje, e cila është me pagesë.
Këtë formë të arsimit janë duke e aplikuar në tri profile: automekanik, floktari dhe estetikë, ndërsa në drejtimet tjera nxënësit realizojnë mësimin në vendin e punës, i cili po ashtu paguhet.
“Vitin e kaluar kemi bërë gati një rekord ku kemi lidhur marrëveshje me 120 biznese edhe të gjithë nxënësit kanë qenë të sistemuar nëpër biznese dhe kemi informatën kthyese që ka pas sukses shumë të lartë” – ka theksuar Gërvalla për KALLXO.com.
Për Etnik Gashin, i cili është në klasë të dhjetë në këtë shkollë. Ai ka zgjedhur profilin instalues i ngrohjes dhe mendon që në të ardhmen të bëhet mjeshtër në këtë profil.
“Jam shumë i kënaqur sepse janë të gjitha mjetet e punës. Saldues më pëlqen shumë, se është shumë lehtë, nuk është vështirë” – i ka përshkruar Gashi kushtet e shkollës dhe procesin që i pëlqen më shumë ta punojë përgjatë praktikës.
Kështu, 15-vjeçarit i pëlqen më shumë pjesa e praktikës, të cilën e realizon çdo të martë pasi është në klasë të dhjetë.
Ndërsa, Drilon Vitia, nxënës i klasës së 12-të, është përcaktuar në profilin automekanik, pasi nga mosha 9-vjeçare ka qenë i interesuar në këtë profil.
17-vjeçari çdo të hënë dhe të martë mban praktikë në një servis të makinave në Hajvali.
“Shkolla na ka përgatit me të gjitha detajet që na sot me ardhë në klasën e 12-të me qenë të gatshëm për me punu. Kemi mësu teorinë e motorit, pjesëve të komplet veturës dhe kemi mbajt praktikën” – ka treguar Vitia për KALLXO.com.
Atij i pëlqen aq shumë diagnostikimi i veturave me anë të kompjuterit, sa ka qenë entuziast që të demonstrojë para kamerës së KALLXO.com se si e realizon atë në largimin e frerëve të pasëm të një veture.
Në shkollën profesionale “Shtjefën Gjeçovi” janë 4 drejtime kryesore – makineri, transport i trafikut, tekstil dhe shërbime, si dhe profilet e tyre përkatëse.
Në kuadër të drejtimit makineri janë këto profile – dirixhimi kompjuterik i makinave, metalpunues, automekanik, mekatronikë dhe instalues i ngrohjes, klimatizimit dhe ujësjellësit.
Në drejtimin e tekstilit ka profile si dizajn i modës dhe rrobaqepësi.
Ndërsa, në drejtimin transport dhe trafik janë këto profile – trafiku rrugor, transporti rrugor, drejtues i trenave, lëvizje e trenave dhe tërheqje e trenave.
Dhe te drejtimi i shërbimeve janë profili i floktarisë dhe estetikës.
Nga të gjitha këto, profili më i kërkuar nga nxënësit është ai instalues i ngrohjes, klimatizimit dhe ujësjellësit, ndërsa më pak i kërkuar është profili metalpunues dhe drejtues i trenave.
Në shkollën profesionale “Shtjefën Gjeçovi” mësojnë 65% djem dhe 35% vajza dhe drejtori i saj i ka ftuar semimaturantët që të orientohen në shkollimin profesional, pasi sipas tij ata nuk do të mbesin të papunë.