Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Vrasja e ish-Dhëndrit- Dënohen Tre Persona

Gjykata Themelore e Prishtinës ka shqiptuar 35 vjet burg ndaj tre personave për vrasjen e vitit 2012 në magjistralen Mitrovicë- Prishtinë.

Ramadan Osmani është gjetur fajtor dhe dënuar me 13 vjet burg, Besnik Brahimi është dënuar me 11 vjet, aq sa edhe i akuzuari Afrim Kalludra.

I akuzuari Xhabir Menxhiqi ka vdekur para shpalljes së aktgjykimit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 22 janar 2013, Xhabir Menxhiqin e kishte dënuar me 40 vjet burgim, Ramadan Osmanin me 25 vjet burgim, Besnik Brahimin me 23 vjet burgim, Afrim Kalludrën me 21 vjet burgim, ndërsa Adem Shabanin e kishte liruar nga akuza në mungesë të provave, mirëpo kjo lëndë ishte rikthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit që kishte aprovuar ankesat e mbrojtjes.

Sipas aktakuzës, pesë të akuzuarit, në gusht të vitit 2012, në rrugën magjistrale Mitrovicë-Prishtinë në Babimoc, pas marrëveshjes paraprake dhe në bashkëkryerje me Ali Menxhiqin, i cili gjendet në arrati, nga motivet e ulëta dhe me dashje direkte kanë privuar nga jeta, Mensur Rashicën.

Të akuzuarit, gjithashtu kanë tentuar ta privojnë nga jeta edhe të dëmtuarin, Maliq Rashica dhe po ashtu kanë vënë në rrezik jetën e bashkëshortes së tij, Shehide Rashica.

Sipas prokurorisë, derisa dhëndri i tyre-tani i ndjeri Mensur Rashica, ngiste veturën, të akuzuarit Ali Menxhiqi dhe Ramadan Osmani me vetura i dalin në pritë duke ia bllokuar rrugën dhe detyruar të ndalet.

Pastaj në aktakuzë thuhet se nga mbrapa ka ardhur me veturën që e drejtonte Afrim Kalludra  edhe Xhabir Menxhiqi, i cili pastaj ka dalë prej saj me pushkë automatike.

Po ashtu, nga veturat kanë dalë edhe Ali Menxhiqi, Ramadan Osmani dhe Adem Shabani që i janë afruar veturës së Rahicës, ndërsa Afrim Kalludra dhe Besnik Brahimi i kanë pritur në veturë.

Tutje, sipas aktakuzës, Xhabir Menxhiqi kishte shtënë nga afërsia me pushkë automatike, ndërsa Ali Menxhiqi kishte shtënë disa herë me revole me ç ‘rast kishte qëlluar Mensur Rashicën, i cili nuk u kishte mbijetuar plagëve.