Besa Gaxherri në Debat Pernime. Foto: Atdhe Mulla

Gaxherri: Ky Popull ka të Drejtë të Ushqehet Sigurt

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, tha se qytetari i Kosovës ushqehet me ushqimin më të shtrenjtë në Europë, por me cilësinë më të dobët në Europë për shkak të importuesve dhe për shkak se institucionet e vendit janë të korruptuara.

“Ndërsa institucionet tona kanë obligim të ofrojnë siguri dhe cilësi për vendin, e jo të bëjnë pazare e të korruptohen duke rrezikuar jetën e popullatës”, tha ajo.

Sipas saj, Qeveria e Kosovës duhet të jetë përgjegjëse që prodhuesit vendorë t’i mbështesë dhe importuesit t’i mbajë nën kontroll dhe t’i sanksionojë në bazë të ligjit.

Gaxherri tha se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës dhe Inspektorati komunal janë përgjegjës jo vetëm për cilësinë e ushqimit, por edhe për higjienën e institucioneve publike dhe private dhe se ata janë përgjegjës për shëndetin e kafshëve, peshqve, shpezëve, për ushqimin e tyre.

“Ky popull ka të drejtë të ushqehet sigurt dhe me ushqim cilësor”, tha ajo.

Ajo deklaroi se Qeveria Haradinaj nuk do të merret me këto probleme.

“LDK është tejet e shqetësuar dhe skeptike që kjo qeveri do të merret me luftën e këtyre dukurive sepse po i bie se do ishte marrë me luftimin e vetvetes”, tha Gaxherri.

Në mars shpërtheu skandali i mishit nga Belgjika kur në këtë shtet një kompani që kishte importuar mish edhe në Kosovë u mbyll për shkak të kushteve johigjienike të mbajtjes së mishit.

http://kallxo.com/gjykata-vendos-per-biznesmenin-anton-jupa/

Nëpër komunat kosovare pas këtij skandali janë sekuestruar sasi të shumta të mishit të mbajtura nën standardet e kërkuara për këtë produkt.