Perspektiva e luftës në Ukrainë ngre pyetje në lidhje me furnizimin me gaz natyror të Evropës

Një nga shumë pyetjet shqetësuese që derivojnë nga mundësia e një pushtimi rus të Ukrainës është se çfarë do të bënte një konflikt i armatosur në Evropën Lindore për furnizimin me energji të vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat janë bërë gjithnjë e më të varura nga gazi natyror rus për prodhimin e energjisë elektrike, aplikime industriale dhe përdorim komercial dhe rezidencial.

Sipas Administratës së Informacionit të Energjisë të SHBA-së, vendet e Bashkimit Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar importuan më shumë se 80% të gazit natyror që konsumuan në vitin 2020, nga 65% një dekadë më parë.

Nga gazi që e importon, BE-ja e merr pjesën më të madhe të tij, rreth 74%, nëpërmjet tubacioneve. Pjesa e mbetur arrin në formë të lëngshme, zakonisht në anije mallrash të specializuara. Rusia është furnizuesi më i madh i karburantit në vendet e BE-së, me rreth 35% të importeve totale, të gjitha ato vijnë nëpërmjet tubacioneve të shumta, shumë prej të cilëve kalojnë përmes Ukrainës në rrugën e tyre për në vendet e Evropës Qendrore.

Për të qenë më të sigurtë, një ndërprerje e madhe në transmetimin e gazit natyror në Evropë do të ndikonte gjithashtu negativisht në vetë Rusinë, e cila mbështetet në shitjet e energjisë për pjesën më të madhe të të ardhurave të saj, tha për Zërin e Amerikës Charlie Riedl, drejtor ekzekutiv në Qendrën për Gazin Natyror të Lëngshëm. Ai tha se një rezultat që e lë Rusinë pa atë rrjedhë të të ardhurave ka të ngjarë të mos jetë një situatë e qëndrueshme për presidentin rus Vladimir Putin për një afat të gjatë.

“Kjo ka pasoja afatgjata për biznesin e gazit të Rusisë – diçka për të cilën Putini është, jam i sigurt, shumë i vetëdijshëm”, tha ai. “Humbja e pjesës së tregut në Evropë është problematike, duke pasur parasysh se pjesa dërrmuese e gazit të prodhuar nga Rusia përfundon në Evropë. Pra, ka sfida që janë të ndërlidhura me këtë, nëse po e mendoni këtë nga këndvështrimi rus, përveç sanksioneve me të cilat ata do të përballen në një shkallë më të gjerë”.

Shkallë të ndryshme të përçarjes

Nëse Rusia dërgon trupa në Ukrainë, ndërprerjet e shkaktuara nga luftimet mund të shkaktojnë disa mungesa, veçanërisht në Sllovaki, Austri dhe Itali, të cilat furnizohen me pjesën më të madhe të gazit të tyre natyror përmes tubacioneve përmes territorit ukrainas.

Megjithatë, Evropa ka të ngjarë të përballet me përçarje të tjera, jo të shkaktuara drejtpërdrejt nga luftimet.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në NATO kanë premtuar se do të zbatojnë një sërë sanksionesh ndërkombëtare ndëshkuese ndaj Rusisë nëse ajo dërgon trupa në Ukrainë. Nëse këto sanksione përfshijnë një refuzim për ta blerë gazin e Rusisë, ose nëse Moska zgjedh ta mbyllë rrjedhën në shenjë hakmarrjeje, mungesa e gazit që rrjedh në Evropë do të përkeqësohej më tej.

Kjo mund të rezultojë në një krizë energjetike që do ta linte BE-në në kërkim të burimeve alternative të gazit natyror, shumica e të cilave nuk janë afër. Norvegjia pompon një sasi të konsiderueshme gazi në Evropën veriore përmes tubacioneve ekzistuese, por sipas zyrtarëve në atë vend, sistemi po funksionon me kapacitet të plotë. Flukset nga Britania e Madhe dhe Danimarka gjithashtu nuk kanë gjasa ta mbushin boshllëkun.

Tubacione të tjera që i shërbejnë Evropës përfshijnë Gazsjellësin Trans-Atolian të Gazit Natyror, i cili e transporton gazin nga Azerbajxhani përmes Turqisë dhe një rrjet tubacionesh në Afrikën e Veriut që lidhen me Spanjën dhe Siçilinë.

Një gazsjellës i ri i madh i njohur si Nord Stream 2, i cili do ta transportonte gazin rus direkt në Gjermani duke kaluar nën Detin Baltik, është në pritje të miratimeve përpara se të bëhet efektiv. Presidenti i SHBA Joe Biden ka paralajmëruar se SHBA do të ndërmarrë çfarëdo hapi që mundet për ta bllokuar hapjen e tubacionit të ri në rast se Rusia e pushton Ukrainën.

Disa opsione të mira

“Fatkeqësisht, Evropa e ka gjetur veten në një pozicion ku nuk ka shumë opsione të mira”, i tha Zërit të Amerikës Dustin Meyer, zëvendëspresident i tregjeve të gazit natyror për Institutin Amerikan të Naftës.

Alternativa e vetme reale ndaj tubacioneve ekzistuese është rritja e sasisë së gazit që Evropa e importon në formë të lëngshme. BE-ja ka një numër të madh terminalesh të importit të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në brigjet përgjatë Detit Mesdhe, Atlantikut të Veriut dhe deteve të Veriut dhe Baltikut.

Megjithatë, tha Meyer, “shumë nga këto terminale po përdoren plotësisht për herë të parë pas një kohe. Kjo ndihmon për ta përmirësuar pak situatën e keqe. Por ata po funksionojnë me kapacitet pothuajse të plotë dhe kërcënimet kryesore – ose një ndërprerje e tubacionit përmes Ukrainës ose një ndërprerje totale e tubacionit – nuk kanë ndodhur ende. Pra, ndërkohë që kapaciteti i importit është i rëndësishëm, nuk mendoj se askush me të vërtetë pret që me infrastrukturën e tyre ekzistuese, Evropa thjesht mund të largohet plotësisht nga Rusia tani, dhe në vend të kësaj të mbështetet tërësisht, të themi, në importet e LNG-së.

Çështje vitesh

Ekspertët thonë se perspektiva e humbjes së qasjes në gazin rus ka të ngjarë ti nxisë  qeveritë anembanë Evropës që të krijojnë më shumë kapacitete për të importuar LNG nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, por ata paralajmëruan se krijimi i këtij kapaciteti të ri, si nga ana e kërkesës ashtu edhe nga ana e ofertës, do të të marrë kohë.

Edhe me shumicën e anijeve të transportit të LNG në botë që aktualisht dërgojnë ngarkesën e tyre në Evropë, Riedl i Qendrës për Gazin Natyror të Lëngshëm i tha Zërit të Amerikës, “nuk ka mjaftueshëm LNG në ujë, pavarësisht nëse vjen nga Shtetet e Bashkuara ose kudo tjetër përreth botës, për ta lehtësuar [mungesën] nëse Rusia do ti ndërpriste të gjitha furnizimet.”

Dhe ky nuk është një problem që mund të zgjidhet shpejt. Edhe nëse kapaciteti i eksportit në SHBA dhe në vendet e tjera eksportuese të LNG rritet, tha Riedl, aftësia e Evropës për ti trajtuar importet në rritje do të marrë kohë për t’u zhvilluar.

“Nëse do të fillonin sot, do të duheshin shumë vite – një lloj afati kohor prej pesë deri në shtatë vjet – dhe ky do të ishte skenari më i mirë”, tha ai. /VoA