Me vetëm 25 deputetë në sallë vazhdon debati për skandalin e mishit

Pasi u kthyen nga pushimi, me gjysmë ore vonesë po vazhdon seanca në të cilën po diskutohet për skandalin e mishit të prishur.

Seanca e Kuvendit, ku po diskutohet për skandalin me mish të prishur dhe cilësinë e ushqimit në Kosovë, po vazhdon me vetëm 25 deputetë në sallën plenare. Prezent nuk është asnjë përfaqësues i qeverisë, as kryeministri e asnjë nga vartësit e tij.

Debati parlamentar për këtë temë u iniciua nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu bashkë me deputetët e pavarur. Në fund të debatit, ligjvënësit do të nxjerrin rekomandime të cilat do t’i votojnë në formë rezolute.

Musliu në fjalën e saj hyrëse, propozoi këto pika;

  • Të bëhet plotësimi ndryshim i Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, i cili në mënyrë formalo-juridike mundëson transferimin e të gjithë inspektorëve përkatës dhe kompetent nga niveli lokal tek niveli qendror.

‘Kjo do të mundësonte rritjen e efikasitetit për ushtrimin e Kontrollit Zyrtar të integruar (Inspektim, Monitorim, Auditim, Mostrim) në fushën e sigurisë së ushqimit, shëndetit të kafshëve  dhe mbikëqyrjen e zbatueshmerisë ligjore për ti garantuar konsumatorit ushqim të sigurtë dhe të përshtatshëm, dhe që mbështetet plotësisht në Ligjin e Ushqimit’, tha ajo.

  • Mbështetje më të madhe buxhetore për Agjencionin e Ushqimit dhe Veterinarisë në realizimin e mandatit të saj, si dhe në veçanti të ndahet buxhet në mbështetje në linjat e caktuara për pajisjet e nevojshme dhe te sofistikuara për trupat inspektuese për mbështetjen e Kontrollave Zyrtare.
  • Nuk duhet në asnjë mënyrë të anashkalohet as Laboratori e Ushqimit dhe Veterinarisë si njësi e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.Ky laborator ka nevojë sistematike me furnizim të pajisjeve, mirëmbajtje të pajisjeve dhe reagjentëve laboratorik.
  • Avancimin e mëtejshëm të metodave testuese në përputhje me standardet dhe kërkesat e kohës, ku padyshim rezultatet e tij janë tregues i performancës së Kontrollave Zyrtare nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë përmes mostrave zyrtare dhe Sistemeve të VET-Kontrollit nga Operatorët e Biznesit me Ushqim përmes mostrave të VET Kontrollit.
  • Të nxisim bashkëpunimin nga niveli Qendror tek ai Lokal për konsolidimin e Zyrave Regjionale të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë,
  • Të zhvillojmë kampanja vetëdijësuese për qytetarët që të jenë sa më të kujdesëshëm për ushqimet që zgjedhin ti konsumojmë.
  • Mbështetja e Agjecisë me personel profesionale, konkretisht me ispektorë e veterinarë.