Foto: RTV 21

Duhet Kohë që Shtetet e BE-së ta Miratojnë Lëvizjen pa Viza

Edhe nëse demarkacioni është kushti i vetëm që pengon lëvizjen pa viza të kosovarëve, duhet kohë për miratimin e liberalizimit nga shtetet anëtare të BE-së.

Njohësja e integrimeve europiane Donika Emini tha për rtv21.tv se ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit duhet të ndodhë në Kuvendin e Koosvës në mars në mënyrë që deri në fund të vitit të miratohet lëvizja pa viza.

“Në fund të vitit mund të liberalizohen vizat vetëm nëse demarkacioni kalon tani. Kjo marrëveshje duhet me u ratifiku prej neve, pastaj me shku rekomandimi në Parlament, e mandej me u votu nga shtetet anëtare [të BE-së], domethënë është një proces i cili merr kohë gati një vit”, tha Emini.

Emini dha edhe një arsye pse marrëveshja e demarkacionit duhet të ndodhë me këtë përbërje të Komisionit Europian.

“Nëse nuk e votojmë tani, atëherë ka zgjedhje parlamentare, ka me pasë prapë ndryshim Komisioni Europian”, tha Emini.

Të mërkurën Kosovën e vizituan krerët e institucioneve të BE-së Jean Claude Juncker, Federica Mogherini e Johannes Hahn.

Analisti Artan Muhaxhiri e vlerësoi shumë të rëndësishme vizitën e treshes së BE-së.

“Kjo vizitë ka qenë e jashtëzakonshme edhe është një vlerësim i madh për Kosovën, edhe pse klasa politike kosovare nuk e meriton një vlerësim të tillë, mirëpo BE-ja ka treguar që e ka në interes anëtarësimin e Kosovës në BE dhe e trajton atë si shtet të barabartë i të gjithë fqinjët tanë, pra pa asnjë dallim politik”, tha Muhaxhiri për rtv21.tv.

Shefi i Komisionit Europian gjatë vizitës në Kosovë paralajmëroi se asgjë e mirë nuk do të ndodhë derisa ka krim të organizuar dhe korrupsion.

http://kallxo.com/juncker-asgje-e-mire-nuk-te-ndodhe-derisa-ka-korrupsion-e-krim/