Në kuadër të ‘Shkollës Ideale’ zgjedhen tre fituesit

Në kuadër të 20 vjetorit të bashkëpunimit Kosovë-Gjermani, në projektin ‘Shkolla Ideale’ u ndan çmimet për tre nga shkollat fituese të këtij projekti të organizuar nga GIZ-i.

Interpretimet e nxënësve ishin të publikuara në Facebook dhe në bazë të pëlqimeve të cilat ata i kishin marrë u zgjodhën edhe fituesit.

Në vendin e parë u radhit SHFMU “Lasgush Poradeci” nga Shtimja, në vendin e dytë SHFMU “Nazmi Gafurri” nga Prishtina dhe vendin e tretë SHFMU “Enver Maloku” nga Podujevë.

Të tre vendeve fituese u janë ndarë pajisje teknologjike dhe mirënjohje, kurse për të gjithë pjesëmarrësit u ndan dhurata simbolike.

Boris Scharlowski, udhëheqës i Projektit të kapaciteteve për arsimin fillor në GIZ e nisi fjalimin me ‘’Faleminderit’’ në gjuhën shqipe duke ju drejtuar pjesëmarrësve dhe për PISA-në, të cilën tha se të rinjtë kosovar nuk ishin të përgatitur për të ardhmen.

‘’Drejtorët e shkollave e mësimdhënësit e dinin se çfarë do të thotë PISA. Sa u përket nxënësve dua të dijë nëse kanë dëgjuar për PISA-në?. Disa prej jush keni marrë pjesë në raundin e PISA-së’’, tha Boris Scharlowski.

Projekti kishte filluar në muajin shtator dhe publikimi u bë më 15 tetor me të gjitha shkollat publike të Kosovës me nxënësit e klasave të 6-ta deri të 9-tat me një ide se si do dukej një shkollë ideale sipas tyre.

Avni Rexha nga Ministria e Shkencës dhe Teknologjisë tha se arsimimi në Kosovë përmes këtyre projekteve po bën një ngritje të cilësisë.

Para shpërndarjes së çmimeve gjithashtu u mbajtën punëtori për nxënës dhe mësimdhënës, për ngacmimet në shkolla, gjithëpërfshirja dhe barazia gjinore, për ambientin dhe shoqërinë, fushatat dhe avokimin në shkolla, teatri për edukim.