KPMM-ja në hall me operimet ilegale

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka pasur një varg sfidash në menaxhimin e punës, duke filluar nga planifikimi dhe realizimi jo i mirë i buxhetit, menaxhimi joefikas i operimeve ilegale, dobësi në prokurim, zbatim jo të kënaqshëm të rekomandimeve dhe të tjera shkelje.

Këto konstatime për komisionin në fjalë janë dhënë nga ana e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), për katër vite me radhë; 2014, 2015, 2016 dhe 2017.

Menaxhimi joefikas i operimeve ilegale ka qenë ndër problemet më të theksuara për Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale për 4 vjet me radhë.

Për këtë periudhë kohore, Komisioni ka identifikuar gjithsej 256 raste të operimeve ilegale në sektorin minierar dhe atë të mineraleve.

Në vitin 2014, gjetjet e ZKA-së tregojnë se inspektorët e KPMM-së gjatë vitit kishin identifikuar gjithsej 74 raste të operimeve ilegale.

“Zyra ligjore kishte shqiptuar gjobën administrative për operuesit ilegal në vlerë prej 592,667€. Më tutje, zyra e prokurimit ne muajin nëntor 2014 kishte kontraktuar kompaninë që do të jetë përgjegjëse për transportimin e pasurisë së sekuestruar. Edhe pas kontraktimit të kompanisë sektori i inspektoratit nuk kishte ndërmarre masa për sekuestrimin e mjeteve të punës dhe mineraleve të nxjerra nga operuesit ilegal”, thuhet në raporton e Auditorit.

Sipas Auditorit, mos parandalimi i aktiviteteve apo operimeve ilegale, mund të ketë për pasojë përdorimin jo të drejtë të vendburimeve/pasurive minerale dhe shkatërrimin e tyre si dhe dështimin për grumbullimin e të hyrave si dhe mbrojtjen e interesave të popullatës vendase.

“Kryesuesi i Bordit duhet të siguroj koordinim sa më të mirë ndërmjet sektorit të inspektoratit, zyrës ligjor, Policisë se Kosovës dhe Agjencisë për administrim dhe sekuestrim të pronës për të pamundësuar ushtrimin e aktiviteteve ilegale”, thuhet në raportin e Auditorit.

Operimet ilegale

Mosparandalimi i aktiviteteve ose operimeve ilegale ishte evident edhe më 2015.

Inspektorët e KPMM-së gjatë vitit kishin identifikuar gjithsej 62 raste të operimeve ilegale. Komisioni kishte shqiptuar gjobën administrative për operuesit ilegalë në vlerë prej 408,116 euro, dhe kishte lëshuar urdhëresë për ndërprerjen e aktivitetit ilegal minerar dhe sekuestrimin e mjeteve të punës dhe mineraleve. Më tutje, kishte bërë kallëzim penal në prokurorinë themelore përkatëse si dhe inspektorati kishte bërë identifikimin e mjeteve të punës dhe mineraleve të nxjerra.

Mirëpo, ZKA ka vlerësuar se nuk ishin marrë veprime të mjaftueshme për sekuestrimin e mjeteve të punës dhe mineraleve të nxjerra nga operuesit ilegalë në përputhje me nenin 70 të Ligjit për miniera dhe minerale, si dhe Ligjit për administrimin e pasurisë së sekuestruar ose konfiskuar.

Kryesuesi i Bordit duhet të siguroj koordinim sa më të mirë ndërmjet sektorit të inspektoratit, si dhe mekanizmave të tjera përkatëse në mënyrë që të ndikoj në parandalimin e aktiviteteve/operimeve ilegale duke siguruar grumbullim të të hyrave dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve (popullatës vendase)”, thuhet në rekomandimin e dhënë për KPMM në raportin e auditimit për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2015.

Edhe në vitin 2016, inspektorët e Komisionit të Pavarur të Minierave dhe Mineraleve, gjatë vitit 2016 kishin identifikuar 40 raste të operimeve ilegale. Sipas raportit të ZKA-së, gjatë këtij viti, KPMM kishte shqiptuar gjoba për operuesit ilegalë në vlerë prej 385,603 euro, duke bërë edhe kallëzim penal për ta në prokurorinë themelore përkatëse. Megjithatë vlera e gjobave të inkasuara ishte minimale, prej 24,886 euro.

Auditori vlerësoi se mekanizmat aktualë për parandalimin e operimeve ilegale dhe inkasimin e gjobave nuk po japin rezultatet e pritura.

“Kryesuesi i Bordit duhet të siguroj koordinim efikas ndërmjet mekanizmave shtetërore për të parandaluar plotësisht operimet ilegale. Po ashtu, duhet të shqyrtohet mundësia që inkasimi i gjobave të bëhet përmes përmbaruesve privat si një mekanizëm më efikase në mbledhjen e gjobave, sepse kjo do të ketë ndikim direkt në parandalimin e operimeve ilegale”, thuhet në rekomandimin e dhënë në vitin 2016.

Ndërkaq, në vitin gjatë vitit 2017 KPMM kishte identifikuar 80 raste të operimeve ilegale, ku si rrjedhojë e kësaj ka shqiptuar 76 kallëzime penale në prokuroritë themelore përkatëse.

Për rastet e identifikuara KPMM kishte shqiptuar gjoba në vlerë 605,200 euro dhe kishte parashtruar 115 raste /propozim për përmbarim në vlerë prej 743,684 euro ndaj operueseve ilegalë.

Por ZKA ka gjetur se përkundër që Inspektorati i Komisionit në fjalë kishte ndërmarrë bashkëveprime me institucionet përkatëse për ndaljen e operimeve ilegale dhe shqiptimin e gjobave, efekti ishte i ulët.

“Kryesuesi i Bordit duhet të siguroj ndërmarrjen e veprime të menjëhershme koordinuese dhe efikase nëpërmjet organeve shtetërore3, në mënyrë që të ndikojnë në ndalimin e aktiviteteve ilegale. Po ashtu duhet ta analizoj efektivitetin e mekanizmave në dispozicion për mbledhjen e gjobave, si dhe të propozoj masa dhe procedura plotësuese që kanë ndikim direkt në ndalimin e operimeve ilegale, inkasimin e borxheve dhe mbrojtjen e pasurisë së vendit”, thuhet në raportin e Auditorit.

Dobësitë e KPMM-së në prokurim

Dobësi të vazhdueshme janë gjetur edhe në faza të ndryshme të prokurimit gjatë viteve. Komisionin për Miniera dhe Minerale ka pasur furnizim të paplanifikuar, të cilat ishin në kundërshtim me ligjin. Zyra e prokurimit me datën 31.10.2014 kishte shpallur njoftimin për kontratë dhe kishte arritur marrëveshje me operatorin ekonomik për projektin “Furnizim me një automjet terreni” në vlerë prej 21,890 euro.

Sipas Auditorit, ky aktivitet nuk ishte i përfshirë në tabelat e buxhetit për projekte kapitale për vitin 2014 dhe as në planin përfundimtar të prokurimit. Më tutje, nuk kishte dërguar në AQP kopjen e deklaratës së nevojave dhe disponueshmerisë se mjeteve.

Gjatë testimit është vërejtur se KPMM ka shpërblyer me kontratë operatorin ekonomik në vlerë prej 32,074 euro i cili nuk i kishte plotësuar këto kritere të përcaktuara në DT.

Mos ndjekja e procedurave të duhura të prokurimit dhe përzgjedhja e OE pa plotësimin e kritereve, sipas Auditorit, rrit rrezikun e anashkalimit të procedurave ligjore dhe po ashtu rrit edhe rrezikun pёr menaxhim jo tё mirё tё parasё publike

Dobësi pati edhe në procedimin e pagesave për furnizim me karburant. Ndërkaq, gjatë 2015-ës në KPMM kishte edhe vonesë në liferim për të cilat KPMM-ja nuk kishte aplikuar penalti siç parashihej në kontratë.

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, gjatë vitit 2015 është ballafaquar me planifikim jo të mirë të buxhetit për projekte kapitale, megjithëse në tri vitet vijuese, Auditori ka vlerësuar se gjendja është përmirësuar.

Analiza tregon se KPMM-ja ka pasur telashe të theksuara me zbatimin e rekomandimeve të cilat i janë dhënë nga ana e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Për katër vjet, ZKA i ka dhënë 33 rekomandime KPMM-së.

Në vitin 2014, ZKA ka gjetur se vetëm një pjesë e rekomandimeve të vitit të kaluar janë zbatuar plotësisht, sepse KPMM nuk ka zbatuar ndonjë plan formal për të menaxhuar dhe monitoruar zbatimin e rekomandimeve të AP-it.

“Dobësitë e vazhdueshme të kontrolleve të menaxhmentit dhe kontrolleve tjera në sistemet financiare kyçe, menaxhimi i licencave, procesi i rekrutimit, procesi i prokurimit dhe menaxhimi i llogarive të arkëtueshme kanë rezultuar në zvogëlim të efikasitetit në operacionet e institucionit, vlerë të ulët për para dhe humbje potenciale financiare për KPMM-në”, thuhet në raport të Auditorit.

Kësisoj, ky mekanizëm gjatë atij viti i ka dhënë 10 rekomandime Komisionit.

Edhe në vitin 2015 u përcoll e njëjta gjendje. Përkundër progresit në implementimin e rekomandimeve të AP-së, në raport thuhet se KPMM ende nuk ka arritur të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për adresimin e plotë të tyre. Si pasojë mangësitë e njëjta janë përsëritur në menaxhimin e të hyrave dhe inkasimin e të arkëtueshmeve. Prandaj, ZKA ka dhënë edhe 10 rekomandime shtesë.

Kurse, gjatë 2016-ës, KPMM ka bërë progres të theksuar në adresimin e rekomandimeve në disa fusha, mirëpo rekomandimet e dhëna në fushat kryesore nuk janë zbatuar.

“Rekomandimet e pa zbatuara ndërlidhen me fushat, si: mosraportimet e bartësve të licencave, vazhdimi i operimeve ilegale dhe rritja e të arkëtueshmeve nga viti në vit. Menaxhmenti së bashku me zyrtarët përgjegjës janë duke bërë përpjekje serioze për të adresuar rekomandimet e mbetura”, thekson Auditori duke i bashkëngjitur në raport 7 rekomandime për vitin vijues.

6 rekomandime i përmbante raporti i Auditorit për Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale në vitin 2017.

Raporti thotë se KPMM ka zbatuar një proces formal të menaxhimit dhe monitorimit të zbatimit të rekomandimeve të vitit të kaluar të AP-së, nuk është arritur që plani i veprimit të përmbushet në tërësi dhe disa mangësi të përsëriten nga viti i kaluar.

“Kjo ka të bëjë me mos raportimet e bartëseve të licencave, vazhdimi i operimeve ilegale, dhe rritja e vazhdueshme e të arkëtueshmeve”, vlerëson ZKA.

Disa nga ngecjet në Komisionin për Miniera dhe Minerale, kishin të bënin edhe me përdorimin e programit e-pasuria.

ZKA ka vlerësuar se, sipas Rregullores për Menaxhimin e Pasurive, çdo organizatë buxhetore duhet mbajë regjistrin E-pasuria, për evidentimin e pasurive me vlerë nën 1,000 euro.

Pastaj, ky regjistër duhet të jetë i harmonizuar me regjistrin e përgjithshëm të pasurive.

“KPMM nuk kishte funksionalizuar akoma regjistrin E-pasuria. Pasuritë e kësaj kategorie, ishin prezantuar vetëm në bazë të regjistrit të përgjithshëm”, thuhet në raportin e Auditorit për vitin 2014.

Ndër të tjerash, gjatë 2015-ës, KPMM nuk ka bërë hapa konkret në drejtim të vendosjes së sistemit për menaxhimin e rreziqeve.

“KPMM, nuk kishte të hartuar regjistrin për menaxhimin dhe vlerësimin e rrezikut, me qëllim të zvogëlimit të tyre në nivel të pranueshëm. Rreziku Mos përgatitja e regjistrit të rreziqeve ndikon që menaxhmenti të mos identifikojë dhe të menaxhojë rreziqet të cilat ndikojnë në arritjen e objektivave të organizatës”, thuhet në raport.

Komisioni bëri shkelje edhe në dhënien e subvencioneve pa përfunduar projekti dhe dorëzuar raporti nga përfituesi i subvencionit, në vitin 2015.

“KPMM në muajin dhjetor 2015 kishte dhënë dy subvencione (OJQ-ve) në vlerë prej 13,000€. Sipas UA nr.01/2015 për ndarjen e subvencioneve në KPMM, kërkohet që menjëherë pas hyrjes së vendimit për ndarje të subvencionit transferohen tek përfituesi 30% të vlerës totale. Përderisa, pjesa tjetër e subvencionit transferohet pas pranimit të raportit nga ana e përfituesit me të cilin dëshmohet përmbushja e planit dhe projektit”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, KPMM ka kryer pagesat finale të subvencioneve për këto OJQ pa mbështetjen e dëshmive për përmbushjen e planit apo projektit për të cilin pala ka fituar subvencionin.

“Mirëpo, pas pranimit të pjesës finale të subvencionit OJQ-të kanë sjellë dëshmitë përcjellëse”, thonë gjetjet.

Në anën tjetër, Auditori ka gjetur mangësi edhe në menaxhimin e pasurive. ZKA ka identifikuar se 20 llaptopë dhe pajisje përcjellëse në vlerë 14,524 euro edhe pse ishin të regjistruar në SIMFK, të njëjtit ishin regjistruar edhe në sistemin e e-pasurisë.  Në këtë rast, pasuria ishte mbivlerësuar për 14,524 euro.

“Mos azhurnimi i regjistrit të pasurisë pas çdo ndryshimi, dhe regjistrimet e dyfishta, nuk na ofron siguri se regjistri i pasurisë është i plotë dhe i saktë, si dhe pasuria e organizatës e pasqyruar në PFV është e mbivlerësuar”, është rreziku që ka paralajmëruar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), për Komisionin për Miniera dhe Minerale.

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) është agjenci e pavarur e përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që i raporton Kuvendit të Kosovës.

KPMM rregullon aktivitetet minerare në Kosovë në përputhje me Ligjin e Minierave dhe Mineraleve, aktet nënligjore të nxjerra në përputhje me Ligjin e Minierave dhe Mineraleve, dhe Strategjinë Minerare.