Logo e kompanisë "Z-Mobile" - Foto: facebook

‘Z Mobile’ i Gatshëm për Kompromis me Telekomin e Kosovës

Kompania “Z Mobile” ka shprehur gatishmërinë që të tejkalojë mosmarrëveshjet me Telekomin e Kosovës pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Në një komunikatë për media nga Z Mobile thuhet se bisedimet janë në rrugë të mirë.

“Konfirmojmë se bisedimet janë në rrugë të mirë, por ende nuk janë finalizuar. Nga Telekomi i Kosovës kanë pranuar lëshimet në procesin e përmbushjes së obligimeve të kontratës me Z Mobile dhe janë zotuar në respektimin e saj të plotë tash e tutje, me qëllim të afarizmit dhe bashkëpunimit të shëndoshë ndërmjet dy kompanive, gjithnjë duke pasur në mendje konsumatorët dhe të punësuarit në to”, thuhet në njoftimin e kompanisë Z Mobile.

Në njoftim më tej thuhet se themeluesi i kompanisë, Blerim Devolli personalisht ka ndërmarrë iniciativën për të gjetur një zgjidhje siç thuhet në njoftim “ në mënyrë që të mos rrezikohen vendet e punës së punëtorëve të Z Mobile dhe Telekomit të Kosovës.

Megjithatë, krejt në fund të njoftimit, thuhet se, Z Mobile mbetet pranë qëndrimit se vendimi për t’iu drejtuar arbitrazhit ndërkombëtar ka qenë i drejtë dhe i domosdoshëm për shkak se aty janë llogaritur humbjet e Z Mobile nga mospërmbushja e kontratës nga ana e Telekomit të Kosovës.

KALLXO.com raportoi sot gjatë ditës se si kompania Z Mobile nuk mori pjesë në seancën e mbajtur më 19 maj në Gjykatën Themelore të Prishtinës, që do të hapte rrugën për ekzekutimin e vendimit të arbitrazhit i cili i dha të drejtë Z Mobile në kontestin milionësh me  Telekomin e Kosovës.

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe Telekomit të Kosovës  zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datën 16 janar 2009.

Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, e cila parashihte si mjet për zgjidhjen e kontesteve arbitrazhin,  Arbitrazhi pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare e obligoi Telekomin e Kosovës që t’i paguajë dëmin kompanisë “Dardafon”.

Ky vendim u bë përfundimtar pranë arbitrazhit më 9 dhjetor 2016.

Kompania “Dardafon” më 7 mars iu drejtua Gjykatës Themelore të Prishtinës për njohjen dhe ekzekutimin e vendimit ndërsa lidhur me këtë çështje u caktua të mbahej seancë më 19 maj.

http://kallxo.com/z-mobile-shmang-seancen-per-ekzekutim-te-gjobes-30-milioneshe/