Drama e buxhetit, teatrot profesioniste shohin dritën në fund të tunelit

20 vite pas luftës, teatrot profesioniste në Kosovë kanë shpresë në zgjidhjen e problemeve që i kishin për shkak të mungesave buxhetore. Deri më tani ata nuk kanë arritur të plotësojnë nevojat as nga niveli qendror e as ai komunal që është përgjegjës për teatrot profesionale.

Këtë vit, këtyre teatrove iu sigurua linjë e veçantë buxhetore me Ligjin për Buxhetin për vitin 2020 që u miratua më 15 mars.

Mungesë rrogash, pamundësi për angazhimin e aktorëve të rinj dhe sfidë e përgjithshme për prodhimin e shfaqjeve janë problemet që i kanë përcjellur  tetë teatrot profesionale në Kosovë.

Megjithë lëvizjet e fundit pozitive sa i përket ndarjes buxhetore, stabilizimi i teatrove do të duhet ta presë kalimin e pandemisë së coronavirusit.

Aktualisht në vend funksionon Teatri i Gjilanit, Teatri “Ardiana Abdullahu” i Ferizajt, Teatri “Bekim Fehmiu” në Prizren, Teatri “Hadi Shehu” në Gjakovë, Teatri “Istref Begolli” në Pejë, Teatri ‘Muharrem Qena” në Mitrovicë, Teatri ‘Dodona” në Prishtinë dhe Teatri “Avdush Hasani” në Podujevë.

Përveç teatrit të Gjakovës, 7 teatrot tjera vetëm pas viti 2000 morën statusin profesionist. Ndërsa me Ligjin për Teatrot të vitit 2012, teatrot kaluan në menaxhim të komunave përkatëse.

Por, komunat  nuk mundësuan zbatimin e ligjit kur ishin në pyetje teatrot e tyre. Teatrot mbështeteshin financiarisht në bazë të projekteve, dhe punëtorët mbaheshin me kontrata mbi vepër.

Miratimi i grantit qeveritar për teatrot e qyteteve dhe futja e tyre si kategori buxhetore në ligjin për buxhetin dhe ndarjen e mjeteve financiare për këtë vit, i ka hapur rrugë procesit të stabilizimin financiare dhe infrastrukturorë së teatrove të qyteteve të Kosovës.

Por, vonesat për miratimin buxhetit shtetëror për 2020 dhe veçanërisht, përhapja e pandemisë së coronavirusit ka pamundësuar fillimin e procesit të funksionalizimit të punës në këto teatri, sidomos stabilitetin financiare, pajisjen e punëtorëve të tyre me kontrata të rregullat, shtimin numrit të aktorëve edhe punëtorëve të tjerë, siç parashihet me ligj.

Këto tetë teatro me ligjin për buxhetin e këtij viti janë institucione buxhetore, çka u garanton  financim të qëndrueshëm, buxhet vjetor dhe kontrata të rregullta për punëtorët e tyre.

Drejtues të Asociacionit të Teatrove Publike të Qyteteve kanë thënë për KALLXO.com se me të përfunduar rreziku nga COVID-19 dhe kthimi në normalitet, stafet menaxhuese të teatrove do të hapin konkurse për rekrutimin e punëtorëve të rinj.

Drejtori i teatrit ‘Hadi Shehu” të Gjakovës,  Edi Kastrati, i cili drejton Asociacionin e Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës u shpreh optimist për kohën pas pandemike.

“Komisioni i granteve në Ministrinë e Financave, ka aprovuar kërkesën tonë për rregullimin e financimit të Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës për vitin 2020, duke lejuar shtimin e numrit punëtorëve të teatrove nëpër komunat përkatëse, krijimin e kodeve buxhetore dhe pjesën e financimit të projekteve. Tani po presin përfundimin e pandemisë që menjëherë të shpallim edhe konkurset për të plotësuar ansamblet në gjitha teatrot, dhe një herë e përgjithmonë të punojmë si duhet dhe si dimë vet”,tha ai.

Drejtues të teatrove vazhdimisht kanë dhënë vërejtje sa i përket këtij ligji të teatrove të 2012, sidomos çështjes së financimit të teatrove, duke e bërë një prej shkaktarëve të problemeve me të cilat ballafaqohen teatrot e qyteteve.

“Mjetet financiare për punën e teatrove publike sigurohen nga Buxheti i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Mjetet për punën e teatrove publike kombëtare i siguron Ministria, ndërsa mjetet financiare për punën e teatrove të qyteteve i siguron komuna përkatëse”, thuhet në pikën 2, përkatësisht 3 të nenit 19 të Ligjit për Teatrot

Është pikërisht çështja e financimit që ceket në ligj, është prej çështjeve që krijon paqartësi, sipas drejtuesve të teatrove.

“Funksionimin e plotë e ka penguar mungesa e buxhetit të rregullt, por edhe vetë Ligji për Teatro. Besoj e dini se ka një ligj për teatrot i cili ka qenë kontradiktor nga neni në nen e sidomos akti nënligjor. Për çka edhe kemi inicu ndryshimin e tij. Tash meqë e kemi buxhetin shpresoj se teatrin do ta bëjmë funksional deri në nivelin që ka lejuar buxheti me gjithsejt 22 njerëz të angazhuar me pagë”, ka thënë Agron Gërguri, drejtor i Teatrit “Avdush Hasani” të Podujevës.

Kallxo.com në vazhdimësi ka raportuar për problemet me të cilat ballafaqohen teatrot e qyteteve për shkak të mënyrës së financimit dhe mospasjes së një linje buxhetor.

Kallxo.com ka kontaktuar me disa prej drejtues të këtyre teatrove, të cilat kanë pohuar se pas COVID-19, ata do të nisin proceduat për rekrutimin e stafeve të nevojshme, pasi tashmë i kanë të siguruar edhe mjetet financiare.

 Mbi 200 mijë euro për Teatrin e Gjilanit

Teatri i Gjilani është themeluar që nga viti 1944, por vetëm në vitin 2000 e fitoi statusin e Teatrit Profesionist. Prej këtij viti, teatri ka krijuar ansamblin, ka renovuar ndërtesën dhe ka konsoliduar repertorin me shfaqje e punë profesionale.

 Erson Zymberi, drejtor i këtij teatri ka thënë për KALLXO.com se aktualisht janë në pritje të përfundimit të gjendjes aktuale ku do të shpallën konkurset për gjithë stafin artistik dhe teknik.

“Buxheti është i siguruar nga komuna dhe qeveria dhe për herë të parë që nga paslufta teatrot kanë kodet e tyre buxhetore. 208,108 euro është buxheti total për sivjet”, ka thënë Zymberi

Teatri i Gjilanit ndër tjerash shtë organizator i festivalit ‘Talia e Flakës” që mbahet në kuadër të manifestimit ‘Flaka e Janarit” çdo vit në Gjilan.

Deniza Limani, drejtoreshë për Kulturë në Komunën e Gjilani e sheh si pozitive kodin e veçantë për teatrot.

 “… Gjithçka është siguruar tashmë edhe nga miratimi i buxhetit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ju njoftoj, se po presim të kalojë  kjo gjendje, dhe shumë shpejt do të shpallim konkurset e rregullta për stafin artisik dhe teknik, duke rregulluar tashmë decidivisht statusin e tyre”, ka thënë Limani. 

Teatri i Gjilanit

Teatri “Adriana Abdullahu” në hall me objektin

Teatri ‘Adriana Abdullahu” në Ferizaj është themeluar në vitin 1945, mirëpo shfaqje ka pasur edhe në vitin 1943/44. Teatri është ngritur në nivel profesional gjatë viteve 90’ ku drejtor ishte Ismail Rama, me financim nga Qeveria e përkohshme.

Në vitin 2000 ka marrë emrin “Adriana Abdullahu” nga këshilli i asaj kohe. 

Në vitin 2007 edhe MKRS e njeh si teatër profesional. Aktualisht ky teatër ka të punësuar 21 aktorë dhe një staf teknik- administrativ prej 10 vetash. Teatri ka objekt të vetin.

Fatmir Hyseni, Drejtor i Teatrit ka thënë për KALLXO.com se teatri deri më tani është financuar me projekte.

Ai tregon se trupa e aktorëve është punësuar me kontrata të veçanta për shkak se deri më tani nuk kanë pasur mundësi të hapin konkurse publike për shkak të buxhetit, pasi teatrot qyteteve nuk kanë qenë linjë buxhetore.

Ai gjithashtu tregon sfidat që momentalisht kanë me objektin e teatrit.

“Kushtet e infrastrukturës në Ferizaj nuk janë krejtësisht të përfunduara, pasi që teatri është objekt i vjetër nën mbrojtje të përkohshme, dhe salla e teatrit është pak e vogël. Mirëpo në këtë vit nis ndërtimi i Qendrës multifunksionale ku parashihen dy salla për teatrin”, ka thënë drejtori Hyseni.

Edhe Teatri i Ferizajt organizon një festival vjetor të teatrove që mbahet në vjeshtë. Ndërsa buxheti për këtë vit për këtë teatër është 173, 950 euro.

Ndërkaq, në një përgjigje për Kallxo.com nga Komuna e Ferizajt, këta të fundit kanë potencuar se komuna me buxhetin e vitit 2020 ka planifikuar plotësimin e vendeve të punës në teatrin e qytetit të Ferizajt, gjegjësisht numrin e stafit të  aktorëve konform Ligjit për Teatrot.

Mirëpo, sipas Komunës së Ferizajt për arsye të vonesës së miratimit të buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2020, i miratuar me datën 15.03.2020, komuna nuk ka mund më herët t’i shpall këto vende të punës.

“Tani pasi që buxheti është miratuar ne si komunë për shkak të pandemisë së virusit Covid 19, gjithmonë duke respektuar rregullat e OBSH dhe IKSHP-së, nuk kemi pas mundësi që akoma të fillojmë me procedurat e rekrutimit të këtyre vendeve të punës, për funksionalizimin e teatrit me stafin e kompletuar.  Shpresojmë që në afatin sa më të shpejtë të mundshëm të na krijohen rrethanat për plotësimin e këtyre vendeve të punës”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Ferizajt.

Teatri i Ferizajt “Adriana Abdullahu”

Teatri  “Bekim Fehmiu” në Prizren pret të punësojë 22 persona

Si teatër profesional është themeluar në vitin 2015 nga Asambleja Komunale e Prizrenit. 

Ndërsa projektin e parë teatror, Teatri i Prizrenit e ka filluar në vitin 2017.  Teatri ka 10 aktorë dhe tre punëtorë teknik.

Fetah Paçarizi, drejtor i Teatrit “Bekim Fehmiu” ka thënë për KALLXO.com se në vitin 2015 asambleja komunale ka nxjerrë një vendim ku menaxhmenti i Shtëpisë së Kulturës, tre teknikët dhe pastruesja kaluan në menaxhim të teatrit.

 “Në vendimin që ka nxjerre asambleja e Prizrenit në vitin 2015 është vendosur që stafi i Shtëpisë së Kulturës (SH.K), të kaloje në menaxhim te teatrit dhe është vendosur të aplikohet një projekt: ‘Politikat zhvillimore për Kulture ‘- Teatër, ku është parapare që 10 aktorë dhe 6 punëtorë të SH.K, të futen në një listë të përbashkët të pagave, me kontrata një vjeçare. Kjo ka funksionuar deri në dhjetor të viti 2019”, ka thënë Paçarizi.

Ndërsa deri sa të kryhet procesi i rekrutimit, financimi i teatrit do të bahet në bazë të projekteve. Sipas Ligjit për Buxhetin 2020, këtij teatri i janë ndarë 141, 308 euro buxhet për këtë vit.

 Paçarizi ka thënë se pasi tani teatrot do të financohen me kode te veçanta, pritet të organizohen konkurset për rekrutimin e 22 personave, ndër ta 13 aktorë ,8  persona staf administrativ dhe teknik dhe drejtori.

 Por kjo mund të bëhet vetëm pasi të marrë fund situata me COVID-19.

 Ai shton se kushtet infrastrukturore në objektin e teatrit janë relativisht të mira.

 “Sa i përket godinës dhe ambienteve këto kanë qenë në menaxhim të Sh.K, por që nga 2015 menaxhohen nga teatri pra që nga vendimi i vitit 2015. Duhet cekur se në godinë funksionon edhe Biblioteka e Qytetit, dhe janë paraparë edhe investime në ambientet e saj”, ka thënë ai.

Komuna e Prizrenit nuk i është përgjigjur pyetjeve të KALLXO.com lidhur me angazhimin komunal lidhur me këtë teatër.

 Teatri “Hadi Shehu” në Gjakovë pret rritjen e numrit të punëtorëve

 Në vitin 1977 është themeluar si teatër profesional, ndërsa si amator ka ekzistuar shumë vite më herët. Teatri i Gjakovës është teatri i dytë profesionist që ka funksionuar  pas Teatrit Kombëtar në Prishtinë.  

Aktualisht ky teatër i ka 8 punëtorë, ndërsa është financuar në bazë të projekteve.

“ Teatri i ka 8 punëtorë gjithsejt, duke më përfshi dhe mua, 4 aktorë ne mesin e 8 punëtorëve dhe se shpejti do të behën 22 gjitjsejt, sapo të kalojë pandemi”, ka thënë Drejtori i këtij teatri, Edi Kastrati, në një prononcim për KALLXO.com.

Buxheti për këtë viti për këtë teatër është 225, 250 euro.

Teatri “Hadi Shehu” në Gjakovë

 

Afër 130 mijë euro për Teatrin e Podujevës

Teatri  ‘Avdush Hasani”, në Podujevë si teatër publik profesional është themeluar më 29 mars të vitit 2015. Nga ai vit, teatri ka funksionuar në bazë të projekteve. 

Agon Gërguri, Drejtor i Teatrit ka thënë për KALLXO.com se teatri nuk ka aktorë rezidentë, por pritet të hap konkurs për pranim të stafit të nevojshëm.

 “Teatri këtë vit e ka buxhetin e rregullt dhe së shpejti do shpallet konkursi për pranimin e aktorëve rezidentë dhe një pjese të stafit teknik dhe administrativ. Deri në vitin 2019 teatrit i janë nda mjete me vendime te Kuvendit nga buxheti i Drejtorisë Komunale për Kulturë”, ka thënë ai.

 Teatri i Podujevës ka objekt të vetin, sallën e rinovuar me objektin përcjellës për zyra dhe sallën e vogël për prova. Ndërsa këtë vit do të ketë në dispozicion një buxhet prej 129, 850 euro.

Komuna e Podujevës nuk i është përgjigjur pyetjeve të KALLXO.com lidhur me angazhimin komunal lidhur me këtë teatër.

Teatri “Avdush Hasani” në Podujevë

Teatri i kukullave “Dodona” gëzon përkrahjen e Komunës së Prishtinës

Teatri “Dodona” është themeluar më 12 nëntor 1986, me vendim të Bashkësisë Punuese të Kuvendit të Komunës së Prishtinës. Në themelimin e teatrit kontribuan Rabije Bajrami dhe Smajl Imeri, të cilët më vonë edhe arritën ta vënë në funksion në tërësi.

Ky teatër filloi punën më 16 maj 1987, me premierën e parë “Pylli është i të gjithëve”. Po këtë vit u propozua që teatri të emërtohej: Teatri i të rinjve, fëmijëve dhe i kukullave “Dodona”.

“Kthesën e zhvillimit teatri Dodona e mori pas viteve te 90-ta kur filloi edhe shfaqje dhe premiera edhe për të rritur, Skena e Mbrëmjes .Qe nga kjo kohe e deri më sot teatri i kukullave ka shfaqur mbi 35 premiera për fëmije dhe mbi 70 premiera për të rritur të cilat u mirëpriten nga shikuesit. Në të njëjtën periudhe, pra në vitin 1992, në krye të teatrit emërohet Enver Petrovci si drejtori i parë i teatrit”, thuhet në adesën zyrtare të teatrit në Facebook.

Për këtë viti për këtë teatër janë ndarë 160 000 euro. 

Miranda Mullafazliu, zëdhënëse e Komunës së Prishtinës ka thënë se komuna e financon TQP “Dodona” nga linja të ndryshme buxhetore, përkatësisht pagat e stafit aty, mirëmbajtjen e objektit, duke i përfshirë këtu edhe renovimet dhe shërbime tjera për mbarëvajtjen e aktiviteteve në teatër.  

 Ndërkaq, sipas saj, për shkak të mungesës së nënkodit buxhetor, “Dodona” nuk ka buxhet vjetor për prodhimin e shfaqjeve dhe në këtë situatë realizohen vetëm shfaqjet që mbështetën përmes OJQ-ve që aplikojnë në thirrjen publike për subvencione.

 “Në takim me Auditorin e Jashtëm dhe Ministrinë e Financave kemi diskutuar për hapjen e nënkodeve buxhetore për këto insitucione, por na kanë njoftuar se kjo nuk është e mundur të realizohet. Që nga viti i ardhshëm besoj do të gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme për të financuar programin e ‘Dodonës’. Jemi duke punuar në atë drejtim në bashkëpunim me Drejtorinë e Financave dhe Ministrinë e Financave”, ka thënë zëdhnësja Mullafazliu.  

 Teatri “Dodona”, aktualisht, sipas Mullafazliut i ka 17 punëtorë.

Mbi 200 mijë euro për teatrin “Istref Begolli” – Pejë

Në vitet 2010, teatri ka filluar me gjeneratën e 6-të me radhë. 

Deri më tash nga ky teatër  kanë dalur dhe artistë të nivelit të Kosovës. Ndër artistë më të njohur që kanë kaluar dhe kanë kontribuar në edukimin e gjeneratave të këtij teatri shquhen Abdurahman Shala, Istref Begolli, Faruk Begolli , Melihate Ajeti, Kristë Berisha Malogami dhe Ragip Loxha.

“Paraqitjet jashtë vendit, në nivele të tjera të këtij teatri kanë qenë pjesëmarrjet nëpër aktivitet të ish-Jugosllavis. Shfaqjet e lujtura merrnin pjesë në festivale amatore të Teatrove Jugosllave. Ndër to dallohen shfaqjet “Të kulla e Hasim Bajraktarit” dhe “Nita” e Josip Reles , – u plasuan si shfaqjet më të mira në Hvar të Kroacisë”, thuhet në faqen zyrtare të teatrit..

Buxheti për këtë vit sipas Ligji për buxhetin për 2020 për ketë teatër është 208,919 euro.

Teatri “Istref Begolli” në Pejë

 Teatri i Mitrovicës deri më tani u financua nga projektet

Teatri “Muharrem Qena” është themeluar në vitin 2012 në nivel profesional me vendim të Asamblesë Komunale. Teatri  nuk ka aktorë të punësuar pasi deri më tani aktorët ka qenë të angazhuar me projekte.

Sabit Sheremeti, ushtrues i detyrës së drejtorit të këtij teatri ka thënë për KALLXO.com se për momentin teatri ka vetëm dy zyrtarë,  zyrtari për buxhet dhe financa, U.D drejtori dhe një teknik të ndriçimit.

Përveç Komunës së Mitrovicës, projektet teatrore të këtij teatri janë mbështetur edhe nga Ministria e Kulturës.

“Teatri ‘Muharrem Qena’ funksionon në objekt të Qendrës se Kulturës, “Rexhep Mitrovica” Së shpejti po sa te kalon pandemia e Coronavirusit do te fillojmë me procedura të rekrutimit për drejtor, udhëheqës artistik, aktorë dhe stafin përcjellës”, ka thënë Sheremeti.

Ndërkaq buxheti i këtij teatri për këtë viti sipas Ligjit për Buxhetin 2020 është 190, 208 euro.

 Tafil Peci, drejtor për Kulturë në Komunën e Mitrovicës ka potencuar për KALLXO.com se pajisja e teatrit me nënkod buxhtor mundëson edhe funksionimin sips ligjit.

 “Ndarja e subvencionev ka qenë e pamundur për arsyej se teatri s’ka pasë xhirollogari apo kodetë veçantë, këto kanë qenë problemet e të gjitha teatrove, ndërsa  këtë vit është zgjidhë problemi”, ka thënë drejtori Peci. 

 

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).