Gjykatësi pa shtëpi

Gjykatësi i Gjykatës së Prishtinës Beqir Kalludra si duket nuk posedon as shtëpi e as banesë në emër të tij.

Kështu ka deklaruar Kalludra në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Në deklarimin e tij të pasurisë për vitin 2019, gjykatësi Kalludra ka thënë se jeton në një banesë me qira.

Por ndonëse nuk ka shtëpi në emër të tij, Kalludra ka deklaruar se posedon një tokë bujqësore dhe një truall vlera e përbashkët e të cilave është 123 mijë euro.

Truallin në sipërfaqe prej 6.73 m2, gjykatësi Kalludra ka deklaruar se e ka blerë gjatë këtij viti.

E si pasuri të luajtshme, gjykatësi i krimeve të rënda të Gjykatës së Prishtinës ka thënë se e posedon një veturë me vlerë 8 mijë euro.

Në formularin e deklarimit të pasurisë, figuron se gjykatësi posedon para të gatshme në bankë në shumë prej 9 mijë e 918 eurove, para për të cilat ai ka thënë se i posedon nga marrja e kredisë prej 15 mijë eurove.

“Dëshiroj të ju informoj, se shuma e parave të gatshme në konton time, është pjesa nga shuma e kredisë qe e kam pranuar nga NLB Banka, prej 15,000.00 euro dhe 5,000.00 i kam tërheq për nevoja ndërtimore, dhe shumë shpejte bëhet edhe tërheqja e kësaj shume të të hollave për të njëjtin qëllim”, ka deklaruar Beqir Kalludra.

Si detyrime financiare gjykatësi ka deklaruar se ka 17 mijë e 800 euro, prej të cilave 15 mijë euro i ka detyrim ndaj bankës dhe 2 mijë e 800 euro ndaj një personi fizik.

Ndërsa të hyrat vjetore nga paga e gjykatësit, Kalludra ka thënë se janë 30 mijë e 836 euro e 98 cent.