Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Deputeti Abazi - pozitës: Ikja nga debati parlamentar për librin është qyqarllëk

Deputeti Haki Abazi ka reaguar në lidhje me mos prezencën e deputetëve të shumicës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku pritej të diskutohej për librat shkollorë.

Ai thotë se ikja nga debati për librin “është qyqarllëk”, teksa shtoi se kryeministri, Albin Kurti sipas Abazit dikur “dikur e djegte me kauza e për kauza që sot dolën të jenë të rrejshme, sot, nuk lejon deputetët e shumicës të vijnë në debat”.

“Libri dhe udha e shkronjave janë të shenjta por ikja nga debati parlamentar për librin është qyqarllëk. Kurti që dikur e djegte Kosovën me kauza e për kauza që sot dolën të jenë të rrejshme, sot, nuk lejon deputetët e shumicës të vijnë në debat. Në formën e njejtë sikur bënë për të mos u ballafaquar me faktin për poshtrimin e palamentit, deputetëve, veteranëve duke u koordinuar me Radojçicin dhe Listën Serbe”- ka shkruar Abazi në Facebook.

Deputeti ka thënë se demokracia nuk ngulfatet dhe se Kurti nuk mundet ta mbysë debatin parlamentar.

“Demokracia nuk ngulfatet, demokracia është fituar me gjak nuk mundet Kurti me mbyt debatin parlamentar”- ka thënë Abazi.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë sot në seancën e thirrur nga opozita për të diskutuar lidhur me librat shkollor.

Në anën tjetër, procesi i sivjetmë i pajisjes së nxënësve me tekste shkollore ka hasur në kritika të shumta.

Për dallim nga vitet e kaluar, prindërit është dashur që vet t’i blejnë librat shkollorë për fëmijët e tyre.

Qeveria e Kosovës ka subvencionuar prindërit për blerjen e librave shkollorë, në shumë prej 80 eurove për fëmijët nga klasa 1-5, për libra dhe mjeteve shkollore, ndërsa nga 30 euro për fëmijët nga klasa 6-9 për blerje të materialeve shkollore.

Për të përfituar subvencionimi, prindërit duhet të aplikojnë përmes platformës e- Kosova.