Azem Syla. Foto: Atdhe Mulla

Ekskluzive: Aktakuza Voluminoze Ndaj Grupit të Azem Sylës

Prokurorit Italian Danillo Ceccarelli i janë dashur 264 faqe aktakuzë për të argumentuar se grupi  i drejtuar nga Azem Syla është njëri nga grupet më të mëdha kriminale që ka ekzistuar ndonjë herë në Kosovë.

KALLXO. com ka siguruar aktakuzën e prokurorit të EULEX-it e cila përshkruan deri në detaje funksionimin e grupit të Azem Sylës, që në opinion njihet me nofkën e luftës “Daja”. Aktakuza e cila do botohet në disa vazhdime flet për pensionin e Zvicrës i cili u përdor për ta financuar grupin për takimet në restorantin në Prishtinë e poashtu për përfshirjen dhe takimet e qytetarëve serbë me grupin e drejtuar nga ish komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Azem Syla.

Në një kënd në një restoran në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, pranë Fakultetit Teknik, “shtabi” i grupit i prirë nga Azem Syla jepte urdhra, instruksione e udhëzime për anëtarët tjerë të këtij grupi, përshkruhet në aktakuzë.

Në fakt, aktakuza thotë se në këndin e këtij restorani qëndronte ulur Azem Syla, ndërsa bashkëbiseduesit në tavolinë ndërroheshin, varësisht prej urdhrave që ata merrnin.

Veprimet e këtij grupi, më 24 tetor të këtij viti janë zyrtarizuar në aktakuzë të gjerë ndaj një grupi të madh personash të cilët dyshohen për keqpërdorime në tjetërsim pronash në rrethinën e Prishtinës.

http://kallxo.com/aktakuze-kunder-azem-syles-dhe-te-tjereve/

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Azem Syla, është në krye të listës së personave që kanë zënë vend në këtë aktakuzë. 21 të tjerë i bashkohen grupit të cilin aktakuza e përshkruan si “një nga më aktivët, më të strukturuarit, më të organizuarit për nga hierarkia, më solidët dhe më jetëgjatët në historinë e Kosovës”.

Hetimet e nisura kohë më parë, në prill të këtij viti rezultuan me një aksion të gjerë policor të ndërmarrë nga EULEX dhe Policia e Kosovës. Në mëngjesin e 27 prillit, policët nuk arritën ta gjejnë Sylën në shtëpinë e tij, por ai u dorëzua disa ditë më vonë.

http://kallxo.com/aksion-gjere-policor-kerkohet-edhe-azem-syla/

Përveç Azem Sylës, në këtë aktakuzë janë të përfshirë edhe Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi, Hajrullah Berisha, Ramadan Uka, Arton Vila, Avdyrrahman Brajshori, Ilaz Syla, Lubisha Vujoviq, Gazmend Gashi, Nuhi Uka, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Shqipe Maxhuni, Elheme Uka, Shqipe Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj dhe Mustafë Haliti.

Në pikën e parë të aktakuzës përfshihen Azem Syla, Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi, Hajrullah Berisha, Ramadan Uka, Arton Vila, Avdyrrahman Brajshori, Ilaz Syla, Lubisha Vujoviq, Gazmend Gashi, Nuhi Uka dhe Sabedin Haxhiu.

Pika e cila përfshin akuzën për krim të organizuar thotë se nga viti 2006 deri në vitin 2016, në territorin e Kosovës, me qëllim të përfitimit financiar dhe përfitimeve tjera materiale, të akuzuarit kanë kryer krime të rënda si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Ish komandanti i UÇK-së dhe ish deputeti i PDK-së, Azem Syla, përshkruhet si “organizues, mbikëqyrës, menaxher dhe drejtues” i grupit kriminal i cili “krijoi aktivitetet kriminale të grupit dhe i financoi ato”.

Akuza thotë se Azem Syla koordinoi aktivitetet dhe mbajti një rol mbikëqyrës në tërë operacionin; emëroi anëtarë të tjerë të grupit të organizuar kriminal në rolet e tyre specifike brenda hierarkisë të përcaktuar mirë; miratoi apo refuzoi propozimet operacionale nga anëtarët tjerë të grupit; dha urdhra dhe instruksione për anëtarët e grupit të organizuar kriminal; kërkoi raportime rreth aktiviteteve të vazhdueshme kriminale nga anëtarët tjerë të grupit; mori pjesë në veprat themelore penale duke dhënë instruksione, udhëzime dhe miratime si dhe mori përfitimet më të mëdha nga aktivitetet kriminale.

Edhe Shaban Syla, i lindur në Kishnarekë, fshati i lindjes së Azem Sylës, ka pasur pothuaj role të njëjta me ish deputetin.

Shaban Syla, i cili është i dënuar si pjesë e procesit gjyqësor Bllaca 2, në aktakuzë gjithashtu përshkruhet si organizues, mbikëqyrës, menaxher dhe drejtues i grupit të organizuar kriminal. Për të thuhet se në mënyrë konstante ka qenë i lidhur me liderin e grupit, Azem Syla, sa u përket vendimeve strategjike ose planifikimeve të grupit kriminal.

“Në mënyrë specifike, ai (Shaban Syla) organizoi dhe menaxhoi të gjitha veprimet në identifikimin e individëve serbë të cilët kanë vendime të gjykatave dhe dokumente të dobishme për grupin kriminal; organizoi dhe koordinoi falsifikimin e vendimeve të gjykatave dhe dokumenteve tjera; identifikoi tokat në pronësi shoqërore për t’i marrë paligjshëm; është lidhur dhe i ka korruptuar zyrtarët e Gjykatës Komunale, Zyrës së Kadastrit dhe zyreve tjera publike në mënyrë që t’i sigurojë dokumentet origjinale për t’i falsifikuar, t’i marrë vendimet e favorshme dhe ta përshpejtojë procedurën”, thuhet në aktakuzë.

Rol pothuaj tërësisht të njëjtë, sipas aktakuzës, ka pasur edhe Shpresim Uka, gjithashtu i dënuar në rastin Bllaca me 15 vjet burg.

Pjesëtari i vetëm i komunitetit serb në këtë aktakuzë, Lubisha Vujoviq, sipas aktakuzës, ka qenë pjesëmarrës dhe mbështetës i grupit, duke marrë pjesë në mënyrë aktive në aktivitetet e grupit kriminal.

“Në mënyrë specifike, Lubisha Vujoviq i dha grupit vendimin origjinal të gjykatës numër 1164/90 të datës 24 qershor 1992, i cili ia kthente familjes parcelën e tokës numër 1245 në Fushë Kosovë duke e ditur se grupi do ta falsifikonte atë duke e zëvendësuar parcelën me të tjera”, thuhet në aktakuzë.

Serbë të tjerë nuk janë të arrtëshëm për prokurorinë pasi dyshohet se janë duke u strehuar në Serbi.

Nuhi Uka, ish kryetar i Gjykatës Komunale të Prishtinës, organi përgjegjës gjyqësor për vërtetimin e kontratave të shitblerjes së tokave, në këtë aktakuzë del të jetë “pjesëmarrës dhe anëtar mbështetës i grupit duke marrë pjesë në mënyrë aktive në aktivitetet kriminale të grupit”. Ai kujdesej që ta ndihmojë grupin që të sigurojë se, kurdo që kërkohej, të ndërhyjë që gjithçka të procedohet shpejt e shpejt.

“Ai ndërmori veprime joligjore në shkelje të detyrave të tij zyrtare si rezultat i korrupsionit duke u ofruar anëtarëve tjerë të grupit dosjet origjinale të cilat grupi do t’i falsifikonte , duke thënë që vendimet e falsifikuara janë origjinale”, thuhet në aktakuzë.

Azem Syla dhe disa anëtarë të tjerë të grupit ishin arrestuar në aksionin e prillit. Avokatët mbrojtës të tyre në vazhdimësi kanë mohuar akuzat e prokurorisë duke pretenduar në pafajësinë e klientëve të tyre. Deklarata të tilla janë dhënë nga të gjithë avokatët duke u thirrë në mohimet të cilat klientët e tyre ua kanë bërë pikave të akuzës pas aksionit të EULEX-it.

Aksioni ishte filmuar ekskluzivisht nga kamerat e emisionit “Drejtësia në Kosovë”.

 

Në vazhdimet e tjera, që do të botohen ditëve në vijim do të lexoni:

  • Si e organizoi grupi falsifikimin e certifikatave të pronave në Veternik?
  • Kush ishin blerësit dhe kush i organizonte shitjet?
  • Pse prokuroria dyshon se Nuhi Uka garantoi qasjen në dokumentet e gjykatës?
  • Çfarë qasje kishte gurpi në arkivat e vendit?
  • Sa para paguheshin në Kadastrin e Prishtinës për të regjistruar paligjshëm një pronë?
  • Si u përdorën paratë e pensionit zviceran të Azem Sylës për ta financuar Grupin?
  • Cila ishte metoda të cilën grupi e përdorte për t’u takuar?
  • CIli nga antarët e grupit kishte për detyrë identifikimin e pronave të serbëve në rrethinë e Prishtinës?
  • Çfarë roli kishte ish punonjësi i UNMIK-ut në strukturën e grupit?
  • Si u ndihmua grupi nga njëri nga punonjësit e PTK-së?
  • Cili ishte roli i Lubisha Vujoviqit?
  • Kush nga dëshmitarët e Bllaca 2 morri parcela toke nga grupi vetëm një muaj para dëshmisë së tij?
  • Çfarë thuhet ne përgjimet e prokurorisë dhe cilat telefonata do të përdoren nga prokuroria për ta mbrojtur aktakuzën?
  • Cili nga të dyshuarit e kishte vazhduar biznesin nga burgu i Dubravës, e cili e angazhoi djalin për ta vazhduar biznesin?
  • Cilat janë provat që u zbuluan pas bastisjeve të prillit 2016?
  • Çfarë thuhet në deklaratat e të arrestuarve rreth dyshimeve të prokurorisë?