Pagesat Paushall të Profesorëve nga MASHT-i

Zyra Kombëtare e Auditimit thotë se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) nuk i ka zbatuar rregulloret për të ardhurat personale të stafit akademik për universitetet e komunave të Kosovë.

Kjo për faktin se MASHT ka dhënë avancë për stafin akademik pa mbajtur ligjërata dhe pa e përmbushur normën e plotë të orëve.

“Në katër raste në Universiteti i Prizrenit dhe në një rast në Universitetin “Haxhi Zeka” nuk ishte mbajtur norma e plotë e orëve mbi normë, derisa kompensimi ndaj profesorëve ishte bërë i plotë. Rregullorja parasheh që kompensimi të mos bëhet në rast të mos plotësimit të normës”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2016 për Ministrinë e Arsimit.

Po ashtu, auditori ka gjetur se tre profesorë në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” janë paguar në avancë. Auditori ka nxjerrë në pah që këta tre profesorë janë paguar në dhjetor për orët mbi normë që i kanë mbajtur në po të njëjtin muaj.

“Sipas rregullores për pagat, kompensimi duhet të bëhet në muajin pasues në bazë të dëshmive për mbajtjen e atyre orëve”, thuhet në raport.

Auditori ka gjetur nëntë raste në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti” dhe katër raste në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”,  ku listat e vijueshmërisë së studentëve në ligjëratë nuk vërtetohen nga personi i autorizuar i fakultetit.

“Mosvërtetimi i listave nga zyrtarët e autorizuar lë hapësirë për dyshim në mbajtjen e orëve nga mësimdhënësit. Duhet të theksohet që UPZ, pas rekomandimit tonë, në tremujorin e fundit të vitit 2016, është angazhuar në përmirësimin e kësaj mangësie”, thuhet në raport.

Po ashtu Raporti i Auditorit ka gjetur se në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka dhe në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti” profesorët nuk shënojnë fare orën e mbajtjes së ligjëratave.

“Nga 52 mostrat e testuara, në dy  raste në Universitetin ‘Haxhi Zeka’ dhe në gjashtë raste në UPZ kemi vërejtur se profesorët nuk shënojnë fare orën e mbajtjes së ligjëratës, e disa të tjerë shënojnë vetëm fillimin e orës së mbajtjes së ligjëratës, përderisa zyrtarët përgjegjës për kalkulimin e orëve të mbajtura e bëjnë kalkulimin pa ato dëshmi”, thuhet në të gjeturat e Raportit të Auditorit.

Po ashtu pas auditimit në këto dy universitetet UHZ dhe UPZ, në dy raste profesorët nuk e kanë plotësuar fondin e orëve të parapara për mësimdhënie, e në të njëjtën kohë janë kompensuar me pagë të plotë.

“Në një rast profesori kishte mbajtur vetëm katër orë mësim më pak dhe rasti tjetër profesori gjashtë orë më pak mësim, derisa kanë marrë pagën e plotë. Sipas rregullores mosmbajtja e orëve penalizohet me heqje të pjesshme të pagës”, thuhet në raportin e auditorit.

Në raportin e auditorit thuhet se universitetet publike, të cilat funksionojnë në kuadër të MAShT-it në përjashtim të Universitetit të Gjakovës nuk kanë strategji të zhvillimit dhe plan vjetor të punës dhe regjistër të rreziqeve për vitin 2016.

Raporti i auditorit ka vlerësuar se rreziku- kompensimi i profesorëve për provime, shkakton kosto të panevojshme për universitetet dhe mund të sjellë vështirësi financiare.

“Kjo mund të dëshmohet edhe me gjendjen e vazhdueshme të obligimeve dhe kërkesave për mjete shtesë tek pagat”, thuhet në raport.

Po ashtu Raporti i Auditorit ka vënë në pah se MASHT-i nga 26 rekomandime të vitit të kaluar, 7 prej tyre i ka zbatuar, 15 janë në proces të zbatimit, ndërsa 4 të tjera nuk janë zbatuar ende.

Vërejtje tjetër për MASHT-in është edhe plotësimi i  17 pozitave menaxhuese me ushtrues detyre në kohëzgjatje prej 1 viti.

“Kjo situatë ka rrjedhë si pasojë e mospërfundimit të proceseve gjyqësore dhe mospërfilljes së afatit për UD. Si rezultat, funksionimi i strukturave qeverisëse nuk ka siguruar gjithmonë llogaridhënie efektive”, thuhet në Raportin e Auditorit.

MASHT-i është vlerësuar se ka mungesë të raporteve brendshme të auditimit për shkak të mungesës së stafit për t’i kryer këto auditime.

“Në bazë të kësaj i bie që janë bërë tetë (8) raporte të auditivit. por kanë mbetur pa u mbuluar nga auditimi i brendshëm, fusha të rëndësishme si: prokurimi dhe qendra e studentëve”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm.