Debati i 'shpifur' për mishin e prishur

Pa kuorum nisi e pa kuorum u mbyll debati parlamentar për skandalin me mish të prishur.

Pa asnjë përfaqësues të ekzekutivit nisi e vazhdoi po ky debat. Ani pse Qeveria e Haradinajt numëron 5 zëvendëskryeministra, 21 ministra dhe mbi 70 zëvendësministra, asnjërit nga ta nuk i interesoi kjo temë. Kjo temë u interesoi vetëm 25 deputetëve në sallë.

E paraparë të niste në orën 11:00, seanca plenare nisi me gjysmë ore vonesë e pa kuorum.

Pasi nga rendi i ditës u tërhoq debati parlamentar për gjetjet e raportit të Shpejtim Bulliqit, me kërkesë të partisë inicuese, Vetëvendosjes, seanca vazhdoi me debatin parlamentar për skandalin me mishin e prishur.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, iniciuese e debatit parlamentar për skandalin me mish të prishur, tha që në Kosovë nuk ka hyrë mishi nga Belgjika. Sipas saj, ky mish  është asgjësuar.

“Ky mish për herë të parë është tentuar të futet në Kosovë në shtator të vitit 2016, ndërsa tentative e dytë ishte në gusht 2017. Në të dyja rastet është zbuluar dhe asgjësuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë”, tha Musliu.

Se nuk duhet të ‘kryqëzohet’ Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës tha edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj.

‘Mos ta kryqëzojmë AUV-in ngase ka pak inspektorë. Në 33 komuna janë vetëm 11 inspektorë’, tha ai.

Por, deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri tha se AUV është përgjegjësi kryesor dhe se qytetarët kanë të drejtë të ushqehen me ushqim cilësor.

‘Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës dhe Inspektorati komunal janë përgjegjës jo vetëm për cilësinë e ushqimit, por edhe për higjienën e institucioneve publike dhe private. Ky popull ka të drejtë të ushqehet sigurt dhe me ushqim cilësor”, tha ajo.

Madje deputeti i VV-së, Adem Mikullovci tha se s’i ka mbetë tjetër, vec të ha bukë thatë.

‘Në nji moment menova s’ka met tjetër veç t’ha bukë thatë, por doli doktori që tha se edhe drithi është i blemë nga Serbia, i skadum, ushqim për shtazë dhe atë bukë po e hamë na’, tha ai.

Për ushqimin jocilësor e pa asnjë standard, foli edhe deputeti i GDP-së, Salih Salihu. Ai tha se vendi importon ushqim që nuk i përmbushë as standardet minimale.

‘Aktualisht Kosova importon sasi të madhe të ushqimit për të cilat besohet se nuk i përmbushin kriteret minimale për cilësi dhe siguri, pra janë jashtë çdo norme të cilësisë. Në këtë kuptim mallrat e ardhura në Kosovë besohet se prodhohen në linja të veçanta të dedikuara për tregun e Kosovës’, tha ai.

Por nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, tha se mishi që ka hyrë në Kosovë nuk është nga Europa, por është mish i ndonjë shteti për rezervat e ushtrisë, nuk e plotëson asnjë standard që ta hanë njerëzit.

‘Mishi që ka ardhë në Kosovë nuk është mish i Evropës, është mish i rezervave të ndonjë shteti të ushtrisë që nuk i plotëson standardet për asnjë vend në botë që me hangër njerëzit’, tha Haliti.

E derisa në sallën pa kuorum po diskutohej për skandalin me mishin e prishur dhe cilësinë e ushqimit në Kosovë, në sallë nuk ishin prezent Kryeministri, asnjë ministër e as zëvendës ministër i tij.

E pas dy orë e gjysmë diskutimi për skandalin me mishin e prishur dhe cilësinë e ushqimit në Kosovë, deputetët shkuan në pauzë deri në orën 15:00.

Pasi u kthyen nga pushimi, me gjysmë ore vonesë, seanca vazhdoi me vetëm 25 deputetë në sallën plenare. Prezent sërish nuk ishte asnjë përfaqësues i qeverisë, as kryeministri e asnjë nga vartësit e tij.

Gjithsesi, debati vazhdoi. Incizuesja e debatit, Ganimete Musliu dhe deputetja Albulena Haxhiu u përplasën mes vete.

Haxhiu e akuzoi Musliun se po amniston AUV-in nga përgjegjësia, ndërsa kjo e fundit në replikën e saj tha se gjithë politikë bërja e VV-së sillet rreth Presidentit.

“Qe sa vite jam në politikë dhe e kam pa që alfa dhe omega e politike bërjes së Vetëvendosjes është Hashim Thaçi. Bota juaj sillet komplet rreth Hashim Thaçit’, tha Musliu.

“Sa ishte kryeministër Hashim Thaçi, AUV-i nga Ministria e Bujqësisë, kaloi në Zyrën e Kryeministrit. Ai [Hashim Thaçi] e mbajti në kontroll të plotë këtë agjenci dhe shkeljet aty bëhen nga personat e lidhur me PDK-në”, tha Haxhiu.

Në fund të debatit, inicuesja ganimete Musliu ftoi grupet parlamentare që t’i japin propozimet e tyre dhe ta harmonizojnë rezolutën për këtë çështje.

‘Ishte debat bukur i ashpër por qëllimi ishte i përbashkët’, tha ajo.

Përfaqësuesit e GP-ve po e harmonizojnë pikat e rezolutës, e cila do të votohet më vonë, pasi në sallë nuk ka as kuorum.

Musliu në fillim të debatit, propozoi këto pika:

  • Të bëhet plotësimi ndryshim i Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, i cili në mënyrë formalo-juridike mundëson transferimin e të gjithë inspektorëve përkatës dhe kompetent nga niveli lokal tek niveli qendror.

‘Kjo do të mundësonte rritjen e efikasitetit për ushtrimin e Kontrollit Zyrtar të integruar (Inspektim, Monitorim, Auditim, Mostrim) në fushën e sigurisë së ushqimit, shëndetit të kafshëve  dhe mbikëqyrjen e zbatueshmerisë ligjore për ti garantuar konsumatorit ushqim të sigurtë dhe të përshtatshëm, dhe që mbështetet plotësisht në Ligjin e Ushqimit’, tha ajo.

  • Mbështetje më të madhe buxhetore për Agjencionin e Ushqimit dhe Veterinarisë në realizimin e mandatit të saj, si dhe në veçanti të ndahet buxhet në mbështetje në linjat e caktuara për pajisjet e nevojshme dhe te sofistikuara për trupat inspektuese për mbështetjen e Kontrollave Zyrtare.
  • Nuk duhet në asnjë mënyrë të anashkalohet as Laboratori e Ushqimit dhe Veterinarisë si njësi e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.Ky laborator ka nevojë sistematike me furnizim të pajisjeve, mirëmbajtje të pajisjeve dhe reagjentëve laboratorik.
  • Avancimin e mëtejshëm të metodave testuese në përputhje me standardet dhe kërkesat e kohës, ku padyshim rezultatet e tij janë tregues i performancës së Kontrolleve Zyrtare nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë përmes mostrave zyrtare dhe Sistemeve të VET-Kontrollit nga Operatorët e Biznesit me Ushqim përmes mostrave të VET Kontrollit.
  • Të nxisim bashkëpunimin nga niveli Qendror tek ai Lokal për konsolidimin e Zyrave Regjionale të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë,
  • Të zhvillojmë kampanja vetëdijësuese për qytetarët që të jenë sa më të kujdesshëm për ushqimet që zgjedhin ti konsumojmë.
  • Mbështetja e Agjencisë me personel profesionale, konkretisht me inspektorë e veterinarë.
  • ‘’Ky grant financohet nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).’’