Takimi i tretë për MSA-në - Foto: Qeveria e Kosovës

Polemikat Haradinaj - Mogherini, reflektim i raporteve të reja Kosovë - BE

Vënia e takës prej 100 përqind për produktet e Serbisë dhe Bosnjës, si dhe mos liberalizimi i vizave për Kosovën gjatë këtij viti, ka ndikuar në ashpërsimin e diskursit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federika Mogherini ditëve të fundit kanë shkëmbyer disa letra, përmes së cilave kanë shprehur haptazi kundërshtimet për veprimet e njëri-tjetrit.

Lidhur me këto zhvillime, analistët politik në vend, për Gazetën Jeta në Kosovë, vlerësojnë se po krijohet një raport i ri i marrëdhënieve Kosovë-BE, përderisa shtojnë se një diskurs i tillë nuk duhet të krijojë perceptimet se Kosova është në kundërshtim me politikat e Bashkimit Evropian, përkundër faktit se ky i fundit thuhet të mos ketë qenë fort korrekt ndaj kosovarëve.

Fillet e mosmarrëveshjeve Kosovë-BE

Gjithçka nisi kur pas takës fillestare doganore prej 10 përqind, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 21 nëntor të këtij viti e ngriti në 100% taksën doganore ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.

Ky vendim erdhi si revoltë ndaj lobimit që shteti serb bëri për t’ia pamundësuar Kosovës anëtarësimin në organizatën më të madhe policore në botë, atë të INTERPOL-it.

Reagime të ashpëra pas këtij vendimi pati nga BE-ja, e cila kërkoi që menjëherë të hiqen tarifat doganore ndaj Serbisë, ndërsa në anën tjetër kryeministri Haradinaj shprehej i vendosur se nuk do të ketë heqje të taksës ndaj mallrave serbe derisa Serbia të mos e pranojë pavarësinë e Kosovës.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës  e kishte detyruar Komisionerin për Zgjerim të BE-së Johannes Hahn, ta vizitonte Prishtinën.

Komisioneri Hahn tha se BE-ja është befasuar dhe zhgënjyer nga vendosja e taksës prej 100 përqind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake nga Qeveria e Kosovës dhe se ky vendim nuk duhet të mbes në fuqi.

Ndërkaq, Haradinaj në takimin me Hahn ia kishte përkujtuar këtij të fundit se Kosova i ka përmbushur kriteret për vizat, ndërsa kishte kërkuar nga BE që qytetarëve të Kosovë t`u mundësohet lëvizja e lirë.

Pas vizitës së Hahn, erdhi sërish reagimi i BE-së.  Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogherini më 12 dhjetor i ishte drejtuar me një letër kryeministrit Haradinaj, ku kishte shprehur keqardhje që edhe pas vizitës së komisionerit Hahn, Kosova nuk po e heq taksën ndaj Serbisë.

Pas tri ditëve, Haradinaj i kishe kthyer përgjigje Mogherinit.

Në letrën e 15 dhjetorit, të cilën Haradinaj e kishte dërguar në Bruksel, ndër tjera përmendej edhe draft platforma që kryeministri e ka prezantuar para zyrës së BE-së në Prishtinë dhe ambasadorëve të akredituar në Kosovë.

Por si kundërpërgjigje kreu i ekzekutivit kosovar kishte marr sërish një ofertë nga BE-ja, përpara se të mbahej takimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në Bruksel.

Në mediat e Kosovës u raportua se përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federika Mogherini, Komisionerja për tregti Cecilia Malmstrom dhe Komisioneri Johannes Hahn në një letër të përbashkët drejtuar Haradinajt i kishin ofruar opsion për zgjidhjen e problemit të tarifave ndaj Serbisë.

Sipas kësaj letre, zyrtarët e BE-së i kishin kërkuar që para takimit të Këshillit të MSA-së, Kosova përkohësisht të suspendojë zbatimin e vendimit për tarifën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Situata mes dy palëve ishte në tension edhe më 17 dhjetor, kur delegacioni i Kosovës mbërriti në Bruksel për të marrë pjesë në Këshillin e MSA-së.

Haradinaj e kishte shfrytëzuar rastin edhe në këtë takim që të shprehte zhgënjim që BE nuk ua ka hequr vizave kosovarëve.

Madje pas takimit, u anulua edhe konferenca për media që ishte planifikuar të mbahej nga delegacioni i Kosovës me atë të BE-së, për shkak të taksës ndaj produkteve serbe.

Por, sa i përket çështjes së vizave, i pari i qeverisë së vendit nuk po sprapset. Kur kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë deri në përfundim të vitit, Haradinaj është zotuar se kosovarët do të mund të lëvizin pa viza.

“Ne tani kemi dy kërkesa për BE-në: normalizimi i dialogut dhe liberalizimi i vizave. Këto dyja janë në proces, kjo nuk ndërlidhet me taksën, kjo është e ndarë. Besoj se do ta marrim liberalizimin jo shumë larg para Viti të Ri, por kjo nuk ndërlidhet me taksën”, tha Haradinaj me 18 dhjetor, pas kthimit nga Brukseli.

Në fillim të muajit dhjetor, para këmbimit të letrave me BE-në, kryeministri Ramush Haradinaj e kishte kritikuar ndërmjetësuesen e dialogut Kosovë- Serbi, Mogherinin për ndryshimin e karakterit të këtij procesi, madje tha se zyrtarja e BE-së e ka mbytur dialogun.

Haradinaj ndër të tjerash theksoi se Mogherini e ka kthyer dialogun në biseda për territore, pasi kjo e fundit ishte deklaruar se e përkrahë secilën marrëveshje mes dy vendeve, edhe nëse në tavolinë do të shtrohej si ide “korrigjimi i kufirit”.

Situata aktuale e raporteve mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian

Lidhur me diskursin mes kryeministrit Ramush Haradinajt dhe Bashkimit Evropian,  njohësi i zhvillimeve politike në vend Agron Halitaj thotë për Gazetën Jeta në Kosovës, se pas zvarritjes së procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, kryeministri, i ka pasur para vetës dy rrugë.

“Ose të pranojë dështimin e të largohet nga posti i kryeministrit, ose të ndryshojë diskursin në raport me BE-në. Siç u pa, ai zgjodhi rrugën e dytë, duke krijuar një efekt të dyfishtë: në njërën po fiton ‘amnisti’ për keqqeverisjen, në anën tjetër, po ndërton një raport të ri marrëdhëniesh Kosovë- BE”, tha ai.

Sipas Halitajt, për herë të parë, Kosova po kalon në një stad të ri: nga të qenit ‘nxënës i dëgjueshëm’, në faktor proaktiv në bisedime.

“Qasja e BE-së në raport me Kosovën nuk ka qenë korrekte. Kosova gjatë gjithë procesit të bisedimeve ka bërë kompromise, pa kurrfarë kundërvlere nga BE-ja. Kjo qasje do duhej të ndërpritej prej kohësh, pasi ka qenë e pritshme që BE nuk është në gjendje të zgjidh probleme të mëdha rajonale si e vetme”, thekson Halitaj.

Analisti vlerëson se në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi ka qenë e domosdoshme përfshirja e drejtpërdrejt e SHBA-ve dhe sipas tij, kjo gjë edhe po ndodhë momentalisht.

Në anën tjetër, analisti politik Artan Murati (KDI), tha për Gazetën JnK se polemikat mes Mogherinit dhe Haradinajt pak a shumë reflektojnë edhe situatën aktuale të raporteve mes Kosovës dhe BE-së, e që sipas tij janë reagime emocionale dhe pa plan konkret.

“Vendimi për taksën është vendim shtetëror i Republikës së Kosovës, dhe si i tillë do të duhej të respektohej. Në parim, taksa nuk ka asnjë ndërlidhje direkte me dialogun, por Serbia tanimë është duke e përdorur këtë fakt si presion ndaj BE-së, në mënyrë që BE t’i bëj presion Kosovës për heqjen e taksës”, vlerëson Murati.

Sipas tij, raportet Haradinaj-Mogherini assesi nuk duhet të eskalojnë dhe të krijohet përshtypje që Kosova është në kundërshtim me politikat e BE-së.

“Kosova duhet të mbetet e përkushtuar në rrugëtimin evropian dhe ta sheh BE-në si qëllim, mirëpo çdoherë duke respektuar edhe konturat e shtetësisë së Republikës më të re në Evropë. Situata duhet të normalizohet, dhe duhet të shikohet drejt rritjes së partneritetit dhe bashkëpunimit”, thekson Murati.