Burimi Kallxo.com

Teatrot kosovare në Ditën Botërore të Teatrit, problemet dhe sfidat

Çdo vit, më 27 mars, në Ditën Botërore të Teatrin, institucionet teatrore në vend shpërfaqin problemet me të cilat ballafaqohen gjatë funksionimit të tyre. Infrastruktura, financat, nepotizmi, klanizimet e sidomos ndikimet politikë vazhdojnë të rëndojnë mbi ‘kurrizin’ e teatrove kosovare.

Edhe kësaj herë, në Ditën Botërore të Teatrit, drejtuesit e teatrove, dramaturgë dhe regjisorë kanë përmendur problemet që në vazhdimësi po përndjekin teatrot në Kosovës.

Fatmir Hyseni, drejtor i Teatrit “Adriana Abdullahu” të Qytetit të Ferizajt dhe kryetar i Shoqatës së Teatrove Publike në vend në një prononcim për Kallxo.com ka pohuar se Dita Botërore e Teatrit, skenën teatrore në vend e gjen në një pozitë jashtëzakonisht të paqëndrueshme financiare.

“Krejt kjo si rrjedhojë e zhvillimit të politikave në Kosovë, ku arti nuk ka qenë dhe nuk është as sot prioritet. Aktualisht, teatrot e qyteteve dhe të gjithë aktorët dhe punëtorët teknik të këtyre teatrove janë pa buxhet të rregullt dhe pa status të zgjidhur dhe pagesat e tyre përmes subvencionimit kanë krijuar borxhe dhe telashe me auditorët rreth mënyrës së pagesave”, ka thënë Hyseni.

Problemet e dekadave

Ndërkaq dramaturgu Blerim Zhitija, zhvillimin e teatrit nuk e sheh të shkëputur nga gjendja e përgjithshme kulturore e politike me vend, me që siç ka thënë ai, teatrin e përcjellin një varg problemesh të natyrave që më së paku do të duhet t’i takonin teatrit.

“Ndërhyrja politike është ajo që më së tepërmi po atakon gjithë sferën shoqërore në Kosovë, pa përjashtuar edhe teatrin. Problem tjetër që po e përcjell teatrin është edhe emërimi i njerëzve të cilët më tepër vijnë në pozicione udhëheqëse fal lidhjeve politike se sa bagazhit artistik”, ka thënë Zhitija.

Ndërsa ka shtuar se ndër problemet me të cilat po përballet teatri në Kosovës janë edhe mungesa e strategjive të qarta, mos profilizimi i vet skenës, me që siç ka thënë ai, skena teatrore është shndërruar në një arenë eksperimentesh të zhanreve e llojeve të ndryshme , shpeshherë pa një verifikim të asaj që shfaqet.

Kurse regjisori Mahir Musliu shton se përjashtuar Teatrin Kombëtar të Kosovës, teatrot nëpër komuna kanë mbetur në gjendje të mjerueshme si pasojë e mos financimit të rregullt.

Sipas tij, ka një shkarje sepse ligji i vitit 2011 i ka lënë teatrot nën mëshirën e kuvendeve komunale të cilat shpeshherë nuk tregohen solidare me këtë komunitet.

“Uroj për këtë ditë që institucionet të jenë më azhure duke ndërmarrë hapa drejt rregullimit të infrastrukturës teatrore. Duke siguruar kushte të njëjta për secilin teatër në vend. Kjo do të nxit garë të barabartë nëpër teatro dhe do ta ngrit kualitetin e shfaqjeve teatrore. Do të punësohen staf teknik e artistik i rregullt me financim permanent”, ka thënë ai.

 Bërja e teatrit

Por për dramaturgun, Agron Gërguri, drejtor i Teatrit “Avdush Hasani” në Podujevë, teatri nuk është fotografi me tulla e dërrasa, por është art në kërkim permanent të të ndryshmes, tjetrës, mundësisë së pafundme të eksplorimit të natyrave njerëzore dhe hapësirës shpirtërore dhe fizike në të cilën jetojnë apo mendojnë të jetojnë njerëzit.

Ai ka lënë të kuptohet se situata që po kalon skena teatrore në vend është pasojë edhe e ligjit aktuali i cili vetëm sa ka thelluar problemet.  Ndërsa ka thënë se për të ndryshuar gjendjen duhet një ligj për së mbari për teatrot.

“Pra i gjithë problemi është se ne duhet specifikojmë pas një ekspertize se çfarë po duam me teatrin dhe çka ai paraqet për mundësitë e zhvillimit të kulturës. Pastaj t’i kthehemi seriozitetit të cilën teatri ka si natyrë, them këtë sepse kam përshtypjen se e kemi estradizuar e parodizuar deri në masën sa ka hipur spektatori në skenë”, ka thënë Gërguri.

Ndërsa si zgjidhje praktike për zhvillimin e institucionit të Teatrit, Gërguri e sheh në investimet në infrastrukturë, bërjen e një data-baze në nivel të Kosovës, më qellim që aktorët, regjisorët, dramaturgët të jenë të qasshëm për secilin Teatër.