Prangosja - Foto: Facebook/PoliciaeShtetit

Arrestohet i dyshuari për falsifikim të dokumenteve me vula apostile të MPJ-së

Një person është arrestuar në Prizren nën dyshimin se kishte falsifikuar dokumente me vula apostile të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Prishtinë të asistuar nga Hetuesit e NJHRKEK në Prizren, kanë zbatuar planin operativ të koduar me emrin “Vula”, të cilët kanë kontrolluar shtëpinë e të dyshuarit A.G, në Prizren.

Policia ka njoftuar se gjatë realizimit të kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit nuk është gjetur asgjë e dyshuar, mirëpo gjatë hetimeve të zhvilluara njësitet policore kanë siguruar informacione për një person tjetër të dyshuar  me inicialet L.Sh.

Gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit L.Sh në Prizren policia ka gjetur dhe sekuestruar fletë të zbrazëta me vulë apostile të MPJ-së, vërtetim shkollor, diplomë mbi kryerjen e shkollës së mesme profesionale e zbrazët me vulë apostile të MPJ-së, ekstrakt i lindjes, certifikatë e lindjes, kopje të letërnjoftimeve të RKS-së në emër të personave të ndryshëm, kopje të dëftesave të shkollës në emër të personave të ndryshëm, etj.

Policia ka njoftuar se pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të rastit, i dyshuari i parë është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa  ndaj të dyshuarit të dytë është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

08 Nëntor 2018 - 16:26

Afërdita Fejzullahu 08/11/2018 - 16:26
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend