MPJ: Luksemburgu ofron mbështetje për arsimin profesional
Gjatë ditës së sotme, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla bashkë me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Likaj, zhvilluan një takim virtual pune me të ngarkuarën me punë të Dukatit të Madh të Luksemburgut në Kosovë, Natacha Gomes.
Në këtë takim të mbajtur në mënyrë virtuale u tha edhe se marrëveshja për mbështetje në arsim nga Luksmeburgu është ndihmesë e madhe në zhvillimin e arsimit profesional në Kosovë.
“Takimi u mbajt në kuadër të koordinimit ndër-institucional mbi marrëveshjet dypalëshe me Luksemburgun për investimin në arsimin profesional në Kosovë. Kjo marrëveshje do të jetë ndihmesë shumë e madhe për zhvillimin e arsimit profesional, si një prej prioriteteve kryesore të institucioneve të Kosovës, që ka të bëjë me profilizimin e kuadrove të reja, që ta gjejnë veten aty ku kanë talent e shkathtësi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Sipas njoftimit, ministrja Haradinaj- Stublla ka shprehur edhe mirënjohjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut për shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës.