Auditori: Ministria e Kulturës shkeli ligjin, mbështeti projekte pa konkurs

Mbi 30 mijë euro është shuma që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka dhënë si mbështetje për projekte të Organizatave Joqeveritare pa konkurs publik në 2019.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar katër raste kur MKRS ka ofruar mbështetje pa përfillur procedurat e konkurimit.

Auditori në Raportin e tij për Pasqyrat Vjetore Financiare të MKRS-së për 2019, ka konstatuar se mbështetja e OJQ-ve nga MKRS pa konkurs publik është në kundërshtim me Rregulloren MF-Nr-04/2017, mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve.

“Nga mostrat e testuara, ne kemi vërejtur se MKRS në katër raste kishte ofruar mbështetje financiare në vlerë 30,191 euro, duke lidhur marrëveshje vetëm në bazë të kërkesave të përfituesve, pra pa shpallje përmes thirrjes publike. Kjo kishte ndodhur për shkak të mosrespektimit të rregullores për subvencionim nga menaxhmenti i MKRS-së”, konstatohet në raport për 2019.

Mbështetja financiare e OJQ-ve, sipas ZKA-së pa thirrje publike, kufizon konkurrencën dhe rritë rrezikun e ndarjes së mjeteve financiare në mënyrë arbitrare, duke ndikuar të mos arrihet vlera për paratë, njëherësh të mos arrihen objektivat e synuara me ndarjen buxhetore.

“Ministri duhet të sigurojë se mbështetja financiare e OJQ-ve do të bëhet përmes thirrjes publike, dhe kërkesat e Rregullores Nr.04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit të OJQ-ve do të zbatohen me konsistencë”, thuhet në raport.

Po sipas Auditorit, Rregullorja mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, neni 12, përcakton që çdo mbështetje financiare për OJQ-të duhet të shpallet me thirrje publike, e cila duhet të publikohet në uebfaqen e ofruesit të mbështetjes financiare.

“Për më tepër, sipas këtij neni, ofruesit e mbështetjes financiare inkurajohen të përdorin edhe forma tjera për njoftimin të OJQ-ve, me qëllim të rritjes së konkurrueshmërisë. Thirrja duhet të jetë e hapur për së paku pesëmbëdhjetë (15) ditë pune”, thuhet në raportin ZAK-së MKRS-së për 2019.