Komuna pranon barna donacion e harxhon 950 euro në darkë

Komuna e Suharekës në qershor të vitit të kaluar kishte shtruar drekë më vlerë prej 949 euro për disa doktorë amerikanë.

Në këtë drekë nuk specifikohet se çfarë lloj ushqimi është porositur, por është i shënuar vetëm çmimi dhe që ka qenë në darkë.

Kjo darkë ishte shtruar me rastin e vizitës së disa mjekëve amerikanë, të cilët në Suharekë kishin dhuruar barna falas dhe kishin bërë vizita falas.

“Me rastin e vizitës së mjekëve amerikanë, ku me këtë rast kanë dhuruar barna dhe vizita falas për qytetarët e Komunës së Suharekës. Për t’i falënderuar për ndihmën e dhuruar, Kryetari i ka ftuar në drekë. Andaj dhe kërkohet të lejohen mjete në shumë prej 949.00”, thuhet në arsyetimin e pagesës që e ka bërë Komuna e Suharekës.

Të pranishëm kanë qenë 73 persona. Darka për një person kishte kushtuar 13 euro.

Kjo darkë ishte shtruar më 6 korrik të vitit të kaluar.

KALLXO.com ka filluar publikimin e dosjes “Sa Han Kryetari” ku do të bëhen publike shpenzimet e drekave dhe darkave zyrtare të kryetarëve të komunave dhe zyrtarëve tjerë.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.