Universiteti i Pejës "Haxhi Zeka"

Shpenzimet e Universitetit të Pejës, mbi 20 mijë euro për udhëtime jashtë Kosovës

Stafi i Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”, gjatë vitit 2020 ka shpenzuar mbi 20 mijë euro në udhëtime zyrtare jashtë vendit.

Në këto shpenzime janë të përfshira, biletat e udhëtimit, akomodimet si dhe mëditjet.

Sipas të dhënave të siguruara nga KALLXO.com, këto udhëtime u bën nga zyrtarë të universitetit, sekretari, prorektorët, rektori, Fadil Millaku, dhe të tjerë.

Gjatë periudhës 12 mujore janar-dhjetor të vitit që e lamë pas, stafi i UHZ-së kanë udhëtuar në këto shtete: Shqipëri, Mal i Zi, Bosnje, Itali, Bullgari, Greqi, Gjermani dhe Poloni.

Universiteti i Pejës këto shpenzime në udhëtime i ka arsyetuar me pjesëmarrje në konferenca shkencore, vizita studimore dhe projekte të ndryshme e të tjera.

Shuma totale e shpenzuar në këto shtete është 20,927.11 euro, që i bie se ka shpenzuar 0.54% të buxhetit të saj, i cili për vitin 2020 ka qenë 3 milionë e 865 mijë e 132 euro.

Shpenzimet në vendet fqinje

Stafi i Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka” gjatë vitit që e lamë pas kanë vizituar vendet fqinje si Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Qytetet e vizituara janë Korca, Gjirokastra, Budva dhe Podgorica.

Sa i përket shumës në akomodime të këtyre qyteteve, stafi i UHZ-së ka shpenzuar 3,372.75 euro.

Ndërsa, në mëditje janë shpenzuar 156 euro, por pak më shumë shpenzime ka pasur në shpenzime të klasifikuara si të tjera nga ana e UHZ-së.

Në këto shpenzime ata kanë harxhuar 900 euro nga buxheti i universitetit si dhe disa shpenzime të tjera.

Shpenzimet jashtë vendit

Gjatë vitit që e lamë pas, stafi i UHZ-së ka vizituar edhe vende jashtë Kosovës për arsye të ndryshme.

Sipas të dhënave të siguruara nga KALLXO.com, stafi i këtij universiteti ka udhëtuar në qytetet si  Sarajevë, Venecia dhe disa shtete të tjera.

Në akomodime jashtë vendit janë shpenzuar 590 euro, ndërsa në shpenzime të tjera, duke përfshirë, biletat dhe ushqimet janë 10,269.83 euro.

Në udhëtime jashtë vendit stafi i Universitetit të Pejës po ashtu ka pasur edhe rimbursime që prekin shumën prej 3,934 euro dhe janë bërë për shtetet si Italia dhe Gjermania.

KALLXO.com po ashtu ka raportuar për shpenzimet e udhëtimeve jashtë vendit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” si dhe atij të Gjilanit “Kadri Zeka” dhe do të raportojë edhe për shpenzimet e universiteteve të tjera publike, ditëve në vijim.