Ilustrim

Kuvendi miraton mocionin e LDK-së, Kurti raporton për dialogun në ora 13:00

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar mocionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, përmes të cilit u kërkua raportimi i kryeministrit, Albin Kurti, për procesin e dialogut Kosovë – Serbi.

Kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila tha se kryeministri mund të merr pjesë në seancë nga ora 13:00 deri në 16:00.

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca tha se seanca do vazhdojë nga ora 13:00 me raportimin e kryeministrit Kurti.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në fillim të seancës ka propozuar mocion procedural për t’u shmangur nga rendi i ditës.

Abdixhiku ka kërkuar të ndodhë raportimi i kryeministrit, Albin Kurti në lidhje me procesin e dialogut Kosovë – Serbi.

Mocionin e kanë përkahur edhe PDK dhe AAK.

Rreth dy javë më parë, Kuvendi i Kosovës zhvilloi debat parlamentar për zhvillimet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një pjesë e debatit parlamentar për çështjen e dialogut Kosovë – Serbi u shoqërua me kritika e komente nga partitë opozitare, ndërsa nuk munguan as kundërpërgjigjet e kryeministrit Kurti të cilat shkaktuan përplasje mes tij dhe deputetëve.

Gjatë diskutimeve, kryeministri Albin Kurti ishte larguar nga salla e Kuvendit.

Ndërkaq, propozimi i BE-së, i njohur në publik si “plani franko-gjerman”, që Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua shtatorin e kaluar, u pranua gjatë takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në praninë e ndërmjetësuesve evropianë. Ky propozim titullohet: “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Përparimi drejt zbatimit të propozimit, sipas bllokut evropian, do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese, përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.