Dhurata Hoxha nuk pret vendim për liberalizimin në qershor (VIDEO)

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, nuk është optimiste se Këshilli i Ministrave të BE-së në takimin e qershorit, do ta ketë në rend dite për votim liberalizimin e vizave për qytetarët e  Kosovës.

Nuk besoj që do ta fusin në agjendë në qershor. Nuk e besoj që do ta fusin në rend dite në qershor sepse nuk po e shoh një vullnet të tille te shtetet anëtarë, por nëse kanë vullnet ta fusin në tetor ose në nëntor, kjo çështje mund të kryhet shumë shpejt. Jemi në hapin e fundit dhe nuk ka kthim mbrapa”, tha ministrja Dhurata Hoxha.

Në emisionin Argument Plus në TV21, ministrja  Hoxha tha se Franca dhe Gjermania nuk do ta nxjerrin  në votim këtë çështje pa e arritur  konsensusin prapave dyerve te mbyllura.

“Nuk mund të japim afate. Gjithçka varet nga shtetet anëtare. Rolin kryesor do ta kenë Gjermania dhe Franca. Kemi lëvizje nga Gjermania por na nevojitet lëvizje edhe nga Franca. Vendimmarrja në Këshillin e Ministrave është vendimmarrje konsensuale. Franca apo Gjermania nuk do ta hedhin njëra-tjetrën në pozitën të keqe që ta hedhin këtë çështje për votim dhe pastaj aty të vihen në pah dallimet që ato mund të kenë”, tha ajo.

Unë si e shoh këtë proces është që do të mundohen ta ndërtojnë konsensusin prapa dyerve të mbyllura dhe më pas ta shtyjnë për votim në Këshillin e Ministrave. Franca nuk shprehet pro-liberalizimit të vizave sepse e kemi parë edhe në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Europian, kemi një rritje të madhe të partisë së ekstremit të djathtë”, tha ministrja Hoxha.

“Nëse ka një votim në Këshillin e Ministrave, çështjet tjera janë çështje javësh”, tha ministrja.