Mustafa: Jam frikësuar se LVV-ja do ta keqpërdorte Ministrinë e Brendshme për hakmarrje

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar për zhvillimet e djeshme ku ushtruesi i detyrës i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla paralajmëroi arrestimin e deputetit të AKR-së, Behgjet Pacolli nëse ai ka hyrë ilegalisht në Kosovë.

Mustafa ka kujtuar kohën e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, duke theksuar se në takimin me kreun e LVV-së, Albin Kurti për ndarjen e përgjegjësive, ministrinë e parë e ka zgjedhur Mustafa, atë të Punëve të Brendshme.

Mustafa ka shtuar se këtë zgjedhje e ka bërë si reflektim “të frikës dhe dyshimit” se LVV do ta keqpërdorë këtë ministri “për burgosje të kundërshtarëve, për sajime të dosjeve, për kërcënime, se do tu hakmerret policëve dhe eprorëve të tyre që i mbronin institucionet atëherë kur LVV ushtronte dhunë”.

Kreu i LDK-së mes tjerash ka kundërshtuar deklarimet e Sveçlës, duke shtuar se ai e ka kërcënuar edhe presidentin Thaçi.

“Në emër të kësaj ministrie, ai pa fije përgjegjësie ligjore dhe as turpi, kërcënonte me arrestim një deputet, kryetar të një partie parlamentare dhe biznesmen qe punëson dhe krijon të ardhura për mijëra familje kosovare. Kërcënonte edhe Presidentin e vendit. I thërriste në mejdan”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Sipas tij, këtë nuk do ta bënte “për jetë të jetëve”, Agim Veliu, i cili siç thotë Mustafa, u shkarkua arbitrarisht nga Kurti sikurse asnjë ministër tjetër i LDK-së.

Në fund të publikimit, Mustafa ka thënë se pret që prokuroria ta trajtojë një sjellje të tillë, “nëse jo të arsyetojë bazën ligjore të një kërcënimi të tillë puçist ndaj një deputeti”.

Ushtruesi i detyrës i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka kërkuar deputetit të AKR-së, Behgjet Pacolli, të lajmërojë menjëherë vend-ndodhjen e tij, ose në të kundërtën sapo të shfaqet në publik, Policia e Kosovës do të marrë masa, duke nënkuptuar kështu arrestimin e tij.

“Z.Pacolli i kërkojmë që të shprehet tani, menjëherë, se ku është, përndryshe nëse ai shfaqet në publik, brenda Kosovës, policia do të marrë masa sipas ligjeve në fuqi”, ka deklaruar Sveçla në një konferencë për media.

Sveçla ka folur edhe për vizitën e mbrëmshme të presidentit Thaçi në Shqipëri, duke deklaruar se Thaçi ka shkelur të gjitha rregullat e protokollit, duke mos njoftuar për lëvizjet e tij.

Më poshtë e gjeni të plotë publikimin e Isa Mustafës në Facebook:

Të nderuar qytetarë

Në takimin me z. Kurti për ndarjen e përgjegjësive në koalicionin qeverisës VV-LDK, ministrinë e parë e zgjodha atë të Punëve të Brendshme.

Isha pak në siklet se si ta arsyetoj që për LDK-në, prioriteti i saj si parti që është themeluar dhe drejtuar nga intelektualë dhe akademikë është kjo fushë!

Zgjidhja ishte reflektim i frikës dhe dyshimit se VV do ta keqpërdorë këtë ministri për burgosje të kundërshtarëve, për sajime të dosjeve, për kërcënime, se do tu hakmerret policëve dhe eprorëve të tyre që i mbronin institucionet atëherë kur VV ushtronte dhunë.

E përcolla, rastësisht, mbrëmë zëvendësministrin në detyrë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Në emër të kësaj ministrie, ai pa fije përgjegjësie ligjore dhe as turpi, kërcënonte me arrestim një deputet, kryetar të një partie parlamentare dhe biznesmen qe punëson dhe krijon të ardhura pë mijëra familje kosovare.

Kërcënonte edhe Presidentin e vendit.

I thërriste në mejdan.

Të nderuar qytetarë, këtë nuk do ta bënte për jetë të jetëve, z. Agim Veliu, i cili u shkarkua arbitrarisht nga z. Kurti sikurse asnjë ministër tjetër i LDK-së.

Të kërcënojë një zëvendësministër në detyrë se do të arrestojë deputetin, që ka legjimitet të përfaqësimit të qytetarëve, është argument se ai është vënë mbi ligjin.

Deri më sot, qytetarët i ka arrestuar policia me kërkesë të prokurorit apo në flagrance, por jo me diktate politike të ministrave dhe zëvendësministrave, sepse si të tillë, ata janë të emëruar politik.

Policia drejtohet nga drejtori i policisë, dhe vepron sipas Ligjit për Policinë, nuk drejtohet nga ministri dhe zëvendësministri, qofshin në detyrë apo jashtë detyre.

Unë pres që prokuroria ta trajtojë një sjellje të tillë, nëse jo të arsyetojë bazën ligjore të një kërcënimi të tillë puçist ndaj një deputeti. IM