ILUSTRIM - Avion i NATO-s - Foto: RTK

BE: 24 marsi 1999, hapi një periudhë të vështirë për rajonin dhe BE-në

Zyra e BE-së në Kosovë ka kujtuar 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore serbe si një datë kritike për Kosovën dhe për Ballkanin Perëndimor.

“Kanë kaluar njëzet vjet që nga 24 marsi 1999. Kjo ishte një datë kritike për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor, duke hapur një periudhë të vështirë për të gjithë rajonin por edhe për Bashkimin Europian”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Tani Ballkani Perëndimor ndan një aspiratë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, me misionin e saj të paqes dhe pajtimit. Ne e respektojmë dhe mbështesim dëshirën e sotme për rajonin që të luajë një rol konstruktiv në stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e kontinentit tonë.

Sot mbushen 20 vite nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë dhe Malit të Zi.

Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan raketat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.

Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë Presidenti Clinton.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviq dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.

Kjo është ndërhyrja e parë ushtarake e NATO-s që nga formimi i saj, e cila njihet edhe si ndërhyrja historike.BE