Projektligji për paga – paga e një mësimdhënësi më e lartë se e një polici

Në projektligjin e ri për paga që është ende në fazat e hershme, janë propozuar koeficientët për profesionet e sektorit publik.

Një mësimdhënës i shkollës së mesme të lartë dhe qendra burimore është propozuar të ketë koeficientin 4.9. Ndërsa, për një mësimdhënës të shkollës fillore dhe të mesme të ulët është propozuar koeficienti 4.6.

Sa i përket mësimdhënësve në institucionet parashkollore koeficienti i propozuar është 4.5, si dhe për edukator është propozuar koeficienti 4.4.

Për një pedagog dhe psikolog është propozuar koeficienti 4.8.

Këta koeficientë janë më të lartë se koeficienti i një anëtari të Kuvendit Komunal që është 3.6 dhe me e lartë se e një polici që koeficientin e ka 4.2.

Në projektligjin e ri për paga nuk është caktuar vlera e koeficientit.

KALLXO.com për këtë çështje ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Deri në publikim të këtij shkrimi, kjo ministri nuk ka dhënë përgjigje për vlerën e caktuar të koeficientit por as edhe kush ka qenë në grupin punues të këtij drafti të projektligjit të ri për pagat në sektorin publik.

Projektligji nuk e përcakton vlerën e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij ligji.

Ndërsa, për vitet e tjera buxhetore, vlera monetare e koeficientit thuhet se do të përcaktohet me Ligjin për buxhetin.

Në lidhje me këtë projektligj, ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili i ka quajtur deziformata raportimet e media, pasi që sipas tij nuk ka draft final.

“As nuk ka draft final të ligjit për pagat e zyrtarëve publik e as nuk ka ndonjë vlerë të koeficientit. Vlera e koeficientit nuk do të jetë pjesë e ligjit për pagat e zyrtarëve publik, meqë e njëjta përcaktohet me ligjin e buxhetit”, ka shkruar ai në Facebook.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit të Gjykatës, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkaktonte “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Ky projektligj ishte dërguar në kushtetuese më 6 dhjetor të vitit 2019 nga institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhej “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese kishte vendosur që të pezullohet zbatimi i këtij ligji, deri më 30 mars 2020.

Me pastaj, Gjykata kishte vendosur ta vazhdojë pezullimin e Ligjit të pagave deri më 30 qershor 2020 dhe përfundimisht më 30 qershor e kishte shpallur të pavlefshëm.

Koeficienti më i lartë sipas këtij ligji ka qenë 10. Këtë koeficient e mbante vetëm presidenti i vendit, më pas është niveli i 9, ku bënin pjesë kryetari i kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Në projektligjin e ri koeficientët janë deri në 20.

Projektligji i ri për paga ende nuk është dërguar në Qeverinë e Kosovës për miratim.