Nagavci: Në Qeverinë Kurti 2 prioritet është arsimi profesional

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe  Inovacionit Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në takimin e Lansimit të projektit “Fondi i Sfidave për Kosovën” (KCF).

Në këtë takim, Qeveria Gjermane përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) ka bërë thirrjen e parë për shprehje të interesit për grante, projekt ky që implementohet nga MAShTI.

Ministrja bëri të qartë se për “Qeverinë Kurti 2”, prioritet është arsimi dhe aftësimi profesional.

Me këtë rast, tha se është i domosdoshëm përmirësimi i shkathtësive të të rinjve e të rejave për të qenë kompetentë për tregun e punës, si dhe theksoi rëndësinë e harmonizimit të nevojave të tregut të punës me shkollat profesionale.

Sipas një njoftimi për media, nga ky fond prej 7 milion eurosh i cili pritet të implementohet deri më 2025,  parashihet financimi i rreth 20 projekteve apo konsorciumeve mes Institucioneve të Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe bizneseve.

Shuma e granteve për çdo projekt varion nga 100,000 – 600,000 euro dhe do kalojë përmes një konkurence të mirëfilltë, pra përmes aplikimeve për grante.

Përfitues do të jenë institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional (IAAP-të) të cilat do të pajisen me infrastrukturë adekuate (pajisje dhe renovime të punëtorive) përfshirë hartimin apo plotësimin e kurrikulave, trajnim të mësimdhënësve, kushte për qasje inovative të zbatuara përmes partneriteteve mes IAAP-ve dhe bizneseve për të funksionuar si shkolla model, të gatshme për të ofruar njohuri dhe shkathtësi të duhura për nxënësit.

Ky projekt, përveç që ofron mundësinë e përfitimit në infrastrukturë, u mundëson Institucioneve të Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe bizneseve fillimin e implementimit të mësimit në vendin e punës si element i sistemit dual.

Nagavci inkurajon institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional dhe bizneset, që përmes partneritetit të aplikojnë për këto fonde, meqë përfitues të drejtpërdrejtë nga ky fond do jenë edhe bizneset të cilat do përmbushin kërkesën për punëtorë të kualifikuar.