Krasniqi: Dialog me epilog dhe njohje e ndërsjellë, fjali bazë që përmbledh interesin tonë shtetëror

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi deklaroi se seanca e sotme në Kuvend e ftuar nga opozita, nuk ka karakter të përplasjes, por të informimit me atë se çka po ndodh në dialogun me Serbinë.

Krasniqi u shpreh se dialogu me epilog, me njohje të ndërsjellë mes dy vendeve, është fjalia e parë që përmbledh interesin e tyre.

“Dialog me epilog, njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo është fjalia bazë që e përmbledhë interesin shtetërorë dhe konsensusin tonë politik rreth asaj se çka duhet të arrijmë përmes dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”- tha Krasniqi.

Ai tha se Qeveria do të duhej ta ftonte opozitën në Kuvend për një diskutim transparent dhe njoftim në mënyrë periodike për procesin e dialogut.

“Do të kishte qenë e udhës që Qeveria të na kishte ftuar neve opozitën në Kuvend për një diskutim të tillë të hapur e transparent që të na njoftonte në mënyrë periodike për ecurinë e dialogut. Do të ishte e udhës që në rast nevoje të na kërkonte ndihmë e bashkëpunim me aq sa kemi potencial e mundësi sepse po e përsëris që përballë Serbisë mes nesh nuk ka dallime, përballë jemi bashkë”- u shpreh kreu i PDK-së.

Krasniqi kërkoi llogari nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, për tri çështje që për të cilat renditi një varg pyetjesh.

“Çka është qëllimi i propozimit evropian, a ofron ky propozim mundësinë e arritjes së marrëveshjes finale, ligjërisht dhe ndërkombtarisht të obligueshme për palët apo vetëm krijimin e një status QUO-je të re që e zëvendëson aktualen. A është ky propozim vazhdimësi e dialogut të deri tashëm apo një pikë nisje e një procesi të ri. Cila është korniza kohore për arritjen apo mos arritjen e marrëveshjes potenciale. A është formati i këtij propozimi një lloj traktati që e njeh si entitete sovrane Kosovën dhe Serbinë”- u shpreh Krasniqi.

Kreu i PDK-së ka pyetur Kurtin se cili është teksti i fundit dhe përmbajtja zyrtare e propozimit të BE-së dhe se a është pranuar i njëjti në parim.

“Cili është teksti i fundit dhe përmbajtja zyrtare e këtij propozimi, a e keni pranuar këtë tekst në parim dhe sa besoni që mund të ndryshojë teksti final pre atij që e keni thënë që ka bazë të mirë. A e parasheh propozimi evropian njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë? Kur ndodhë njohja e ndërsjellë? Sa ka arritur Qeveria që të përfshijë komentet e veta në versionin e fundit?”-ka pyetur Krasniqi.

Më tej, ai theksoi edhe gjashtë kushtet të cilat kryeministri i vendit i kishte prezantuar para deputetëve për themelim të Asociacionit, për të cilat deputeti Krasniqi kërkoi të dijë se a janë prezantuar para ndërkombëtarëve.

“Kush janë garantuesit e zbatimit të marrëveshjes që mund të arrihet përmes këtij propozimi, a keni garancinë nga partnerët ndërkombëtarë se Kosova do të njihet nga pesë shtetet mos njohëse në rast se arrihet marrëveshja? A i keni kumtuar gjashtë kushtet për themelimin e asociacionit partnerëve ndërkombëtarë dhe nëse nuk pranohen a do të tërhiqeni nga një nga ato? A parashihet vazhdimi i dialogut në Bruksel edhe pas arritjes së marrëveshjes potenciale”- shtoi ai.

“Këto janë pytetjet që konsideroj që janë të rëndësishme dhe që mund të qartësojnë sadopak kjo situatë e mjegullt që e ka karakterizuar dialogun në kohët e fundit“- tha mes tjerash Krasniqi.

Kuvendi i Kosovës po zhvillon debat parlamentar për zhvillimet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.