William Walker nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti “Haxhi Zeka”

Ish-shefit të misionit të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, William Walker i është ndarë sot titulli “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti “Haxhi Zeka”në Pejë.

Në ceremoninë e ndarjes së këtij titulli ishte i pranishëm edhe kryeministri Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ministra të kabinetit qeveritare si dhe kryetarë të komunave.

Kryeministri Kurti ka përmendur kohën kur Walker kishte ardhur në Kosovë që të verifikonte nëse forcat serbe po vepronin në përputhje me marrëveshjen e tetorit të Kombeve të Bashkuara, për të tërhequr forcat e armatosura.

“Më 1998, ambasadori William Walker erdhi në Kosovë në krye të Misionit Verifikues të OSBE-së, që kishte për mision të verifikonte nëse forcat serbe po vepronin në përputhje me marrëveshjen e tetorit të Kombeve të Bashkuara, për të tërhequr forcat e armatosura dhe për të respektuar armëpushimin. Për qytetarët e Kosovës atë kohë aq shumë i mirëseardhur, ky mision ishte lehtësisht i identifikueshëm nga veturat me ngjyrë portokalli me të cilat lëviznin të 700 anëtarët e këtij misioni verifikues”- ka thënë Kurti.

Kurti ka kujtuar deklaratën e Walker para gazetarëve, i cili ka përshkruar atë se çfarë kishte parë në Reçak.

“Nuk kam fjalë për ta përshkruar mllefin tim personal … para një pamje që mund të përshkruhet si krim i pashpjegueshëm. Edhe pse nuk jam avokat, nga ajo që unë pashë personalisht, nuk hezitoj ta përshkruaj krimin si masakër, krim kundër njerëzimit. Gjithashtu nuk hezitoj t’i akuzoj forcat qeveritare të sigurimit për përgjegjësinë”- ka cituar Kurti.

Kreu i ekzekutivit ka falënderuar Walker për kontirubutin e tij ndaj Kosovës.

“Andaj nga këtu e përballë jush, më lejoni të ju drejtohem personalisht: faleminderit zotëri William Walker! Ne shqiptarët nuk do t’ua harrojmë asnjëherë atë çfarë keni bërë për Kosovën dhe historia e popullit tonë tashmë e ka rezervuar një vend të veçantë të Kosovës për emrin tuaj dhe për rolin e kontributin e punës tuaj”- deklaroi Kurti.

Në fjalimin e tij, i pari i Qeverisë ka uruar Walker për titullin :Doctor Honoris Causa”.

“Duke ju uruar për titullin “Doctor Honoris Causa” të cilin po e merrni sot nga Universiteti “Haxhi Zeka” këtu në Pejë, më lejoni që bashkë me urimet për jetë të gjatë dhe shëndet të mirë, edhe një herë të ju falënderoj e t’u jem mirënjohës për rolin tuaj korrekt, konkret dhe aq human të treguar në raport me krimet e luftës që Serbia ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës”- është shprehur kryeministri Kurti.

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë, kabineti qeveritar ka miratuar një propozim-vendim për ndarjen prej 70 mijë euro për librin “Reçaku”, i shkruar nga ish ambasadori William Walker.