Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abdixhiku: Qeveria ka dy rrugë, të zhbëjë marrëveshjen e Asociacionit ose ta zbatojë sipas Kushtetueses

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij ishte i paqartë.

“Sot në këtë Kuvend, kryeministri ishte tërësisht i paqartë sepse në njërën anë thotë se ka një draft të dytë, tha është dokument “merre ose leje”, por njëkohësisht e ka pranuar si bazë të mitë, tani s’mund të pranosh një bazë të mirë diçka që është “merre ose leje”, ose është bazë përfundimtare ose fillestare” – tha Abdixhiku.

“Shpërputhja me e madhe dhe logjike është mes refuzimit që provon t’ia bëjë Asociacionit dhe pranimit brenda draftit që na e elaborojë e që se kemi parë asnjë. Respektimi i marrëveshjeve paraprake është pranim i Asociacionit” – shtoi ai.

Abdixhiku tha se për LDK-në, Asociacioni duhet të bëhet sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese dhe shtoi se kryeministri duhet ta kuptojë edhe një të vërtetë që para vetes ka një marrëveshje të ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013.

“Për LDK-në ky Asocionacion duhet të bëhet sipas interpretimit Kushtetues, dhe ky interpretim i heq të gjitha elementet e frikës që mund t’i kemi të gjithë. Kryeministri i Kosovës duhet të kuptojë edhe një të vërtetë të vetme që para vetes ka një marrëveshje të ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013”- theksoi Abdixhiku.

Ai deklaroi se Qeveria ka dy rrugë, ose ta zhbëjë marrëveshjen e Asociacionit ose ta zbatojë sipas Kushtetueses.

“Janë dy rrugë: Ta zhbëni këtë marrëveshje ndërkombëtare dhe dy ta implementoni sipas Gjykatës Kushtetuese, të tjerat janë lojëra fjalësh”- u shpreh Abdixhiku.

Kuvendi i Kosovës po zhvillon debat parlamentar për zhvillimet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Më 6 shkurt, pas drekës me me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se Kosova e pranon propozimin e Bashkimit Evropian i njohur si plani franko – gjerman.

Dhjetë vjet më parë, në prill të vitit 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia nënshkruajtën një marrëveshje, e cila s’u zbatua asnjëherë.

Ujdia për Asociacionin parashihte t’i përfshinte dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq, Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Ranillug dhe Partesh. Synimi ishte integrimi i serbëve lokalë në tërë territorin e vendit.

Fillimisht, Gjykata Kushtetuese kishte pezulluar Marrëveshjen për Asociacionin më 10 nëntor të vitit 2015.

Ndërsa, më 23 dhjetor të po të njëjtit vit, Gjykata Kushtetuese kishte vlerësuar se parimet e Asociacionit “nuk janë tërësisht” në përputhshmëri me aktin më të lartë juridik të vendit.

Që nga ajo kohë, Asociacioni ishte shpesh temë e diskutimeve në skenën politike në Kosovë e Serbi, por marrëveshja për të nuk u zbatua asnjëherë.