Rrethi i ushtrisë: Nga lufta për liri në mbrojtje të lirisë

Rruga e gjatë dydekadëshe e tranformimeve: nga UÇK te FSK.

Në vjeshtën e vitit 1999, mijëra pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të uniformuar, kishin marshuar rrugëve të Prishtinës për të përfunduar në stadiumin e qytetit.

Ky do të ishte marshimi i fundit i gueriles së Kosovës e cila nisi rezistencën e armatosur ndaj forcave serbe në Kosovë, pas gati një dekade të rëndë të shqiptarëve të Kosovës në jetën paralele ndaj regjimit të Slobodan Milosheviqit.

Disa muaj më parë, këta pjesëtarë të UÇK-së kishin zbritur nga istikamet nëpër malet e Kosovës ku për më shumë se një vit kishin organizuar rezistencën e armatosur.

Hyrja e trupave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë dhe instalimi i një administrate ndërkombëtare e kishin bërë të panevojshme funksionimin e mëtejmë të UÇK-së.

Tani ata pjesëtarë duhej t’u përshtateshin rrethanave të reja, dikush në jetën civile e dikush në uniformë brenda strukturës së re, Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, e krijuar si një forcë e reagimit kryesisht për situata emergjente.

Foto: NATO

 

Në shtator, shumica prej tyre i kishin dorëzuar armët në një proces të dhimbshëm për ta të demilitarizimit të UÇK-së.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008 i hapi rrugën edhe transformimit të TMK-së në një forcë më të avancuar me tipare gjysmë-ushtarake.

Më 21 janar të vitit 2009 u formua Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), së cilës me 14 dhjetor të këtij viti në Kuvendin e Kosovës pritet t’i zgjerohet mandati dhe kompetencat për t’u shndërruar në ushtri, në një proces që pritet të zgjasë deri në 10 vjet.

Qeveria e Republikës së Kosovës  në shtator të këtij viti, pa paralajmërim kishte proceduar pakon ligjore që kishte të bënte me Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Me 13 shtator, Qeveria e Ramush Haradinajt kishte miratuar tri projektligjet: Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Projektligjin për Shërbimin në Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.

Pas hartimit dhe miratimit të tyre në ekzekutiv, Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme plenare, unanimisht i miratoi në lexim të parë të tri Projektligjet e FSK-së.

Miratimi i këtyre  Projektligjeve i përcakton FSK-së, avancim në kompetenca për mënyrën e organizimit dhe funksionin e saj, rrjedhimisht duke u ndryshuar misioni i saj.

https://kallxo.com/misioni-i-ri-forces-se-sigurise-se-kosoves/

Personalitetet të cilat ishin pjesë e zhvillimeve të të trija forcave mbrojtëse, shprehen me nostalgji për secilën periudhën kohore sa është vepruar në UÇK, TMK dhe FSK.

Në fillim të vitit 1999, Agim Çeku e kishte lënë Kroacinë për t’u kthyer në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në pozitën e komandatit të Shtabit të Përgjithshëm.

Çeku thotë për KALLXO.com se zhvillimi i tri forcave është historik dhe realizim i qëllimeve të Kosovës.

“Transformimin e UÇK-së në TMK, në FSK dhe më pas në Ushtri të Kosovës e shoh si zhvillim normal, historik dhe një realizim edhe të synimeve tona, por edhe të premtimit në rastin e  demilitarizimit të UÇK-së dhe gjatë viteve në vijim,  gradualisht do ta ndërtojmë edhe Ushtrinë e Kosovës”, tha ai.

Agim Çeku, i cili aktualisht është zëvendësministër në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, shton se UÇK-ja është e pakrahasueshme në përcjelljen e ndjenjave patriotike.

Parakalimi i FSK-së – Foto: Atdhe Mulla

“Ajo ka qenë emocion, mision, ka qenë zanafillë e gjithçkaje, jo vetëm e Ushtrisë por edhe pavarësisë, lirisë dhe partneritetit me SHBA-të dhe vendet perëndimore. Rrënjët e gjithçkaje që kemi sot janë te UÇK-ja”, shprehet ai.

Në anën tjetër, Ahmet Isufi, ish-komandant i Zonës Operative të Karadakut, thotë për KALLXO.com se rrugëtimi i  Ushtrisë së Kosovës ishte i gjatë.

“Është një rrugë e gjatë e proceseve të transformimit, por që tregon vitalitetin që ka ruajtur që nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në Trupat Mbrojtëse të Kosovës pastaj në Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe tani në ndërrimin e mandatit të kësaj force, që do të thotë Ushtrisë së Kosovës”, tha ai.

Sipas Isufit, FSK-ja është një ushtri profesionale pasi është përgatitur dhe trajnuar edhe nga KFOR-i.

“FSK-ja nuk ka të bëjë vetëm me ngritjen e interesave të brendshme që i ka, por është edhe me standarde ndërkombëtare sepse tërë kohën është përgatitur edhe nga KFOR-i, në këtë rast edhe nga mekanizmat ndërkombëtare siç është NATO-ja”, vlerëson ish-komandanti i UÇK-së.

Isufi thekson se periudha më emocionuese për të ishte koha e UÇK-së, por edhe tash kur pritet transformimi i FSK-së.

“Lindja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si një krijuese e lirisë, normalisht që ka qenë më emocionuesja, pro kjo e  fundit në kuptimin e  një ushtrie që mbron vendin dhe po ashtu është në shërbim të popullit, duke qenë se do të ketë edhe misione të tjera, është një moment jashtëzakonisht emocionues, por edhe historik për vendin”, thotë ai.

Të përbashkëtat dhe dallimet  UÇK – TMK – FSK

Të përbashkëtat dhe dallimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Trupave të Mbrojtjes të Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës konsiderohen të jetë të theksuara varësisht prej etapave historike e politike në të cilën është gjendur Kosova.

Zëvendësministri i MFSK-së, Agim Çeku vlerëson se e përbashkët e këtyre tri forcave është shërbimi ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Që të tria kanë qenë në shërbim të qytetarëve të Kosovës, kanë qenë identitet i Kosovës, i shtetësisë së Kosovës. Ato kanë qenë një sublimim i idealeve  e i objektivave. Gjithmonë e kanë pasur besim e plotë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, thotë ai.

Ndërsa, dallimet sipas tij janë varësisht nga epokat historike.

“Fillimisht ka qenë lufta, pastaj periudha pas luftës, më pas pavarësia për të pasuar me shtet ndërtimin dhe tani me transformimin e FSK-së, po rrumbullakoset procesi i shtet ndërtimit të Kosovës. Tanimë Kosova me plot kuptimin e fjalës është shtet, sepse i ka të gjitha institucionet që e bëjnë shtet të qëndrueshëm”, përfundon Çeku.

Kurse, ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Karadakut, tani deputet në Kuvendin e Kosovës, Ahmet Isufi, ka shpjeguar se cilat janë, sipas tij, dallimet ndërmjet UÇK-së, TMK-së dhe FSK-së.

“Kur kemi parasysh UÇK-në, ka qenë një ushtri vullnetare, e lindur nga populli dhe jo me një përgatitje nga ana e akademive ose nga strukturat të cilat janë të edukuara në ushtri. Pas Trupave Mbrojtëse të Kosovës kemi një profesionalizim dhe një përgatitje në të gjitha aspektet madje edhe nga aspekti ndërkombëtar, prandaj tani do të jetë një ushtri e rregullt, e cila në të shpeshtën e herëve edhe në fushata të ndryshme që janë bërë me ushtri të tjera kanë treguar vitalitet dhe se është një ushtri e vërtetë e cila matet me ushtri të ndryshme”, tha Isufi.

Përkundër faktit se në rrugëtimi formimit të Ushtrisë së Kosovës, është përcjellë edhe më ndryshim të emrit, e njëjta gjë nuk do të ndodhë me Forcën e Sigurisë së Kosovës, emri i së cilës do të mbetet i njëjtë, por me mision të ri, të paktën derisa të krijohen kushtet që ndryshimi i emrit të bëhet me anë të amendamenteve kushtetuese.

Përpjekjet e institucioneve të Kosovës për ta ndryshuar statusin e FSK-së përmes ndryshimeve kushtetuese kanë dështuar për shkak të kundërshtimeve të deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës, të grumbulluar në Listën Serbe.

Për t’ia ndryshuar funksionet FSK-së përmes Kushtetutës nevojiten votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit përfshirë edhe dy të tretat e deputetëve pakicë.

Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes

Me miratimin e Projektligjit të parë, sipas Ligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, bëhet riorganizimi dhe kalimi i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ministri të Mbrojtjes në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës me qëllim të mbikëqyrjes dhe kontrollit civil demokratik mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe udhëhiqet nga Ministri i Mbrojtjes.

“Ky ligj zbatohet për Ministrinë e Mbrojtjes, përfshirë strukturën dhe autoritetet brenda Ministrisë”, thuhet në nenin 2.

Duke iu referuar Nenit 3 të këtij ligji, Ministria e Mbrojtjes është organ i administratës shtetërore i përbërë nga shërbyesit civil dhe nga personeli ushtarak i FSK-së.

“2. Ministria ka strukturën e saj organizative që siguron funksionalizimin e plotë dhe përmbushjen e përgjegjësive të saj. 3. Ministria harton dhe zbaton politikat e përgjithshme shtetërore të mbrojtjes në nivelin strategjik, si dhe ushtron funksionet e kompetencat e saj në përputhje me Kushtetutën, me kёtё ligj, me Strategjinë e Sigurisë së Republikës së Kosovës dhe Strategjinë e Mbrojtjes, si dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në pikat vijuese të nenit.

Sipas këtij Ligji, disa nga kompetencat e Ministrisë së Mbrojtjes janë: hartimi i dokumenteve strategjike të mbrojtjes; zhvillimin, bashkërëndimin dhe hartimin e politikave për integrim dhe anëtarësim në strukturat ndërkombëtare të mbrojtjes dhe sigurisë, në bashkëpunim me institucionet përkatëstë RKS-së; hartimin e politikave përzhvillimin, modernizimin dhe standardizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës; planifikimin, programimin, buxhetimin dhe ekzekutimin e projekteve për nevojat e mbrojtjes; zhvillimin e politikave, planeve dhe programeve në fushën e bashkëpunimit civilo-ushtarak, e detyra të tjera.

Ligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës

Me miratimin e Projektligjit të dytë sot në Kuvend, sipas Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës , përcaktohen kompetencat, organizimi dhe funksionimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ndërkaq, në Nenin 2 thuhet se “Ky ligj zbatohet për Forcën e Sigurisë së Kosovës, përfshirë pjesëtarët aktivë, rezervë, kadetët, rekrutët dhe personelin civil të saj.

Sipas Neni 4, Kompetencat dhe detyrat janë: 1. Forca e Sigurisë së Kosovës mbron integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës. 2. Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë ushtarake multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor. Pika 3 e këtij neni thotë “Detyrat e përgjithshme të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë: 3.1. Mbrojtja e integritetit territorial të Republikës së Kosovës; 3.2. Mbrojtja e qytetarëve dhe komuniteteve të Republikës së Kosovës; 3.3. Mbështetja ushtarake autoriteteve civile; 3.4. Pjesëmarrja në operacionet ndërkombëtare”.

Sipas këtij ligji, është e rregulluar edhe çështja e armatimit të FSK-së.

“FSK do të jetë e pajisur me armë dhe sisteme të armatimit, në përputhje me nevojat e FSK-së, për përmbushjen e kompetencave dhe detyrave të saj”, thuhet në nenin 7 të ligjit në fjalë.

Forca e Sigurisë së Kosovës është e paanshme politikisht.

Këtë e përcakton neni 6 i Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ku edhe thuhet se FSK-ja nuk mund të përdoret për veprimtari politike partiake.

Ndër të tjerash theksohet se pjesëtarët e saj nuk mund të jenë anëtarë të partive politike, organizatave ose shoqatave me karakter politik; të marrin pjesë në veprimtaritë politike që organizohen prej tyre e as nuk mund të shfaqin shenja të përkrahjes së cilësdo prej tyre, dhe të hyjnë në grevë. Por të njëjtëve nuk iu mohohet e drejta për të votuar.

Ligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës

Miratimi i Projektligjit të tretë, sipas Ligjit për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, rregullohen kushtet e përgjithshme të shërbimit në Forcën e Sigurisë të Kosovës

“Ky ligj zbatohet për Forcën e Sigurisë së Kosovës, përfshirë pjesëtarët aktivë, rezervë, kadetët, rekrutët dhe personelin civil të saj”, thuhet në nenin 2.

Ligji për Shërbim në FSK, përveç përgjegjësive dhe detyrave, rregullon edhe të drejtat e pjesëtarëve të saj.

Neni 24 për ‘Të drejtat e pjesëtarit të Forcës së Sigurisë së Kosovës’, në pikën  e parë thotë “Është e drejtë e çdo pjesëtari të FSK-së të gëzojë trajtim të drejtë dhe të barabartë, të çmohet dhe respektohet si individ dhe të mbështetët e shpërblehet sipas rregullave dhe kushteve të shërbimit”.

Pas miratimit në lexim të parë të pakos me Projektligjet për FSK-në, të njëjtat do të dërgohen për shqyrtim në Komisionin për Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për t’iu rikthyer sërish në seancë të Kuvendit.

Liderët politik iu gëzuan kalimit të ligjeve në lexim të parë

Përkrahjen unanime të deputetëve për pakon me Ligjet e FSK-së, e kanë përshëndetur edhe linderët institucional të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, përmes një videoje të publikuar në Facebook, i ka qujatur “ushtarë” pjesëtarët e FSK-së.

“Gjithmonë duke nderuar atdheun dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve. Bijat dhe bijtë më të mirë të vendit, ushtarët e Republikës së Kosovës”, është shprehur presidenti Thaçi.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur falënderues ndaj deputetëve që votuan projektligjet.

“Me të drejtë një prej ditëve më përcaktuese për vendin në konsolidim të shtetit dhe në rrugën drejt NATO-s. Me votimin në lexim të parë të pakos së ligjeve për FSK-në, deputetët e Kuvendit vulosën të drejtën e shtetit tonë sovran për tranzicionin e FSK-së në mandat ushtarak dhe mbrojtës, ofruese e sigurisë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet, forcë multietnike e profesionale, sipas standardeve të NATO-s”, shkroi ndër të tjerash Haradinaj në Facebook.

Më fjalë pak për këtë proces, u treguar kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili përmes një fotografi të pjesëtarëve të FSK-së, ka shkruar “Kosovë, e gëzofsh Ushtrinë”.