Një nga mbledhjet e qeverisë së Kosovës

Qeveria Kurti miraton udhëzim për lirimin e pronave të uzurpuara

Qeveria e Kosovës gjatë  javës së kaluar ka miratuar një Udhëzimin Administrativ për përcaktimin e procedurave për shkatërrimin e strukturave të paligjshme.

Me anë të këtij Udhëzimi Administrativ i cili është publikuar në gazetën zyrtare me datë 6 prill 2020, Udhëzim i cili pritet që të hyj në fuqi me datë 13 prill, Qeveria ka paraparë procedurat që duhet të ndiqen nga institucionet me rastin e kërkesave për lirimin apo shkatërrimin e ndërtimeve të paligjshëm në pronën e paluajtshme private, që është ndërtuar pa pëlqim të pronarit.

Me anë të këtij Udhëzimi Administrativ, ligjvënësi ka paraparë se në cilat raste mund të aplikohen masat për shkatërrimin e ndërtimeve të paligjshme apo lirimin e pronave të uzurpuara.

E sipas disa të dhënave të publikuara në raportin e strategjisë kombëtare për të drejtat pronësore në Kosovë, qysh pas përfundimit të luftës, në Agjencinë Kosovare për Prona (AKP), janë paraqitur gjithsejtë 42 mijë e 749 kërkesa për kthim të pronës, ku palët kanë kërkuar kthimin e pronave të tyre të paluajtshme.

Në këtë raport thuhet se shumica e këtyre kërkesave janë paraqitur nga personat e zhvendosur dhe pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë.

Të dhënat tjera nga ky raport tregojnë se momentalisht 29 mijë prona private vazhdojnë të jenë të uzurpuara dhe pronarët nuk kanë qasje në to.

“Përafërsisht 29.000 vendime të AKP-së janë në pritje të ekzekutimit duke përfshirë vendimet e zbatuara përmes lënies së pronave nën administrimin e Agjencisë dhe kërkesat e mbyllura për mos bashkëpunim bazuar në të drejtën e parashtruesve të kërkesave për të kërkuar ri posedim apo rihapje të kërkesave”, thuhet në këtë raport.

Tash e tutje me anë të nenit 4 të këtij Udhëzimi Administrativ janë përcaktuar procedurat që duhet të ndiqen për shkatërrimin e strukturave të paligjshme, me ç ‘rast parashihet se shkatërrimin e këtyre strukturave të paligjshme apo lirimin e pronave të paluajtshme nga ndërtimet e paligjshme të cilat janë përcaktuar si të tilla me vendim të plotfuqishëm të Komisionit për Kërkesa Pronësore apo me aktgjykim të Panelit të Ankesave pranë Gjykatës Supreme, e bënë Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Çdo qytetar i cili konsideron se në pronën e tij të paluajtshme është ndërtuar ndonjë pronë e paligjshme, ai mund të paraqesë kërkesë për shkatërrimin e strukturës së paligjshme në rast se me vendim të plotfuqishëm të Komisionit apo aktgjykim të Gjykatës Supreme i është njohur e drejta pronësore apo e shfrytëzimit mbi pronën.

Pra strukturë e paligjshme konsiderohet çfarëdo lloj ndërtimi i paligjshëm në pronën e paluajtshme private, që është ndërtuar pa pëlqim të pronarit.

Shkatërrimi i këtyre strukturave të paligjshme aplikohet vetëm në rastet kur: paraqitësi i kërkesës ka refuzuar ndërmjetësimin si mjet juridik ose ndërmjetësimi i ofruar nga Agjencia ka rezultuar i pasuksesshëm, kërkesa për shkatërrim të strukturës së paligjshme është paraqitur nga paraqitësi  i kërkesës për shkatërrim, ekziston pajtimi me shkrim i të gjithë bashkëpronarëve, të cilëve u është njohur e drejta me vendim të plotfuqishëm të Komisionit për Kërkesa Pronësor, pas përfundimit të procedurës së trashëgimisë, nëse bartësi i të drejtës pronësore ka vdekur si dhe pasi të jetë bërë ndarja fizike e pronës, në rastet kur poseduesi i strukturës dëshmon se ai/ajo është bashkëpronar i një pjese ideale të pronës objekt i kërkesës së paraqitur pranë Agjencisë.

E në ato raste kur jo të gjithë bashkëpronarët kanë parashtruar kërkesë pranë AKP-së për njohje të së drejtës pronësore,  Udhëzimi parasheh se shkatërrimi do të aplikohet vetëm pas ndarjes fizike dhe atë vetëm në pjesën e pronës që i takon paraqitësit të kërkesës për shkatërrim.

Ndërsa në rastet kur shfrytëzuesi i pronës ka kryer vetëm  meremetime apo investime të vogla në objektin ekzistues atëherë mjeti juridik i shkatërrimit nuk do të aplikohet dhe në të gjitha këto raste, parashtruesit të kërkesës do t’i mundësohet ri posedimi i pronës në gjendjen ekzistuese.

Me nenit 5 të këtij Udhëzimi Administrativ përcaktohet se 30 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij Udhëzimi, bartësi i të drejtës pronësore duhet të informohet mbi të drejtën e tij/saj për paraqitje të kërkesës për shkatërrim të strukturës së paligjshme, pastaj brenda 60 ditëve nga marrja e njoftimit, duhet që të paraqitet kërkesa për shkatërrimin e strukturave të paligjshme.

Pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga paraqitësi i kërkesës dhe përmbushjes së kushteve të parapara, Agjencia menjëherë duhet që të njoftojë Drejtorinë përkatëse të Komunës lidhur me vendimin e plotfuqishëm të Komisionit për Kërkesa Pronësore apo aktgjykimit të Gjykatës Supreme mbi inicimin e procedurës për shkatërrim. Ndërsa menjëherë pas njoftimit të Drejtorisë përkatëse, Udhëzimi parasheh që Drejtori i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, lëshon vërejtjen për lirimin e pronës dhe largimin e gjësendeve të luajtshme nga struktura, e nëse brenda afatit prej tridhjetë ditësh nga dita e pranimit të vërejtjes, pala nuk e bënë lirimin e pronës atëherë Agjencia do ta lëshojë urdhrin për dëbim.

Në rastet kur pala nuk e lëshon pronën brenda afatit të përcaktuar, atëherë Udhëzuesi ka paraparë që pas lëshimit të urdhrit për dëbim nga ana e Agjencisë, atëherë njësiti përkatës i Agjencisë do të bëjë një inspektim të pronës brenda një afati prej shtatë ditësh dhe nëse gjatë inspektimit vërtetohet se pala nuk e ka liruar pronën e as nuk i ka larguar gjësendet atëherë Drejtori i AKKVP-së e lëshon urdhrin për dëbim dhe shkatërrim të strukturës së paligjshme.

Me lëshimin e urdhrit për dëbim dhe shkatërrim të strukturës së paligjshme, njësiti përkatës i Agjencisë duhet që t’i njoftojë të gjitha palët e përfshira në procedurë, se në afatin prej pesëmbëdhjetë ditësh nga dita e pranimit të Urdhrit, Agjencia do të aplikojë mjetin juridik të shkatërrimit të strukturës së paligjshme. Pastaj brenda këtij afati prej pesëmbëdhjetë ditësh nga dita e lëshimit të Urdhrit,  njësiti përkatës i Agjencisë duhet të përpilojë planin operativ për shkatërrim dhe duhet ta njoftojë operatorin ekonomik të kontraktuar nga Agjencia si dhe Policinë e Kosovës.

Menjëherë pas kalimit të këtij afati pesëmbëdhjetë ditor, urdhri për dëbim dhe shkatërrim duhet që të ekzekutohet pa vonesë dhe jo më vonë se tridhjetë ditë nga kalimi i këtij afati.

Para se të bëhet dëbimi dhe shkatërrimi i pronës së paligjshme, Agjencia duhet që ta informojë operatorin ekonomik, Policinë e Kosovës dhe organet tjera relevante për datën e ekzekutimit të urdhrit për dëbim dhe shkatërrim dhe pastaj me mbështetjen e policisë, duhet që të kryhet dëbimi, duke i larguar njerëzit dhe gjësendet e luajtshme nga struktura e paligjshme.

Pezullimi i shkatërrimi të strukturave të paligjshme mund të bëhet vetëm në rastet kur gjatë ekzekutimit, përfaqësuesit e Agjencisë hasin apo dyshojnë në ekzistencën e  mjeteve të  rrezikshme apo në çfarëdo situate tjetër si pasojë e të cilës nuk do të mund të kryhet shkatërrimi, siç është rasti me fatkeqësitë natyrore, apo të çfarëdo situate emergjente që vlerësohet nga autoritetet kompetente të sigurisë apo të institucioneve që merren me ofrimin e shërbimeve publike dhe të situatave të tjera të ngjashme.

Pas përfundimit të shkatërrimit të strukturës së paligjshme, Agjencia do të lëshojë vërtetim të ri-posedimit dhe do ta mbyllë lëndën.

Ky udhëzim administrativ është i bazuar në Ligjin për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, që ka të bëjë me zgjidhjen e kërkesave lidhur me pronën e paluajtshme private.

Ky ligj parasheh se Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, i pranon, krahason dhe përmes Komisionit për Verifikim dhe Vendosje për Prona, i zgjidh dallimet dhe mos pajtueshmëritë dhe bën krahasimin në mes të dokumenteve kadastrale origjinale të marra në Kosovë nga autoritetet serbe para qershorit vitit 1999 dhe të dokumenteve kadastrale aktuale në Republikën e Kosovës, për pronën private, pronën private komerciale dhe pronën  private të bashkësive fetare.

Përpos problemi të uzurpimit të pronave, në Kosovë palët përballen edhe problemin e ri uzurpimit.

Kjo për shkak se në shumë raste vërehet se pas përfundimit të procedurave për lirimin e pronave të uzurpuara dhe shkatërrimin e ndërtimeve të paligjshme, shumë shpesh raportohet se pronat ri uzurpohen përsëri.

Një dukuri e tillë paraqet një problem të madh pasi që është vërejtur se institucionet e drejtësisë siç janë Gjykatat dhe Prokuroritë, po i trajtojnë shumë ngadalë këto raste.

Një raport i vitit 2015, i publikuar nga OSBE-ja që flet për ri uzurpimet e paligjshëm në Kosovë, ka konstatuar se rastet e ri uzurpimeve nuk ishin trajtuar shpejtë dhe në mënyrë efikase nga Gjykatat dhe Prokuroritë tona, ky raport kishte gjetur se as sanksionet penale nuk kishin qene të ashpra në mënyrë që të ndikonin drejtpërdrejtë të kryesit për mos përsëritje të veprimeve.

Në anën tjetër pa mundësia për shfrytëzimin e pronës nga ana e pronarëve të ligjshëm dhe zvarritja në trajtimin e këtyre rasteve, konsiderohet si shkelje e të drejtave të njeriut për shfrytëzim dhe posedim të pronës së tyre.