Alarmi nga Hani i Elezit, komuna pa fonde për trajtimin e ekstremizmit

Komuna e Hanit të Elezit po e ka problem të sigurojë staf të trajnuar për trajtimin dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Kryetari i kësaj komune i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se nuk ka kujt i kërkon ndihmë për të profesionalizuar ekipë që merret me të rikthyerit, apo edhe buxhet për parandalimin e ekstremizmit.

“Trajnime diçka nuk kemi pasur por është me rëndësi, pasi që unë kam pasur vërejtjen time, miliona euro jepen vetëm nga ana a Qeverisë së Kosovës dhe fondeve ndërkombëtare, bile te ne kanë ardhur shumë OJQ, por kur vjen puna te Hani i Elezit nuk parashihen as miliona as trajnime, as para, e parët i hargjojnë në konferenca të ndryshme në dreka e darka”, thotë kryetari Suma.

Ai shton se as trajnime nuk kanë pasur në lidhje me këtë çështje.

“Prej nivelit qendror thonë që neve nuk na intereson ju e keni buxhetin. Na e kemi një buxhet për bashkë-investim. Ne nuk mundemi me specifiku në kod të buxhetit për parandalim. E kemi kodin për bashkëinvestim ku janë rreth 50 mijë euro. Na u mytëm tu kërku staf së pari na duhet staf i trajnuar e nuk kemi. Na kemi me kërku prapë,  por ku me kërku, kush të dëgjon ky është problemi. Kujt me i kërku kur nuk të jep kërkush asgjë”, tha Kryetari i Komunës, Rufki Suma.

Hani i Elezit Komuna që pushtoj ballinat e gazetave më të mëdha botërore për shkak të numrit të madh të luftëtarëve të IS që ishin nga kjo komunë nuk po arrinë të bindë Qeverinë e Kosovës për ta ndihmuar financiarisht në zhvillimin e aktiviteteve sociale për të rikthyerit nga Siria dhe Iraku.

Komuna e Kaçanikut, Foto: Facebook

Një hulumtim i kryer nga GJnK tregon se Komunat e Kosovës kanë qasje të ndryshme në trajtimin e ekstremizmit të dhunëshëm përderisa nuk dihet qartë se cilat janë aktivitetet e planifikuara për vitin e ardhshëm.

Komunat e  testuara, Mitrovica, Vushtrria, Gjilani, Kaçaniku, Vitia, Prizreni, Prishtina, Hani i Elezit, nuk kanë dhënë përgjigje të sakta për projetktet dhe linjat buxhetore të ndara për të kryer këto aktivitete ndërsa projektet dallojnë si nata me ditën nga komuna në komunë.

Komuna e Hanit të Elezit prej nga janë  mbi 20 kosovarë që iu bashkangjitën luftërave të huaja vazhdon të ketë një psikolog i cili ka një kontratë mbi vepër ndërsa komuna ankohet për mungesë fondesh për të ndihmuar familjet e të rikthyeve dhe parandaluar zhvillimin dhe përhapjen e propagandave ekstreme.

“Kemi kërkuar fonde për aktivitete por nuk kemi përkrahje nga buxheti qendror” thotë kryetari i kësaj komune.

Shabi Regjallari, Drejtor për Buxhet dhe Financa në këtë komunë ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se ekziston një fond i veçantë për ndihma që parashihen tu jepen personave të cilët kanë nevojë, por që kjo ndihmë nuk është vetëm për personat të cilët janë rikthyer nga vatrat e luftës.

“Zakonisht nuk i përshkruajmë pasi që nuk na lejohet ta përshkruamë kështu në buxhet por e kemi një fond për mjete për bashke investime. Ne vjet e kemi lidhur një kontratë ka qenë diku 30 mijë euro dhe komuna ka participuar 7 mijë euro, por jo personave direkt por ka qenë në një anë me i shti me i kyç me i trajnu që kanë qenë në biznese tash kanë përfitu dikush prej tyre, 11 përfitues janë por nuk e di nëse janë nga ata që po pyesni ju”, ka thënë ai për Gazeta Jeta në Kosovë.

Vitet e fundit, ekstremizmi dhe terrorizmi, këto dy terme zunë vend në shumë projekte vendore  e ndërkombëtare, por nuk zunë vend aty ku do të duhej, në buxhetin e Komunave të Kosovës të cilët do t’i trajtonin rastet e të rikthyerve dhe do të ndihmonin në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë.

74 fëmijë, 32 gra e katër burra, iu ri-bashkuan Kosovës prapë. Kjo pasi që të njëjtit u ri-atdhesuan nga luftërat e huaja në mes të prillit të këtij viti.

Institucionet e sigurisë e të drejtësisë u kujdesën që plani i veprimit për rikthimin e 110 kosovarëve të bëhet në mënyrën më të mirë dhe pa asnjë problem.

Të ardhurit nga luftërat e huaja duan trajtim të veçantë, duan ri- integrim në shoqëri duan rëndësi.

Këto janë disa nga fjalët e famshme që kemi dëgjuar në më shumë se pesë emisione të Drejtësia në Kosovë, emisione këto që trajtonin temat e deradikalizmit në Kosovë dhe mënyrën e kujdesjes së të rikthyerve.

Këto emisione ishin transmetuar para rikthimit të 110 kosovarëve e ku nga to ishte mësuar se Komunat e Kosovës nuk kishin buxhet të planifikuar për ta si dhe institucionet relevante në komuna siç janë edhe Qendrat për Punë Sociale nuk kishin kushte bazike për trajtimin e këtyre rasteve.

Komunat e Kosovës të pyetur nga Gazeta Jeta në Kosovë, kanë treguar se edhe pavarësisht faktit të të rikthyerve, nuk kanë buxhet specifik për të rikthyerit, por aktivitetet në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm nuk mungojnë.

Të kthehemi pak pas, Komuna e Vitisë, në njërin nga emisionet e Drejtësia në Kosovë, kishte treguar se nuk kanë personel adekuat për trajtimin e rasteve të të rikthyerve ose personave që akuzohen e janë të involvuar në çështjet e terrorizmit dhe ekstremizmit.

Madje ata kishin thënë se nuk kanë pasur ndonjë plan buxhetor të ndarë për çështjen e parandalimit të ekstremizmit e madje as projekte adekuate për parandalimin e terrorizmit.

Për dallim nga Vitia, ani pse janë në një regjion, Komuna e Gjilanit ka thënë se ka staf të mjaftueshëm e profesional që merren me rastet e ekstremizmit dhe terrorizmit, madje të njëjtit për katër vite kanë thënë se kanë implementuar një projekt për parandalimin e ekstremizmit.

Psikologët mungonin në shumicën e Qendrave për Punë Sociale në Komunat e Kosovës.

Kaçaniku komuna tjetër  nga ku udhëtuan dhjetëra kosovarë për në Siri dhe Irak është fokuzuar në projekte kulturore artistike. Në një përgjigje zyrtari i kësaj komune thotë se kanë realizuar aktivitetet të cilat kanë për qëllim parandalimin e ekstremizmit të dhunëshëm.

Tani pas një kohe të gjatë nga emisioni ku u trajtuan problemet e Kaçanikut sa i përket kësaj çështjeje, kjo komunë i ka thënë Gazeta Jeta në Kosovë se përmes subvencioneve të Drejtorisë së Arsimit dhe Kulturës realizohen projekte të ndryshme të cilat në mënyrë direkt apo indirekte ndihmojnë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

“Këtu hyjnë edhe projektet kulturore artistike të cilat kanë qëllim që të rinjtë të orientohen kah një rrugë e drejt, dhe të largohen nga dukuritë negative që tashmë është edhe ekstremizmi i dhunshëm”, thuhet në një përgjigje të Komunës së Kaçanikut, drejtuar Gazetës Jeta në Kosovë.

Ata dhanë detaje edhe se si po përkrahen këto projekte.

“Në këtë drejtim është përkrahur me subvencione Këshilli i Veprimit Rinor  lokal në Kaçanik, i cili realizon aktivitete sensibilizuese për të rinj, aktivitete kulturore rekreative si Organizimi i javës së Rinisë, asistencë në përgatitjen e ligjëratave të ndryshme për të rinj, ku tash pritet së shpejti të mbahet ligjërata “ Menaxhimi i Stresit” etj. Poashtu përmes subvencioneve janë përkrahur edhe klubet sportive të Komunës së Kaçanikut të cilët klube tubojnë shumë të rinjë dhe zhvillojnë aktivitete të ndryshme sportive si gara e turnirë të ndryshëm , që kanë për qëllim tubimin e të rinjëve me aktivitete të menaxhuara dhe të kontrolluara pa ndikime nga jashtë”, thuhet tutje në përgjigjen Fatlume Selimit nga zyra e Kryetarit Besim Ilazi.

Pamje nga Kaçaniku | Foto: KALLXO.com

Ndryshe nga Hani i Elezit e Kacaniku ku disa aktivitete pretendohet të jenë realizuar në komunën e Vitisë nuk ka asnjë fond të planifikuar për zhvillim të aktiviteteve për parandalimin e ekstremizmit.

“Komuna e Vitisë është edhe anëtare e rrjetit Global të Qyteteve të Forte që synon identifikimin dhe adresimin e faktorëve të rrezikshmërisë, të ndërlidhura me ekstremizmin e dhunshëm përmes angazhimit të rrjetit. Ndonëse nuk kemi të ndarë buxhet të veçantë për këtë çështje të gjitha shpenzimet mbulohen nga njësit e ndryshme shpenzuese”, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë, Kryetari i Kësaj Komune, Sokol Haliti.

Komuna e Vitisë, Foto: Komuna e Vitisë/Facebook

Ndryshe nga Vitia, Kaçaniku e Hani i Elezit, komuna e Gjilanit ka adaptuar një metodë tjetër për trajtimin e ekstremizmit të dhunëshëm.

Në këtë komunë është ndërtuar një Mekanizëm Referues i cili trajton rastet e raportuara .

“Mekanizmi Referues punon për parandalim të rasteve të raportuara nga ana e familjeve, personelit të shkollës, apo Policisë së Kosovës dhe imamëve dhe i integron ata në shoqëri duke vlerësuar sipas rasteve edhe me pako mbështetëse deri në integrim të plotë. Në aspektin financiar, Mekanizmi ka marrë mbështetje financiare nga UNDP, por gjithashtu, edhe mbështetje me inventar dhe pajisje teknologjike. Mirëpo, edhe në planin e punës të Zyrës së Kryetarit është mbështetur dhe do të vazhdoj edhe më tutje mbështetja në forma të ndryshme, që nga udhëtimet zyrtare, takimet e rregullta, trajnimet etj”, thuhet tutje në përgjigjen e Komunës.

Zgijidhje përmes subvencionimimt të projekteve me këtë temë ka paraparë komuna e Drenasit.

Shyqeri Bublaku,  Drejtor për Buxhet dhe Financa në Komunën e Drenasit, ka thënë se kanë paraparë rritje të subvencionimeve për projektet e kësaj natyre që vijnë nga Drejtoria e Kulturës.

“Kemi paraparë diçka por shumë nuk mundem me të dhanë. Kemi me organizu aktivitete në shkolla të mesme në shkolla fillore me shoqëri civile kemi paraparë diçka për këtë kategori”, tha ai.

Komuna e Drenasit – Foto: Facebook/ Komuna e Drenasit

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka për Gazetën Jeta në Kosovë ka thënë se nuk kanë planifikuar buxhet në këtë kategori por tregon se kanë disa projekte për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në këtë komunë.

“Drejtë për drejt nuk kemi por kemi disa projekte me organizata ndërkombëtare dhe kosovare, kemi tre katër projekte të cilat impelementohen në Komunën e Prizrenit. Ne si komunë mendojmë se arsimi kualitativ dhe punësimi i të rinjve është arma kryesore kundër çfarë do lloji të ekstremizmit. Që dy vite jemi duke organizuar edhe panairin e punës në Prizren për të rinjtë po ashtu kemi edhe projekte me furnizim të punës në të gjitha shkollat, po ashtu kemi edhe një projekt me nxënësit e dopt ku mbahen orë shtesë por të njëjtën kohë edhe orë shtesë për nxënësit që janë avancuar në fusha të ndryshme. Mendoj se buxheti i cili faktikisht shkon në arsim kualitativ dhe gjetja e punë kërkuesve dhe punëdhënësve janë më efektiv se sa ndonjë konferencë apo takim”, tha Haskuka.

Komuna e Prizrenit – Foto: Atdhe Mulla

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri thotë se ende nuk ka filluar projektimi për buxhetin e vitit të ardhshëm.

“Komuna e Vushtrrisë ka nënshkruar një marrëveshje me një OJQ që ka për qëllim me ju ndihmu të ri-atdhesuarit pa dallim edhe ata që mund të jenë të kësaj kategorie, ndërkohë që projektimi i buxhetit për vitin tjetër ende nuk ka filluar. Zakonisht këto projekte i lejmë në projekte për bashkëfinancim sepse presim të kemi edhe OJQ që presim me bashkëpunu për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm”, thotë Tahiri.

Ai shton tutje se buxheti i komunës është i ndarë në kategori dhe se kjo e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm mund të hyjë në atë si bashkëfinancim.

“Buxheti është i ndarë në tri kategori, neve nëse kemi kërkesa nga OJQ, ideja është që nga kategoria e subvencioneve apo për bashkëfinancim me i përkrah projektet e tyre, nëse linjat buxhetore nuk e lejon që të kemi buxhet specifik për këtë qëllim, janë të përgjithësume linjat buxhetore. Nuk kemi pasur kërkesa, por nëse kemi kërkesa do të mundohemi të i trajtojmë qoftë përmes granteve e subvencioneve këto kërkesa por do të preferonim që të kishim OJQ që do të hynim në një partneritet që pastaj me pas mundësi me dhanë ndihma konkrete”, tha Tahiri.

Drejtori për Buxhet dhe Financa në Mitrovicë, Shukri Gashi i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se planifikimi i buxhetit të Komunës së Mitrovicës është bërë vetëm në vija të trasha.

Ai thotë se është mbajtur një takim sa i përket parandalimit të ekstremizmit. Tutje shton se nuk është bërë ndonjë propozim për buxhet të ndarë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

“Planifikimi i buxhetit është bërë vetëm në vija të trasha. Sot ka qenë një takim nga Ministria e Financave për propozime. Propozimet janë të obliguar ti dërgojnë me email në Ministrinë e financave. Nuk e di Drejtoria për raste emergjente, është mbajtur një takim kundër ekstremizmit dhe mua nuk më ftojnë në kësi takime kështu e nuk e di çka është diskutu. Takimet do të mbahen në gusht, çdo komunë ka për afat shtatorin për propozime për buxhet. Nuk është projekt i bërë nga drejtoria e financave nuk është bërë ndonjë propozim nga ana jonë, Drejtoria e Emergjencave si dhe ata për Komunitet dhe Kthim masi është për të riatdhesuar me bo një projekt ose me nda pjesë- pjesë ose të përbashkët dhe me  e dërgu si propozim. Nuk ka ndonjë projekt apo të paktën nuk kam informacion nëse kemi ndonjë projekt sa i përket të ri-atdhesuarve”, ka thënë ai.

Arkiv: Ndertesa e Komunes se Mitrovices

Komunat kanë një rol të rëndësishëm në parandalimin e ekstremizmit të dhunëshëm aktivitetet e tyre janë paraparë edhe në strategjinë e ndërtuar për këtë sektor.

Gruas nga Gjilani e cila kishte burrin në Siri iu refuzua tri herë sociali  

Pak projekte për të rikthyerit nga luftërat e huaja në Obiliq

Certifikata e të vdekurve i lë pa ndihma familjet e të vrarëve në Siri e Irak

Si po jetojnë gratë dhe fëmijët e rikthyer nga Siria