Arbërie Nagavci

Nagavci: Aplikimi për subvencionim të librave deri në fund të shtatorit

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se deri tani në platformën e-Kosova kanë aplikuar 92 mijë prindër për subvencionim të mjeteve shkollore, derisa theksoi se do marrin parasysh edhe gjitha shqetësimet tjera që janë paraqitur rreth aplikimit.

Nagavci tutje shtoi se sa i përket rasteve kur nxënësit janë 5-vjeç, pagesa do të bëhet pas verifikimit të rasteve.

“Me vëmendje jemi duke e përcjellë situatën dhe shqetësimet tuaja rreth aplikimit në platformën e-kosova për subvencionimin e teksteve shkollore. Deri tash në këtë platformë kanë aplikuar gjithsej 92 mijë prindër. Për të gjithë ata që kanë aplikuar, ju informoj se jemi në proces të aspekteve teknike për transferim të mjeteve në xhirrollogaritë tuaja. Po ashtu, ju siguroj se të gjitha ankesat që i kemi pranuar deri tash janë duke u shqyrtuar. Mundësia për të aplikuar do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator, me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa u pajisur me tekste shkollore”- ka shkruar Nagavci.

Ajo tutje theksoi se kanë kërkuar nga drejtoritë komunale të arsimit të publikojnë listën për tekste shkollore.

“Sipas informatave tona, shumica e shkollave tashmë i kanë publikuar tekstet e zgjedhura nga aktivat profesionale. Po ashtu, mësimdhënësit tashmë kanë filluar t’i ndajnë këto lista me prindërit andaj, lus prindërit që para se t’i blejnë tekstet të konsultohen me mësimdhënësit”- shtoi tutje.

Ministrja ka bërë të ditur se në rast të identifikimit ku shtëpitë botuese abuzojnë me çmime, do adresohet tek autoritetet kompetente.

“Shtëpitë botuese kanë publikuar katalogjet e teksteve mësimore me çmimet përkatëse dhe janë zotuar se çmimet nuk do të rriten. Çdo identifikim i abuzimit me çmime të teksteve ose ofrimit të teksteve pa pasur vendim të MASHTI si dhe çfarëdo rasti tjetër i kësaj natyre, do të adresohet tek autoritetet kompetente” – ka shtuar tutje ministrja.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci më 21 gusht ka mbajtur një konferencë për media ku ka treguar se po e shqyrtojnë mundësinë që paratë për blerjen e librave për vitin e ri shkollor t’ua transferojnë drejtpërdrejt prindërve përmes platformës e-Kosova me qëllim të rritjes së transparencës për shpenzimin e parasë publike.

Viti i ri shkollor fillon të premten, më 1 shtator.