Abelard Tahiri. Foto: Atdhe Mulla

Abelard Tahiri flet për 'angazhimin', jo për 'dorëheqjen'

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri është lajmëruar për herë të parë pas lajmeve të publikuara se ka ofruar dorëheqje nga posti ministror.

Tahiri ka shkruar në status në Facebook për angazhimin e tij politik, mirëpo nuk ka përmendur fare faktin e dorëheqjes të cilën ia kishte dorëzuar kryeministrit Ramush Haradinaj tri ditë më parë.

Ndërsa gjatë ditës së djeshme, kryetari i PDK-së Kadri Veseli tha se Tahiri do të vazhdojë të jetë ministër në qeverinë e Kosovës.

Ai ka shkruar për angazhimin e tij politik që thotë se është fuqizimi i sundimit të ligjit.

Shkrimi i plotë i Abelard Tahirit në Facebook:

Kryefjala e angazhimit tim politik e institucional është fuqizimi i sundimit të ligjit dhe kontributi për një shtet dhe shoqëri moderne që udhëhiqet nga parimet më të ndritura të demokracisë dhe mundësive e trajtimit të barabartë për të gjithë. Sfidat janë evidente, mirëpo me përkushtim dhe dinamikë të shtuar do të shtojmë edhe rezultatet.