Çka raportuan zyrtarët për deportimin e gylenistëve

Komisioni hetimor parlamentar për deportimin e gjashtë shtetasve turq intervistoi gjatë ditës katër zyrtarë të cilët lidheshin me ngjarjen e marsit të këtij viti.

Të gjitha intervistat e zyrtarëve deri më sot janë zhvilluar prapa dyerve të mbyllura.

Sot ishte ndryshe.

Katër zyrtarë të pozitave të ndryshme do të intervistoheshin dhe do të dëshmonin për atë që dinin në lidhje me deportimin e shtetasve turq nga Kosova për në Turqi.

I intervistuari i parë, ishte ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

I njëjti u ftua të dëshmojë para Komisionit në cilësinë e ministrit.

Kryetari i komisionit hetimor parlamentar kërkoi nga Lekaj që të tregonte se cili ishte roli i ministrisë së tij në gjithë ngjarjen e 29 marsit të këtij viti.

E  ministri Lekaj tha se paraprakisht nuk kishte dijeni ndërsa informacionin e kishte marrë nga mediat.

“Me të marrë informatat nga mediat menjëherë jam interesuar se çfarë ka qenë roli i Ministrisë sime në lidhje me ketë rast. Sipas kërkesës së parashtruar qëllimi i fluturimit ka qenë biznesor. Në Ministrinë e Infrastrukturës është kërkuar leja për fluturim. Sipas informatave tona, shihet se aeroplani ka arritur saktë në orën 9:00 dhe ka fluturuar para orës 11:00. Ministria është përgjegjëse për lëshimin e lejeve për fluturime. Ministria ka lëshuar leje për fluturim taxi në rastin e 29 marsit”, dëshmoi Lekaj.

Lekaj tregon se në lidhje me ngjarjen e deportimit të gjashtë shtetasve turq ka kërkuar nga ana e kryeministrisë e edhe departamenteve të ndryshme të aeroportit që të ketë informacione, por nuk ka marrë diçka të tillë.

“Me 30 mars, i është dërguar me shkrim kryeministrit, më 31 mars kemi kërkuar dhe jemi njoftuar lidhur me fluturimet ajrore të datës 29 mars. Dëshmia për këto gjenden. Me 5 prill lidhur me informimin e operimit ajror, më 17 prill kemi shtruar kërkesë drejtuar stafit menaxhues për informim me detaje. Më 10 prill, autoritetet e ministrisë janë takuar me policinë dhe me 10 prill është dorëzuar kërkesa për informim të nevojshëm por edhe me datë 17 prill kemi pranuar një kërkesë por pa përgjigje”, tregon Lekaj para Komisionit hetimor parlamentar, duke thënë se institucione të ndryshme e veçanërisht aeroporti nuk ka qenë transparente në lidhje me informatat të cilat i ka kërkuar.

Meqë ngjarja ka pikëpyetje se si ka ndodhur, anëtarët e Komisionit kërkonin sqarime.

Ministri Pal Lekaj në komisionin hetimor për deportimin e turqve, Foto: KALLXO.com

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, kërkoi nga ana e ministrit të dijë nëse ka qenë i kontaktuar nga zyrtarë të AKI-së apo shërbimeve inteligjente turke.

Lekaj mohoi një gjë të tillë. “Asnjë departament asnjë zyrtar shtetëror nuk më kanë njoftuar ose thirrur. Lejet që lëshojnë janë ditore”, u përgjigj Lekaj.

Ministri Lekaj tha se po pret përfundimin e komisionit hetimor dhe në bazë të ligjit do të veprojë sa i takon procedurave ndëshkuese në rast se ka keqpërdorime.

“Nuk do të thotë kjo që s’e kemi trajtuar procesin. Sa i përket çështjes së sigurisë, informacione janë të ndara dhe unë nuk jam që vendosi por organet kompetente që janë të vëmendshëm pas ndodhjes së këtij rasti. Nuk kemi fakte, jemi në pritje të ministrive përkatëse. Nuk mund të hetojmë kur nuk i kemi provat, për t’i filluar procedurat administrative për kompaninë në fjalë të aviacionit”, ka deklaruar Leka.

Ish- drejtori i Departamentit për aviacionin civil, Ismail Berisha i cili tani ka pozitë tjetër, ishte në rend për të dëshmuar në lidhje me deportimin e shtetasve turq nga Kosova në mars të këtij viti.

Ai tregoi para Komisionit detyrën e tij konkrete dhe veprimet që ka ndërmarrë po të njëjtën ditë.

“Detyra jonë është për rregullim ekonomik, që merr kërkesën e shqyrton se çka kërkohet e më pas kur të verifikohet se ka plotësuar kriteret ai përgatit dokumentacionin dhe e bjen te drejtori i departamentit për konfirmim, se aspektin operacional ne nuk merremi”, tregoi Berisha.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi kërkoi të dijë nga Berisha nëse është kontaktuar nga zyrtarë të AKI-së apo dikush tjetër.

“Po, por ka ndodhur pasi që është kryer krejt kjo procedurë, nga policia kanë kërkuar informata lidhur me çështjen e kam dorëzuar edhe nga AKI kanë qenë dy zyrtarë shumë më vonë për të kërkuar informacione”, tha ai.

Pyetjet e anëtarëve të komisionit nuk ndalen pasi janë të vendosur të dinë saktësisht se çfarë kishte ndodhur po atë ditë.

Ismail Berisha gjatë raportimit para komisionit hetimor për deportimin e turqve, Foto: KALLXO.com

Berisha u pyet se si ishte njoftuar për ngjarjen.

“Të njëjtën ditë kemi marrë vesh se u bë publike edhe menjëherë jemi taku tek ministri, e kemi diskutuar rastin, e kemi bërë planin e veprimeve kemi vepruar deri në fund”, tregon tutje Berisha

Pas drejtorit të aviacionit, radha ishte për drejtorin e navigacionit ajror.

Bahri Nuredini, drejtor i Shërbimit të Navigacionit Ajror, tregon se dy ditë pas deportimit, drejtoria që drejton ai ka marrë kërkesë nga Kryeministria që të kenë informata në lidhje me rastin.

“Ne kemi filluar menjëherë me hetimin e rastit dhe këtij fluturimi. Me 4 prill e kemi njoftuar kryeministrin në lidhje me detajet e këtij rasti, këtij fluturimi. Gjithashtu me 19 prill kemi dërguar detaje dhe kemi njoftuar Ministrinë e Infrastrukturës”, dëshmon Nuredini, duke shtuar se në pjesën e hetimit nuk kanë hasur në shkelje ose keqpërdorime.

Bahri Nuredini gjatë raportimit para komisionit hetimor për deportimin e turqve, Foto: KALLXO.com

Tre zyrtarë të ndryshëm u intervistuan në prani të mediave, ndërsa Inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Shkelzen Sopjani, mbylli dyert për gazetarët për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

Ai dëshmoi brenda dhomës së mbledhjeve pa praninë e mediave.

Inspektori i AKI-së, Shkelzen Sopjani, Foto: KALLXO.com

Të gjitha intervistat zgjatën katër orë.

Pas dëshmive që morën, kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për deportimin e gjashtë shtetasve turq për në Turqi tregoi se deri ku kanë arritur me informacione.

“Tash jemi para përfundimit të intervistave po shkojmë drejt asaj qe po përmbushim planin qe r kemi pas qe nga fillimi. Shumë shpejt do të thirren edhe zyrtarët e fundit e më pas do të përpilojmë raportin final”, tha Xhelal Sveçla.

Sveçla tha se ende nuk janë ftuar për dëshmi presidenti Thaçi e kryeministri Haradinaj.

Ai tha se e gjithë dëshmia është e rëndësishme ndërsa shtoi se duhet pritur raportin final.

Sveçla gjithashtu e pranoi se institucionet po mundohen t’ia lënë fajin njëra-tjetrës.

“Vullneti i institucioneve veç e veç po shihet se po e gjuajnë topin prej një institucioni në tjetrin dhe po mundohen me fsheh rastin. Kemi edhe pak kohë dhe në fund do të dalim me raportin përfundimtar”, tha Sveçla.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht për  intervistimet e zyrtarëve të departamenteve dhe institucioneve të ndryshme në lidhje me deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi në mars të këtij viti.