Sa para investoi Fisnik Ismaili në biznesin e fitnesit

Pasuria e deputetit të Partisë Socialdemokrate, Fisnik Ismaili  ka ‘avancuar’ këtë vit në krahasim me vitin 2018, kështu duke e forcuar titullin ‘milioner’.

Sipas deklarimit të pasurisë që Ismaili e ka bërë në Agjencinë Kundër Korrupsion ai në fillim të këtij viti ka krijuar dy kompani me kapital 180 mijë euro.

Njëra është “Transformohu Health Fitness” që e ka vlerësuar me 120 mijë euro kapital dhe tjetra “Ha mirë” me 60 mijë euro kapital, ku thotë se ka vetëm 25 përqind të aksioneve.

Ismaili edhe në 2019 ka deklaruar se është pronar i kompanisë “Karrota” me kapital 700 mijë eurosh, njësoj sa ishte në vitin 2018.

Si pasuri të luajtshme edhe këtë vit Ismaili ka treguar se posedon një Veturë Audi a6 me vlerë 13 mijë euro.

Ndërsa sa i përket mobileve dhe orendive, Ismaili këtë vit ka investuar 2 mijë euro më shumë në to në krahasim me vitin e kaluar, kështu duke deklaruar se kanë vlerë prej 13 mijë eurosh.

Investime Fisnik Ismaili ka bërë edhe në teknikë. Nga 11 mijë euro sa kishte deklaruar në vitin e kaluar, këtë vit thotë se e kanë vlerën prej 13 mijë eurosh.

Një investim të ri Ismaili e ka bërë në bibliotekë personale në vlerë prej 5 mijë eurosh.

Edhe paratë e gatshme kanë shënuar rritje nga deputeti i Kuvendit të Kosovës. Nga 2 mijë euro sa i kishte deklaruar në vitin 2018, këtë vit ai ka një mijë më shumë. 1 mijë e 200 euro në bankën NLB dhe 1 mijë e 800 në TEB.

Ismajli ka vetëm një obligim financiare në bankën TEB, njësoj si në vitin 2018. Ai vlerën e kësaj kredie këtë vit e ka ulur vetëm 1 mijë euro, nga 31 në 30 mijë euro.

Deputeti i PSD-së si pasuri të paluajtshme edhe këtë vit i ka deklaruar dy banesa në vlerë prej 100 mijë eurosh.

Ndërsa sa i përket të hyrave vjetore, nga Kuvendi i Kosovës ai ka deklaruar se merr 17 mijë e 341 euro si dhe pagën e profesorit në Kolegjin AAB 5 mijë euro.