Kurti: Këtë vit do të kemi rritje ekonomike 7.9% të GDP

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Samitin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional, është shprehur i bindur se Kosova këtë vit do të ketë rritje ekonomike prej 7.9% të Bruto Produktit Vendor, GDP-së.

“Rritja ekonomike për sivjet shkon në 7.9%  të Bruto Produktit Vendor dhe këtë duhet ta ndjekim edhe me ngritjen e sistemit arsimit dhe aftësimit profesional që e luan një rol vendimtar e të madh”, tha Kurti.

Ai po ashtu tha se situata ekonomike në Kosovë gjatë këtij 5 mujori është përmirësuar dukshëm krahasuar me atë të vitit të kaluar.

“Aktiviteti ekonomik është shtuar për 15% dhe eksportet janë rritur për 66% e po ashtu janë rritur edhe për 30% të hyrat buxhetore. Kjo tregon se si ka ekstrernalitet pozitive në ekonomi kur kemi proces e rezultat demokratik në zgjedhje”, tha kryeministri Kurti.

Sipas Kurtit, arsimi dhe aftësimi profesional e mbajnë çelësin e procesit teknologjik, industrializim të shpejtë, shtimit të vendeve të punës, krijimin e pasurisë, uljes së varfërisë dhe zbutjes së pabarazisë.