Avdiu nga QKSS: FSK-ja të shihet si forcë multietnike dhe assesi si agresore

Tani që jemi në prag të votimit që Forca e Sigurisë së Kosovës të shndërrohet në ushtri, Plator Avdiu, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), për KALLXO.com ka thënë që kjo forcë duhet të shihet si forcë multietnike dhe assesi si forcë agresore.

“24 automjete ushtarake nuk janë sjellë në Kosovë për frikësimin e minoriteteve në vend, por për pajisjen e FSK-së me kapacitete mbrojtëse në prag të ndryshimeve ligjore sa i përket mandatit dhe misionit të FSK-së. FSK i shërben të gjitha komuniteteve etnike në Kosovë, për më shume që në radhët e saj ka shumë pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme”, ka thënë ai.

Tutje Avdiu ka folur edhe për gjendjen e minoritetit serb në Kosovë duke thënë që këta të fundi janë të frikësuar nga politikat e Serbisë.

“Minoritetet në Kosovë, veçanërisht ai serb ndjehet i kërcënuar dhe frikësuar jo nga FSK, por nga politika e Serbisë e cila përmes shantazheve, kërcënimeve dhe frikësimeve të ndryshme ndaj pjesëtarëve serb që shërbejnë në FSK ka arritur që një pjesë e madhe e tyre të largohen nga FSK”, thekoi Avdiu.

Sipas Avdiut marrja e një hapi të tillë për shndërrimin e FSK-së në ushtri ka qenë urgjente duke i marrë parasysh dështimet e mëhershme.

“Shndërrimi i FSK-në në ushtri, përkatësisht tranzicioni i saj përmes miratimit të pakos së projektligjeve është obligim i institucioneve të Kosovës (Qeverisë dhe Kuvendit). Pas dështimeve të njëpasnjëshme që FSK të shndërrohet në ushtri përmes ndryshimeve kushtetuese, rrjedhimisht u bë nevojë urgjente që kjo çështje të përfundohet përmes pakos së projektligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe ndryshimin e misionit dhe mandatit të FSK-së”, tha ai.

Ndërsa duke folur për të ardhmen e kësaj force, ai ka thënë që ndryshimi i mandatit të kësaj forceje është me pëlqimin e aleatëve dhe rrjedhimisht Kosova do të marrë pjesë në misione paqeruajtëse ndërkombëtare të NATO-s dhe partnerëve të sajë.

“Ndryshimi i mandatit dhe misionit ligjor i FSK-së përkrahet fuqishëm nga partnerët strategjikë të Kosovës në NATO, ShBA-të dhe Britania e Madhe. Qëllimi i tranzicionit të FSK-së në ndërtim të kapaciteteve mbrojtëse të një ushtrie moderne do të ketë për qëllim kryesor ruajtjen e paqes dhe t’i shërbejë të gjithë qytetarëve të Kosovës pavarësisht përkatësisë etnike. Krahas kësaj, përmes tranzicionit të FSK-së në ushtrinë e ardhshme, Kosova do të jetë jo vetëm konsumuese, por edhe kontribuese në rrafshin e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare duke kontribuar në misione paqeruajtëse ndërkombëtare të NATO-s dhe partnerëve të NATO-s”, tha ai.

Rrethi i ushtrisë: Nga lufta për liri në mbrojtje të lirisë

https://kallxo.com/caktohet-data-e-votimit-te-ligjeve-per-fsk-ne/

 

.