Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Luksi i Qeverisë së Hashim Thaçit; verë të zier me dardha

Në faturat e shpenzimeve të ish Kryeministrit Hashim Thaçi, tani president i Republikës së Kosovës, vërehet edhe një porosi interesante.

Në një darkë më 1 maj të 2011, në ora 23:00 në ‘Gizzi’ ishin porositur 3 gota verë të kuqe në të cilat ishte zier dardha.

Aty janë porositur edhe 5 rakia të dardhës me vlerë prej 15 euro në total.

Si edhe herëve tjera, në këtë porosi nuk mund të mungonte edhe vera “Amarone”, ku ishin porositur tri të tilla. Një copë e kësaj verë kishte kushtuar 65 euro, ndërsa totali kishte kapur shifrën e 195 euro. Të gjitha këto të paguara nga buxheti i shtetit.

Aty ishin porositur edhe 2 gota tjera alkool të llojit “Baileys” që kanë kushtuar 3 euro copa.

Ndërsa llojet e ushqimit që janë porositur janë të ndryshme. Natën e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, ishin ngrënë 4 “stek në grill” që kishin kushtuar në total 32 euro.

Ishin porositur edhe pasta e sallata të ndryshme.

KALLXO.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa Han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.