Dorëheqja e Haradinajt, Isa Mustafa mbledh kryesinë
Lidhja Demokratike e Kosovës në orën 19:30 ka paralajmëruar mbledhje të jashtëzakonshme të kryesisë se saj.
Kjo erdhi pas vendimit të Ramush Haradinaj, i cili gjatë ditës së sotme dha dorëheqje nga posti i tij i kryeministrit pasi që i njëjti tha se është ftuar si i dyshuar nga ana e Gjykatës Speciale.
Haradinaj dha dorëheqje në mbledhjen e Qeverisë duke thënë se në Gjykatën Speciale nuk mund të shkojë si përfaqësues qeverisë së Kosovës.
Kujtojmë së para së Haradinaj të marrë këtë post, ishte lideri i LDK-së, Isa Mustafa, kryeministër i vendit dhe që e njëjta parti ka kërkuar rrëzimin e Qeverisë.
Mustafa pas këtij vendimi tha së ndjejnë keqardhje që kjo ndodhë për shkak të ftesës nga Dhomat e Specializuara, të Kryeministrit të Kosovës.
Historiku i Gjykatës Speciale:
Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.
Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.
Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.
Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.
Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.
Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.