qeveria e kosoves

Themelohet Komisioni Ekzekutiv për zhvillimin e sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, është miratuar themelimi i Komisionit Ekzekutiv për zhvillimin e sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional, kundrejt nevojave të tregut të punës në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se ky komision ka rol shumë të rëndësishëm, sepse arsimi profesional ka rol vendimtar në zhvillimin socio-ekonomik të vendit.

“Sot para jush propozoj që të themelohet ky komision që ka rol shumë të rëndësishëm për reformimin dhe harmonizimin e sistemit arsimit dhe aftësimit profesional, i cili luan rol vendimtar në zhvillimin socio-ekonomik të vendit. Gjithashtu është një faktor i rëndësishëm për investime të huaja në vend dhe për një fuqi punëtore të kualifikuar”, tha Kurti.

Pjesë e Komisionit Ekzekutiv për zhvillimin e sistemit të arsimit profesional do të jenë: Albin Kurti, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati, Rozeta Hajdari, Artane Rizvanolli, Majlinda Rizvanolli Bajraktari, Enis Spahiu.

Tutje, Kurti ka thënë se mund të ftohen edhe anëtarë të tjerë sipas nevojës.

“Komisioni mund të formojë task forca të veçanta në lidhje me zhvillimin arsimit profesional dhe përcaktohet me vendim të veçantë të komisionit dhe pas aprovimit obligohet MAShTI që të bëjë procedurat administrative”, shtoi më tej Kurti.

Zhvillimi i arsimit profesional ka qenë premtim i Qeverisë Kurti.

Ndërsa, Zyra Kombëtare e Auditorit në vitin 2020 kishte gjetur disa mangësi i sa i përket analizimit dhe shqyrtimit të relavancës së profileve ekzsituese që ofrohen në Instuticionet e Arsimit dhe Aftësimit Profesional të Kosovës.

Sipas Auditorit, një pjesë e profileve kanë interesim shumë të vogël të nxënësve dhe profilet miratohen si të mirëqena nga Ministria.

Gjetje tjetër e këtij raporti ishte se nxënësit e arsimit profesional e kanë të vështirë të mbajnë praktikë profesional tek bizneset e vendit.

ZKA kishte thënë Ministria investon në burime njerëzore dhe financiare për rishikimin e të gjitha kurrikulave të profileve të AAP-së, përfshirë të profileve të tilla me mungesë të lartë të interesimit të nxënësve, në vend se të shqyrtojë arsyet e mungesës së atraktivitetit dhe kërkesës për këto profile.