Foto: KALLXO.com

Nis Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqipe, arvanitasit nga Siria nuk i jepet vizë për të hyrë në Kosovë

Arvanitasi i Sirisë, Alban Jonuzi, nuk do të jetë në mesin e 120 seminaristëve të huaj që do të marrin pjesë në Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqipe.

Atij i është refuzuar viza për të hyrë në Kosovë dhe i është pamundësuar kështu të ndjekë punimet e Seminarit të 41-të, i cili ka nisur sot në Prishtinë.

Me këtë ngjarje e filloi fjalimin drejtori i Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqipe, Bardh Rugova, në hapjen solemne të edicionit të 41-të të Seminarit.

“Ka bërë ftesë të vijë në seminar dhe shpresova fort ta kishim këtu, tek ajo ulësja, por sërish administratorët e kanë vlerësuar se ai mund të bëhet barrë për shtetin e Kosovës dhe se ndoshta nuk duhet t’i jepet vizë për të hyrë në Kosovë” – tha ai, duke treguar se Alban Jonuzi është biri i Sadik Jonuzit, një arvanitasi të Sirisë, të ikur nga Siria në vitin 2011 pas trazirave dhe konfliktit që nisi në këtë vend.

Rugova tha për Jonuzin se është simboli që na tregon se si duhet atdheu edhe kur ta kthen shpinën, siç thotë ai, në kohë të vështira.

Drejtori i këtij Seminari thotë se departamentet e shqipes në botë po zvogëlohen dhe po shuhen.

“Shqipja ka status të pafavorshëm në vendet ku është pakicë, ndërsa folësit e brezit të dytë e të tretë të shqipes në mërgim, shndërrohen gradualisht në gjysmëfolës, para syve tanë” – tha Rugova.

Bardh Rugova konsideron se Seminari ka tre ndikime, fillimisht duke mundësuar shkëmbime kulturore me vende dhe kultura të tjera, përfaqësime kulturore të albanologjisë në botë dhe përkthime të veprave në gjuhën shqipe dhe gjuhë të tjera të botës.

Ndikimi i dytë, sipas tij, është arsimor dhe studimor dhe ndikimi i tretë – integrues.

120 seminaristët e huaj të cilët marrin pjesë në këtë Seminar do të mësojnë tre nivelet e gjuhës shqipe.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, në fjalimin e tij u shpreh se u është mirënjohës të gjithë kontribuesve që punuan për realizimin e këtij seminari.

“Përtej mbështetjes së domosdoshme materiale, pa bashkëpunim dhe ndërveprim  të drejtpërdrejtë të drejtorisë me qendrat e studimit të albanologjisë në botë, pa një bashkëpunim me autoritete shkencore e ndërkombëtare të albanologjisë në botë, ne nuk do të mund të kishim një program aq të pasur dhe dinjitoz” – tha ai.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Nagavci u shpreh se gjuha shqipe vazhdon të jetë me interes për studiues e gjuhëtarë nga e gjithë bota dhe, sipas saj, përmes Seminarit po promovohen vlera dhe kultura dhe se me gjuhën po lidhen ngusht si kurrë më parë.

Ndërsa ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicolas Abbott, vlerësoi po ashtu Seminarin duke thënë se veprat e Ismail Kadaresë dhe të Naim Frashërit kanë krijuar urë lidhëse mes kulturave.

Ai shtoi se gjuha shqipe është e rëndësishme të ruhet dhe se shkëmbimi i gjuhëve nuk ka qenë kurrë më i  rëndësishëm.

“Ajo që rrezikojmë të humbasim nuk është thjesht një mjet komunikimi. Letërsia shqipe me rrënjët e saja të thella ofron një dritare të gjerë”, tha Abbott.

Seminari i 41-të i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe do të jetë i hapur deri më 25 gusht.