ILUSTRIM

Partitë Politike Borxhe të Pashlyera të Vitit 2010 ndaj PZAP-it

ZKA ka gjetur se PZAP për vitin 2016 kishte llogari të arkëtueshme të shpalosura në Pasqyrat Financiare Vjetore (PFV) në vlerë prej 39,399 eurove, prej të cilave 10,900€ ishin për vitin 2016. Të arkëtueshmet e PZAP-së ishin si pasojë e mospagesave me kohë të gjobave nga partitë politike, madje disa nga partitë nuk i kanë shlyer ende borxhet që prej vitit 2010.

Këto borxhe të partive ndaj PZAP-së tashmë janë në procedurë te përmbaruesi.

“Lëndët e paraqitura si llogari e arkëtueshme ishin proceduar për pagesë tek përmbaruesi”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare e Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin 2016 të Panelit Zgjedhor të Ankesave dhe Parashtresave (PZAP).

Të hyrat e arkëtuara nga PZAP kryesisht janë nga gjobat e shqiptuara për partitë politike. Të hyrat e realizuara nga PZAP në vitin 2016 ishin në vlerë 1,624 euro.

Auditori gjithashtu ka gjetur se kryesuesja e PZAP ka kompensuar të punësuar për punën shtesë jashtë orarit, në kundërshtim me Ligjin për Shërbyes Civilë.

Auditori e ka cituar Ligjin e Shërbyesve Civilë, nenin 38, sipas të cilit nuk lejohet kompensimi për më shumë se dyzet (40) orë në muaj për punë shtesë për punonjësit që punojnë jashtë orarit.

“Me  vendim nga  kryesuesja e PZAP-së, të punësuarit janë kompensuar për angazhimet shtesë gjatë dhe pas orarit  të punës. Vlera e pagesës përfshirë muajt e angazhimit (nëntor dhe dhjetor) ishte 5,600 euro. Vendimi është marrë për procesin zgjedhor të jashtëzakonshëm për zgjedhjen e kryetarit në Komunën e Drenasit. Kompensimi është llogaritur për 604 orë pune për tërë stafin e PZAP përfshirë edhe kryesinë e panelit, duke llogaritur me normën 100 % të pagës bazë”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori ka gjetur se mjetet financiare për kompensimin e shtesave ishin siguruar nga mjetet e lira nga një pozitë boshe që nuk ishte plotësuar për vitin 2016.

“Tejkalimi i kompensimit për punë shtesë mbi normat e përcaktuara për punë jashtë orarit si dhe jashtë limiteve të   përcaktuara paraqet mungesën e kontrolleve efektive, anashkalon rregullat e shërbimit civil, si dhe rrezikon cilësinë dhe rezultatet e shërbimeve të kryera”, ceket si rrezik nga Auditori për këtë vendim për kompensim të orëve shtesë.

Auditori ka gjetur se PZAP ka ngecur sa i përket zhvlerësimit të pasurisë.

“Auditimi ynë ka identifikuar që sistemi qeveritar e-pasuria nuk ishte funksional sa i përket zhvlerësimit të pasurive nën 1,000€ të regjistruara në këtë sistem”, thuhet në raportin e Auditorit.

“Si pasojë, vlera neto e pasurive në këtë sistem paraqitet e njëjtë me vlerën e blerjes. Katër (4) llaptopë të regjistruar në vitin 2012, të cilët ishte dashur të paraqiten me vlerë neto zero për shkak të zhvlerësimit të akumuluar, kanë figuruar me vlerën fillestare 675€”, vazhdon tutje raporti.

Sipas Auditorit, moszhvlerësimi i pasurisë sipas normave të zhvlerësimit të parapara me rregullore e shton rrezikun që pasuria e deklaruar në PFV të jetë e mbivlerësuar.