Debat Pernime, Junik. Foto: Kallxo.com

Zotimet për Junikun

Katër kandidatë që synojnë marrjen e drejtimit të Komunës së Junikut kanë shpalosur planet e tyre për zhvillim të kësaj komune.

Që nga ndërtimi i shkollave dhe çerdheve e deri tek ndërtimi i eko- fshatrave , politikanët në garë për Junikun u zotuan për punë e zhvillim nëse marrin mandatin pas zgjedhjeve të 22 tetorit.

Agron Kuçi, Kryetar aktual dhe kandidat nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Debat Pernime ,vuri theks të veçantë në zhvillimin e turizmit malor dhe trashëgimisë kulturore në Junik.

“ Programi ynë konsiston në zhvillimin ekonomik. Elektrifikimin e bjeshkëve të Gjeravicës, përkrahjen e ndërtimit të eko- fshatrave Jasiq dhe Gjocaj, vënien në funksion të monumenteve të vjetra. Ndërtimi i digës së ujit të pijes për ujitjen e tokave bujqësore… Ndërtimi i sheshit në qendër më trotuare”, tha Kuçi.

Ndërkaq, Fatos Shala nga Partia Demokratike e Kosovës u zotua në rritjen e efikasitetit të shërbimeve shëndetësore si një nga çështjet e para me të cilat do të merret nëse bëhet kryetar.

Fatos Shala PDK “ Duke filluar nga arsimi, shëndetësia , turizmi, infrastrukturë të qëndrueshme . Drejtimet profesionale , në arsim kemi nevoja për mbështetje me mjete kapitale, çështja e shkollës fillore mesme të ulët, Gjimnazi Kuvendi i Junikut ka mungesë sallën e sporteve. Shëndetësia objekti në tre mujorin e parë ajo do të funksionojë 24 orë”, tha Shala.

Arsimi ishte një ndër pikat prioritare të programit të Sylë Gaxherit , nga Lëvizja Vetëvendosje i cili premtoi punë të shumta në këtë sektor.

“Në arsim, cilësi në mësim, ndërtim i shkollës së re, çerdhe , shujta për nxënës dhe transport falas. Ndërtimin e shtëpisë së kulturës. Pajisja e shkollave me kabinete, mundësinë e mbajtjes së praktikës profesionale me studentë.Shtëpi e shëndetit që punon 24 orë”, tha Gaxherri.

Në anën tjetër, Tahir Isufaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se duhet një mbështetje e theksuar në bizneset lokale.

“ Qeverisje transparente dhe efikase. Në katër vitet e ardhshme të zhvillojë politika përkrahëse për biznesin, përmirësim të shërbimeve publike, infrastrukturës. Mbështetje e bizneseve dhe prodhimit bujqësore lokal dhe ekologjik. Do të ngritët një sistem llogaridhënës dhe transparent”, premtoi Isufaj.

Pjesë e debatit janë edhe deklaratat e familjarëve të kandidatëve.